Tregu i BE-së me standarde të larta, e vështirë për bizneset kosovare

Pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, me të cilën marrëveshje bizneseve kosovare u garantohet qasja në tregun evropian, për bizneset kosovare nuk do të jetë e lehtë, për shkak të normave, konkurrencës dhe standardeve të larta të tregut evropian. Zëvendësministri i MTI-së, Avni Kastrati tha se MSA është një favor i madh dhe një obligim i madh për Kosovën, meqë do të ketë qasje në një treg të BE prej 500 milionë konsumatorëve, dhe sipas tij, qasja e bizneseve kosovare me produktet e tyre duhet të jetë me cilësi të lartë.
“Konkurrimi në atë treg, gjegjësisht realizimi i ofertave tona në atë treg nuk do të jetë i lehtë, për arsye se në tregun evropian janë norma të cilat duhet të plotësohen. Në rend të parë është cilësia. Andaj, ne me punëtori të tilla sot kemi planifikuar që me përpunuesit e drurit… të bashkëbisedojmë, t’i orientojmë dhe t’i informojmë me qëllim që sa më shpejt ata të rrugëtojnë”, tha Kastrati. Ndërsa, eksperti i UNDP-së Marjan Kavran prezantoi kërkesat e tregut të BE-së dhe theksoi se Kosova do të ballafaqohet me sfida të ndryshme për të plasuar produktet në tregjet e BE, sikurse që në Kroaci që ka probleme me qasjen në tregun BE-së, për shkak të madhësisë së këtij tregu.
E, drejtori i Departamentit të Integrimeve Evropiane dhe Koordinimit të Politikave në Ministri të Tregtisë, Irfan Lipovica tha se kjo Ministri është e fokusuar t’i ndihmojë bizneset dhe prodhuesit kosovarë që të kenë lehtësi në depërtimin e tregut evropian. Ai tha se për të qenë në gjendje që bizneset të shfrytëzojnë këtë mundësi, duhet të ketë produkte dhe shërbime cilësore përkitazi me standardet evropiane. Sipas tij, ky organizim ka për qëllim të mësohet më shumë për benefitet e MSA dhe orientimin e bizneseve në këtë treg më mundësi të mëdha për vendin. Mirëpo, në këtë punëtori nuk pati interesim të madh nga ana e bizneseve, meqë numri i të pranishmëve të tyre ishte i vogël.

Artikulli paraprakNjë fe islame “gjermane”?
Artikulli tjetërKosovë, 360 milionë euro kredi për zhvillimin e bizneseve