Trump-Erdogan drejt bashkëpunimit në Siri

Bethan McKernan

Burime të brendshme nga presidenca e Turqisë thonë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan kanë rënë dakord që të bashkëpunojnë për të rimarrë në dorë kontrollin e qyteteve siriane të Al Babait dhe Raqqas nga Shteti Islamik. Të dy liderët thuhet se gjatë bisedës së tyre telefonike kanë diskutuar për luftën kundër terrorizmit dhe për krizën e vazhdueshme të Sirisë, madje ata kanë folur edhe për planet e presidentit Trump për të krijuar “zona të sigurta” për qytetarët e zhvendosur.
Donald Trump përsëriti edhe një herë këndvështrimin e Shteteve të Bashkuara dhe konsideratën për Turqinë “si një partnere strategjike dhe aleate e NATO-s”, thuhet nga burime të zyrave të të dy liderëve. Presidenti turk Erdogan thuhet se i ka kërkuar Trumpit që të ndërpresë mbështetjen që Shtetet e Bashkuara kanë shfaqur për forcat kurde që aktualisht luftojnë në veri të Sirisë.
Turqia, e cila përkrah Shteteve të Bashkuara e ka mbështetur opozitën e moderuar të Sirisë gjatë luftës civile, e konsideron Njësinë kurde të Mbrojtjes së Popullit (YPG) si një grup terrorist. Burimet zyrtare thonë se drejtuesi i CIA-s, Mike Pompeo, pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Turqi në fund të kësaj jave për të diskutuar çështjen e kurdëve, por mbi të gjitha do të trajtojë çështjen e mbrojtjes së klerikut Fethullah Gulen, i cili prej vitesh jeton në arrati në Shtetet e Bashkuara dhe që qeveria turke e ka akuzuar publikisht për orkestrimin e grushtit të shtetit të dështuar që u zhvillua verën e kaluar në Turqi.
Është raportuar javën e kaluar se presidenti Donad Trump i ka hedhur poshtë të gjitha planet ekzistuese të Shtëpisë së Bardhë që janë ideuar nga paraardhësi i tij, Barack Obama, për mënyrën se si duhet të trajtohet çështja e Sirisë nga Shtetet e Bashkuara dhe si duhet të dëbohet Shteti Islamik nga kryeqyteti i Raqqas.
Sipas raportimeve të “Washington Post”, një plan i detajuar se si duhet të procedohet më tej me këtë konflikt – i cili pritet të gjenerojë një betejë që do të zgjasë për disa muaj me radhë – i është dorëzuar administratës së re kur Donald Trump mori në dorë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë muajin e kaluar.
Planet e ish presidentit Obama, në të cilët përfshihet edhe strategjia e furnizimit të forcave kurde me armatime të rënda, janë refuzuar kategorikisht nga ekipi i presidentit Trump, i cili është i shqetësuar se plani në fjalë ishte rezultati i dobët i një “stafi të paaftë”, kishte boshllëqe të jashtëzakonshme informacioni dhe nuk paraqiste asnjë plan B në rast dështimi. Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara ka thënë gjatë fushatës së tij se, ka ndërmend ta mposhtë sa më parë dhe sa më shpejt Shtetin Islamik, madje në të shkuarën ka sinjalizuar për ekzistencën se një “plani top sekret”.
Megjithatë, thuhet se që kur ka marrë në dorë pushtetin, administrata e Trumpit i ka kërkuar shefave të ushtrisë amerikane që të përpilojnë strategji të reja për të mposhtur përfundimisht grupin terrorist dhe ka sinjalizuar për mundësinë e krijimit të “zonave të sigurta” për civilët e rrezikuar në Siri.
Një zyrtar i lartë, i cili ka shërbyer gjatë administratës Obama foli hapur për kritikat drejtuar ish-administratës amerikane nga administrata e re e Trumpit duke thënë se presidenti i mëparshëm ishte në dijeni për magësitë e thella që kishte plani i tij dhe armatimi i forcave kurde ishte plani B i tij pasi u bë e qartë se forcat turke nuk mund të përdoreshin për të zhvilluar këtë operacion.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, së bashku me Rusinë dhe vetë qeverinë e Sirisë, luftojnë prej kohësh për të dëbuar Shtetin Islamik nga territoret e zaptuara prej tyre në Siri dhe në Irak, që kur organizata terroriste filloi të përhapej përreth rajonit gjatë verës së vitit 2014. Mbetet ende për t’u parë nëse bashkëpunimi i ri ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë mund të sjellë rezultatet e suksesshme të pritura prej kohësh që nuk u mundësuan dot nga administrata e mëparshme e ish-presidentit Obama.

Artikulli paraprakHaradinaj, ekstradim në Serbi apo lirim?
Artikulli tjetërTenderi 600 mijë USD i Ahmetaj për manipulim shifrash nga FMN