Trump: Gjermania nuk paguan kuotat në NATO

Presidenti Donald Trump përsëriti dje përmes Twitterit akuzat e tij, se Gjermania nuk paguan pjesën e kuotave që i takon ndaj NATO-s. Këto komente ai i bën tre ditë pas takimit me kancelaren gjermane, për të cilin Shtëpia e Bardhë tha se kishte shkuar mirë.
“Ata paguajnë shumë më pak nga sa i takon ndaj NATO-s dhe për ushtrinë. Shumë keq për ne, kjo ka për të ndryshuar”, shkruante në Twitter Presidenti Trump.
Pas takimit të javës së kaluar të G7 në Siçili, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se, “Koha kur ne mund të mbështeteshim plotësisht tek njëri-tjetri duket se ka marrë fund, diçka që e kam vënë re ditët e fundit”.
Por dje zonja Merkel sqaroi se ajo mbetet e përkushtuar ndaj lidhjeve të forta që ekzistojnë mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë.
“Marrëdhënia jonë transatlantike është e një rëndësie shumë të madhe”, tha ajo. “Deklarata që unë bëra ditët e fundit lidhet me faktin se në rrethanat e tanishme ne kemi më tepër arsye për të kuptuar se ne europianët duhet ta marrim fatin tonë në duart tona”.
Angela Merkel ishte në mesin e udhëheqësve të tjerë europianë që shprehën kritika të ashpra për vendimin e presidentit amerikan në takimin e G7-ës për të mos e mbështetur marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike.

Artikulli paraprakA po shkohet drejt një një Europe gjermane?
Artikulli tjetërPresidenti Trump ndryshime në staf