Tropojë, banorët e Zogajt protestë për rrugën: Është e pakalueshme

Banorët e fshatit Zogaj në Tropojë kanë protestuar për ndërtimin e rrugës që lidh zonën me qytetin. Banorët thonë se, gjendja e rrugës sot është e mjerueshme dhe pothuajse e pakalueshme në të gjithë gjatësinë e saj prej 18 km.
Në zonën e Zogajt ku përfshihen rreth 11 fshatra ndodhet dhe miniera e Kromit, një nga më të mëdhatë në vend, ende funksionale ku janë punësuar banorët. Këta të fundit thonë se janë mbi 300 mijë tonë krom stok që nuk mund të transportohen për shkak të gjendjes së keqe të rrugës.
Protestuesit i dërguan një peticion qeverisë dhe Bashkisë Tropojë, duke kërkuar realizimin e kërkesave të tyre përndryshe do bllokojnë rrugën që lidh Tropojën e Hasin me Kosovën.
Protesta e banorëve të Zogajt është mbështetur edhe nga deputetja e PD, Mimoza Hajdarmataj. Në një postim në Facebook deputetja e zonës shkruan se, protesta është gjendje kombëtare.
“Populli ngrihet kudo dhe kurdoherë kur ka padrejtësi. Kazani i propagandës së qeverisë përmes ekraneve të kapura nga interesat mban të shurdhët për publikun protestën e banorëve të fshatit Zogaj në Tropojë. Prej më se dy ditësh, të vetmet media që pasqyrojnë protestën e banorëve të braktisur nga qeveria që diskriminon Veriun është media e qytetarëve, “Facebook”.
Heshtin mediat, shpërfillin me arrogancën e neglizhencës ministrat e inkriminuar, deputetët e mazhorancës dhe institucionet. Asnjë përgjigje nga institucionet publike, që mbahen edhe me taksat e këtyre banorëve, për të mos folur për pasuritë e shumta nëntokësore që shfrytëzohen pa kriter. I bëj apel Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve të investojë sa më parë fonde në këtë aks rrugor që është shumë i rëndësishëm jo vetëm për ekonominë dhe jetën e banorëve të rreth 11 fshatrave, por edhe për transportin mes Tropojës, Hasit dhe Kosovës”, shkruan Hajdarmataj.

Artikulli paraprakKryebashkiaku i Ramës rreh mësuesin: Pse nuk je me PS?
Artikulli tjetërSkandal! Policët e Veliajt i sekuestrojnë qepët dhe sallatën një gruaje