Tre skenarët për largimin e Putinit

Marcel H. Van Herpen

Kohët e fundit ka pasur spekulime në shtyp rreth një abdikimi të mundshëm nga dora e fortë e Rusisë, Vladimir Putin. Në dominim të politikës ruse për më shumë se 15 vjet, Putini po përballet me një realitet të vështirë. Një sondazh ekonomik i kohëve të fundit nga ana e Bloomberg tregon se politika ekonomike e Putinit vlerësohet me “F”, nota më e ulët e mundshme, prej 27 për qind të të anketuarve. Një 50 për qindësh tjetër e vlerësoi atë me dy notat më të ulëta. Thënia e famshme e Bill Clinton “it’s the economy, stupid”, të cilën ai e përdori për të shpjeguar fitoren e tij ndaj Presidentit George Bush të vjetrit, mund të jetë njëlloj e vlefshme për Putinin.
Megjithatë, kësaj radhe është e kundërta. Në një kohë kur nafta krudo Brent shitet me më pak se 30 dollarë fuçia dhe rubla ka humbur 50 për qind të vlerës së saj qysh nga aneksimi i Krimesë, popullsia ruse po ndeshet me varfërim gjithnjë e në rritje, që po ka një impakt negativ në mirëqenien dhe shëndetin e saj.

Tri skenarë
Pavarësisht popullaritetit të tij të lartë, njeriu nuk mund ta përjashtojë mundësinë që pakënaqësia popullore do të rritet në reagim të rritjes së varfërisë dhe të çmimeve. Demonstrimet masive popullore në Moskë pas zgjedhjeve të manipuluara të Dumës në dhjetor 2011 qenë tashmë një shenjë e qartë. Reagimi i Kremlinit qe një grusht i fortë masiv ndaj opozitës. Problemi tani është se çfarë do të ndodhë? A do të çojë një shprehje eventuale pakënaqësie popullore në shtypje të mëtejshme apo do të ketë pasoja për pozicionin e Putinit?
Sigurisht se ka gjasa që Kremlini do të zgjedhë për shtypje të mëtejshme, ndihmuar nga tendenca e popullit rus për të fajësuar nëpunësit e Carit në vend të këtij të fundit për problemet e tyre. Një ligj i kohëve të fundit, i paraqitur për të lejuar agjentët nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) për të hapur zjarr ndaj turmave, tregon shumë. Njeriu mund të presë gjithashtu që Kremlini të kërkojë aventura të reja ushtarake jashtë vendit me qëllim që ta spostojë vëmendjen nga problemet ekonomike të vendit, ashtu si edhe për të nxehur ndjenjat patriotike. Megjithatë carët, përfshi carë komunistë të tilla si Nikita Hrushovi, nganjëherë janë përmbysur. Mënyra sesi Mikhail Gorbaçovi u largua nga pushteti prej Boris Jelcinit qe larg në të qenit e butë. Atëherë pse Putini duhet të jetë i imunizuar ndaj një fati të tillë? Në librin e tij autobiografik “First Person”, të botuar më 2000, vetë Putin thotë për Helmut Kohl: “… Pas 16 vjetësh, të gjithë njerëzit, përfshi gjermanët e durueshëm, lodhen nga lideri, edhe nga një lider i fortë si Kohl”. “Limiti 16-vjeçar” i Putinit u arrit më 31 dhjetor 2016. Sipas vetë fjalëve të Putinit, populli rus ka të drejtën që “të lodhet” prej tij. Megjithatë, Rusia nuk është Gjermania, prandaj problemi nuk është edhe aq se çfarë do të ndodhte nëse Putini do të humbiste mbështetjen e popullsisë ruse, por më shumë se çfarë do të ndodhte në qoftë se ai do të humbiste mbështetjen e rrethit të ngushtë të tij? Kjo është larg nga të qenit e qartë. Sipas sistemit autoritar putinist, nuk ka procedura të institucionalizuara për të organizuar një suksesion, përveç zgjedhjeve, të cilat, si rregull, janë të parregulla dhe të manipuluara.
Në Shtetet e Bashkuata, ekziston funksioni i zëvendëspresidentit, i cili nuk ekziston në Rusi. Në këtë kuptim, nuk ka ndryshuar shumë nga koha e thënies së famshme të Çërçillit se luftarët për pushtet të Kremlini i ngjajnë spektaklit të “bulldogëve që luftojnë nën një qilim”; një i jashtëm dëgjon vetëm të lehurat dhe i duhet të presë se cili bulldog do të shfaqet si fitimtar.
Ekzistojnë të paktën tri skenarë për suksesionin e Putinit.
–    Skenari i parë do të ishte rezultati i një revolte popullore, eventualisht në formën e një revolucioni me ngjyra.
–    Skenari i dytë do të ishte “lodhje lidershipi”; të jesh në krye të një shteti për 16 vjet ka kosto, edhe për një lider me shëndet të mirë (që duket se është rasti) dhe mund të vijë një moment kur ai fillon të mendojë për organizimin e suksesionit të tij.
–    Skenari i tretë do të ishte një “grusht shteti i butë” i brendshëm nga njerëzit e Kremlinit.
Skenari i parë duket se ka më pak gjasa. Opozita “jashtë establishmentit” është shumë e dobët dhe shumë e përçarë në Rusi. Për më tepër Putini, që ka një dorë të hekurt mbi strukturat ushtarake dhe paraushtarake, nuk do të hezitonte që të përdorte të gjitha mjetet në dispozicion për ta shtypur një revoltë të tillë.

Ngjitje meteorike
Ka pasur disa thashetheme të kohëve të fundit që tregojnë se skenari i dytë është i mundshëm. Për disa, duket sikur Putini po kultivon Alexey Dyumin, ish-badigardi dhe ish-portier në ekipin e klubit privat të tij të hokejit mbi akull, që ta bëjë presidentin e ardhshëm rus. Dyumin është i besuari i Putinit. Në vitin 2014, si komandant i Forcës së Operacioneve Speciale që luajti një rol të madh në aneksimin e Krimesë, ai largoi ish-presidentin ukrainas, Viktor Yanukovych nga Ukraina. Karriera e Dyumin nuk i lë gjë mangut spektakolares. Nga Kolonel në shërbimin e sigurimit presidencial, ai u promovua në Gjeneral Major dhe më pas në Gjeneral Leitnant. Më 24 dhjetor 2015 ai u emërua zëvendësministër Mbrojtjeje nën Sergey Shoygu. Menjëherë më pas, më 2 shkurt 2016, ai u emërua Guvernator i Tula. Promovimi më i fundit i Dyumin u tha se është “një lëvizje për t’i dhënë atij përvojë politike në menaxhimin e një rajoni përpara një promovimi tjetër meteorik”. Mund të jetë ky një tregues se Putini po “rrit” një pasues, siç sugjerojnë disa burime ruse? Në të vërtetë, mund të jetë një shenjë se Putini po përgatit një kandidat për suksesionin e vet. Për më tepër, ekziston edhe një paralele historike: marrëdhënia e ngushtë e paraardhësit të Putinit, Boris Jelcinit, me badigardin dhe partnerin e tij të tenisit, Alexander Korzhakov. Korzhakov kishte gjithashtu ambicie të fuqishme, por në fund u anashkalua nga Anatoly Chubais. Putini mund ta përdorë Dyumin si një “policë sigurimi” në rast se largohet për arsye shëndetësore. Sipas të gjitha gjasave, fati i Dyumin do të jetë i ngjashëm me atë të Korzhakov. Në mjedisin firentin të politikës ruse, me shumë fraksione luftarake dhe beteja klanore, thjesht përmendja si “pasues i mundshëm i Putinit” është si puthja e Judës.
Edhe pse nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që Putini mund ta lërë presidencën me dëshirë dhe të kryejë të njëjtën procedurë si Boris Jelcini nëpërmjet emërimit të një figure të panjohur, por të besuar, në rolin e Presidentit të përkohshëm, ka dy arsye pse një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodhë. E para është se, Putini nuk po shfaq aktualisht ndonjë shenjë “lodhjeje nga lidershipi”. Në fakt, është krejt e kundërta. I vlerësuar nga revista “Forbes” si “njeriu më i fuqishëm i botës”, më 2014 dhe 2015, ai jo vetëm që po drejton një politikë të jashtme hiperaktive dhe agresive, por e ka bërë të qartë qysh nga fillimi se dëshiron që të qëndrojë në pushtet sa më gjatë që të jetë e mundur. Kjo është arsyeja se pse u përdor presidenca false e Medvedev më 2008, duke i lejuar Putinit që të kthehej si President më 2012. Në të njëjtën kohë, mandati presidencial u rrit nga 4 në 6 vjet, duke i mundësuar Putinit të qëndrojë në pushtet deri më 2024.
Duke përjashtuar skenarin e Putinit që sëmuret, njeriu mund të supozojë se ai do të qëndrojë në pushtet sa më gjatë që të jetë e mundur, jo më pas se fakti që e konsideron presidencën e tij se është një vokacion personal. Vladislav Surkov, ish-zëvendësshefi i parë i Administratës Presidenciale, u quajti atë “një njeri që ju dërgua Rusisë nga fati dhe nga Zoti në momentin më të errët të vendit”. I dërguar nga Perëndia për të ndrequr “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit të njëzet”, Putin dukshëm nuk do të heqë dorë nga misioni i vetimponuar i tij i rivendosjes së perandorisë.

Byroja Politike 2.0
Ka një arsye të dytë se pse skenari i Putinit për emërimin e Dyumin si pasuesin e tij ka shanse të pakta. Kjo sepse sistemi putinist është shumë më tepër kolegjial sesa vlerësojnë vëzhguesit perëndimorë. Në kohën sovjetike, trupi sundues kolegjial ishte Byroja Politike. Megjithëse kaloi një ekzistencë hije nën Stalinin, ajo ushtroi pushtet real pas vdekjes së tij. Anëtarët e këtij komiteti të vogël zgjidhnin Sekretarin e Përgjithshëm të ri (i quajtur “Sekretar i Parë” në periudhën midis viteve 1953 dhe 1966). Anipse Byroja Politike nuk ekziston më në Rusinë e Putinit, ka një trupë që është një pasues i denjë i këtij institucioni të epokës sovjetike: Këshilli i Sigurisë i Federatës ruse. Ndryshe nga Byroja Politike, që ishte në apogjeun e piramidës pushtetare që përfaqësonte Partinë Komuniste, ky këshill nuk është i lidhur me partinë sunduese Rusia e Bashkuar. Ai është një organ pastërtisht burokratik që kryesohet nga Presidenti. Tejet interesante, këshilli ka një rreth të brendshëm prej 13 anëtarësh të përhershëm dhe një rreth të jashtëm prej 17 anëtarësh. Si e tillë, ai imiton strukturën e Byrosë Politike, e cila gjithashtu kishte një bërthamë të brendshme anëtarësh kryesorë dhe një rreth të jashtëm anëtarësh kandidatë.
Ajo çka të bën përshtypje është pozicioni dominues i shërbimeve të inteligjencës në rrethin e brendshëm. 7 nga 13 anëtarët e përhershëm kanë një bekgraund KGB-je. Përveç Putinit vetëm, këta anëtarë janë Nikolay Patrushev, Sekretari i Këshillit; Rashid Nurgaliyev, zëvendësi i tij; Aleksandr Bortnikov, drejtor i FSB-së; Sergey Ivanov, shefi i Administratës Presidenciale; Mikhail Fradkov, drejtor i SVR-së (shërbimi i inteligjencës së jashtme) dhe Sergey Naryshkin (Presidenti i Dumës). Në mënyrë të qartë, ushtria është mbajtur jashtë kësaj strukture qendrore pushteti. Valery Gerasimov, shef i Shtabit të Përgjithshëm, nuk është anëtar i përhershëm dhe drejtori i GRU-së, shërbimit të inteligjencës ushtarake, nuk është as edhe anëtar fare. Anëtarët e tjerë të rregullt janë kryesisht të dërguar presidencialë në distrikte të ndryshme që nuk kanë asnjë pushtet baze të tyrin.
Për pasojë, përbërja e Këshillit të Sigurisë ofron një tregues me vlerë se çfarë mund të pritet në rast se Putini do të vendoste të dorëhiqej (apo në qoftë se hiqet): shërbimet e inteligjencës do të bëjnë të pamundurën për ta ruajtur një pozicion dominues në strukturën e pushtetit të Rusisë, ndërsa do të mbajë larg forcat e armatosura. Prandaj është me vend të parashikohet se një luftë eventuale për pushtet do të ndodhë brenda shërbimeve sekrete. Duke pasur parasysh faktin se Fradkov, i lindur në Samara, e Nurgaliyev, një tartar i Vollgës, janë relativisht të jashtëm dhe se Naryshkin, përjashto miqësinë e tij me Putinin, i mungon baza e pushtetit, ka gjasa që lufta për suksesionin e Putinit do të bëhet midis këtyre 3 konkurrentëve: Nikolay Patrushev, Aleksandr Bortnikov dhe Sergey Ivanov. Tejet interesante, Putin ka përmendur tashmë dy prej tyre, Patrushev dhe Ivanov, 16 vjet më parë në biografinë e tij dhe i përshkruan si njerëzit, të cilëve u beson më shumë.

Patrushev, dora e fortë e re?
Gjatë intervistave të fundit Patrushev, i cili ka drejtuar FSB-në nga 1999 deri më 2008, e paraqet gjithnjë e më shumë veten si dorën e fortë të re, ka mundësi në reagim të përgatitjes së Dyumin nga ana e Putinit. Në një intervistë të botuar tek “Moskovskiy Komsomolets”, Patrushev deklaroi se Rusia dhe Ukraina janë “një popull, i ndarë [nga kufijtë] përkohësisht [siç]” dhe se “komuniteti global duhet t’i jetë mirënjohës Rusisë për [marrjen] e Krimesë”. Në një intervistë tjetër, pak ditë më pas, ai tha se “objektivi strategjik i Perëndimit është shkatërrimi i Rusisë”, duke shtuar se në rast të një ashpërsimi konflikti me Turqinë, “në rast se Aleanca [NATO] mbështet Ankaranë, atëherë përgjigjja më logjike është që të pushtohen shtetet balltike. Të gjitha shtetet balltike janë tonat”. Dikur Patrushev i quajti plot bujë anëtarët e shërbimeve sekrete ruse një “fisnikëri të re” që nuk punonte për para, por për të mirën më të madhe të vendit të tyre. Në rast se Putini do të dorëhiqej përpara ose menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale të 2018, është me vend të supozohet se shumica e “qenve nën qilim” do të kenë një çip identifikimi KGB/FSB në veshin e tyre. Sulmet e fundit ndaj oligarkëve, edhe atyre të afërt me Putinin, futen në këtë arsyetim. Njerëzit e shërbimeve sekrete i përbuzin oligarkët jo sepse u kanë zili pasurinë e tyre, por sepse i konsiderojnë këta pasanikë të rinj që jetojnë offshore, investojnë jashtë vendit dhe nuk paguajnë taksa se janë patriotë të këqinj. Putin ka mbajtur gjithmonë një balancë të caktuar midis silovikëve dhe oligarkëve. Ai sulmoi vetëm ata oligarkë që u përpoqën të fitojnë influencë politike, si puna e Vladimir Gusinsky dhe Mikhail Khodorkovsky. Megjithatë, ka pasur një seri sulmesh ndaj oligarkëve miqësorë me Kremlinin. Njëri prej tyre është Vladimir Yakunin, i cili është një mik i vjetër i Putinit: të dy qenë anëtarë të kooperativës “Ozero” në vitet nëntëdhjetë. Në gushtin e 2015 Yakunin dha dorëheqjen si President i Hekurudhës ruse, në dukje sepse djali i tij kishte aplikuar për shtetësi britanike, një lëvizje që u pa gjerësisht si një “akt tradhtie” në “luftën me Perëndimin”.
Një tjetër oligark që u largua në lista e miqve qe Sergey Pugachev, pronar i “Mezhprombank” dhe në publik i njohur si “bankieri i Putinit”. Pugachev u vu nën hetim për vjedhje të huave qeveritare dhe iu desh të largohej nga Britania në Francë (ku është i sigurtë për shkak se ka shtetësi franceze). Këto janë shenja se në klimën aktuale të konfrontimit me Perëndimin, oligarkët “offshore” po humbin influencë krahasuar me ata të linjës së ashpër në shërbimet e inteligjencës. Prandaj një pikëpyetje interesante është sesi “fisnikëria e re” reagon ndaj botimeve në Perëndim që e akuzojnë Putinin se ka akumuluar një pasuri personale prej 40 miliardë dollarësh amerikanë, që do ta bënte atë jo vetëm oligarkun më të pasur, por edhe njeriun më të pasur deri më tani në Europë.
Këto akuza përkonin me historitë e botuara në shtyp se Kirill Shamalov, dhëndri i Putinit (martuar me vajzën e tij Katerina), mori një hua shtetërore me përqindje të ulët për kompaninë e tij “Sibur”, përpunuesja më e madhe ruse e petrokimikateve. Përqindja e interesit të kësaj huaje qe vetëm 2 për qind, në vend të 7 për qindëshit të zakonshëm. Gjithçka kishte shenjat e akraballëkut dhe të korrupsionit që të kujtonte vitet e fundit të sundimit të Jelcinit, që u karakterizuan nga pasurimi i Semya-s (nofka e familjes Jelcin). Për pasojë, preokupimi kryesor i Putinit kur të zgjedhë pasuesit duhet të jetë i njëjtë: të gjejë diçka të besuar sa duhet për ta ruajtur atë nga hetimi. Thashethemet se ai ka nisur të promovojë Dyumin mund të jetë një shenjë se ai po vendos më shumë besim në këtë badigard të panjohur sesa në rrethin e tij të ngushtë të kolegëve të inteligjencës. Megjithatë, skenari i saktë i suksesionit të Putinit mbetet krejtësisht i hapur.

Marcel H. Van Herpen është autor i tri librave për Rusinë e Putinit: “Putin’s Propaganda Machine – Soft Power and Russian Foreign Policy (2016)”; “Putin’s Wars – The Rise of Russia’s New Imperialism (2014, 2015 second edition)” dhe “Putinism – The Slow Rise of a Radical Right Regime in Russia (2013)”.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakTrashëgimia e dështimit
Artikulli tjetërTurqia dhe Trump