Tronditen depozitat, interesat në pikiatë

Pas një rritjeje për disa muaj radhazi, interesat e depozitave kanë rënë sërish në mars, duke sjellë më pak fitime për të gjithë ata që vendosën të kursejnë në muajin në fjalë. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i ponderuar për të gjitha afatet e maturimit për depozitat në mars ishte 0.23%, nga 0.26% që kishte qenë muajin e mëparshëm, niveli më i lartë në gati dy vjet ky. Për depozitat 12-mujore, që janë më të preferuara për kursimtarët, interesi mesatar ka rënë nga 0.94% në shkurt në 0.9% në mars. Tkurrjen më të madhe e kanë shënuar depozitat 6-mujore, nga 0.78% në 0.58%. Rënia e ndjeshme e interesave gjatë viteve të fundit, si rrjedhojë e politikës së ndjekur nga Banka e Shqipërisë për të bërë koston e parasë më të lirë, kishte bërë që depozituesit t’u drejtoheshin maturiteteve afatgjata, duke i mbyllur paratë për më shumë se dy vjet, në mënyrë që të përfitonin nga interesat më të larta. Megjithatë, edhe normat e depozitave 6-mujore kanë rënë ndjeshëm me 0.23 pikë përqindjeje, në 2.1% gjatë muajit mars. Më të fituar kanë qenë ata që kanë zgjedhur të mbyllin paratë për 48 muaj. Interesat e depozitave të reja për këtë afat u rritën ndjeshëm në mars, nga 1.55% në 3.04%. Tkurrja e normave të kthimit nga depozitat ka ndjekur yield-in (interesin) e bonove të thesarit (letrave me vlerë të qeverisë), të cilat shërbejnë si referencë për tregun. Yield-i i bonove 12-mujore ra në 1.8% në ankandin e fundit, nga 3.2% që arriti në fund të janarit. Të dhënat e tjera të Bankës së Shqipërisë treguan se depozitat në bankat shqiptare zbritën në 998 miliardë lekë në mars, duke shënuar rënie për të tretin muaj radhazi. Interesat e ulëta për kursimet, si në lekë ashtu dhe në valutë mbeten arsyeja kryesore se pse individët nuk po preferojnë të mbajnë kursimet në banka. Për depozitat 1-vjeçare në lekë, norma e interesit është afër 1%, ndërsa për ato në valutë është afër zeros. Ndërkohë, depozitat në bankat shqiptare zbritën në 998 miliardë lekë në mars, duke shënuar rënie për të tretin muaj radhazi, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Gjatë tri muajve të parë të 2017-n, nga bankat janë larguar neto rreth 15.7 miliardë lekë apo gati 120 milionë euro, në krahasim me dhjetorin 2016 dhe ka qenë më e fortë në shkurt (-10.1 miliardë lekë). Tkurrja ka ardhur më së shumti si rrjedhojë e rënies së depozitave në lekë (-3.5 miliardë lekë), por edhe atyre në valutë (-1.8 miliardë lekë). Me bazë vjetore, (mars 2017/mars 2016), depozitat në sistemin bankar kanë shënuar një rritje minimale prej 1.7%, që ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e zgjerimit të kursimeve në valutë me 5%, ndërsa ato në lekë kanë rënë me 2%. Interesat e ulëta për kursimet, si në lekë ashtu dhe në valutë mbeten arsyeja kryesore se pse individët nuk po preferojnë të mbajnë kursimet në banka. Banka e Shqipërisë, në një përpjekje për të nxitur ekonominë, ka ulur vazhdimisht normën bazë, duke e zbritur aktualisht në nivele minimale rekord prej 1.25%, (nga 5.25 në shtator) çka është reflektuar dhe në uljen e normave të depozitave. Depozitat me afat të individëve në lekë kanë shënuar dhe rënien më të madhe, duke u reduktuar me gati 1 miliard euro, që nga korriku 2013, kur ato kishin arritur dhe nivelin më të lartë. Por, teksa Banka e Shqipërisë ka filluar një strategji për të ulur nivelin e euroizimit në vend, valuta vijon të mbetet monedha e preferuar e kursimeve. Në fund të muajit mars, kursimet në valutë përbënin 52.5% të totalit, nga 50.6% që ishte kjo peshë në mars të një viti më parë.

Artikulli paraprakErdogani e kërcënon BE-në me lamtumirë
Artikulli tjetërÇfarë sjell për Europën fitorja e Macronit