Tre shpjegime përse Donald Trump po kryeson sondazhet

Andrew Prokop

Vetëm tre muaj më parë Hillary Clinton kishte një avantazh prej 9 pikësh kundrejt Trumpit në sondazhet kombëtare dhe kishte një avantazh akoma më të lartë në disa shtete. Fitorja e saj dukej e sigurt dhe demokratët ishin të bindur. Por gjërat nuk shkuam për Clintonin siç ishte parashikuar. Duke filluar në mesin e gushit avantazhi i saj në sondazhet kombëtare dhe ato të shteteve të veçanta filloi të tkurrej. Eventet e fundjavës së shkuar duket se e kanë ngushtuar akoma më shumë marzhin e saj, teksa Trumpi është duke përjetuar rezultatet e tij më të mira deri tani në sondazhet shtetërore.
Clinton vazhdon të jetë përpara si në rang kombëtar dhe ka mjaftueshëm shtete në dorë për të fituar. Por trendet e muajve të fundit nuk kanë qenë shumë të mira për të dhe bëjnë një kontrast dramatik me garën që ishte parashikuar. Atëherë, çfarë ndodhi? Përse gara është bërë papritur kaq e ngushtë?
Matt Yglesias ofron një sqarim tërësor duke thënë se Clintoni nuk duhet aq shumë nga sa mendohej. Por kjo e lë pa përgjigje pyetjen se përse kanë ndryshuar gjërat kaq papritur. Një muaj fushatë është diçka e ndërlikuar dhe mund të ndodhin aq shumë gjëra dhe aq shumë evente sa është e pamundur të testosh një teori për të shpjeguar atë që po ndodh këto muajt e fundit.
Trumpi i ka bërë ndryshime dramatike fushatës së tij dhe strategjisë mediatike, ka filluar të shpenzojë më shumë për reklama televizive dhe më e rëndësismja, ka evituar debatet më të mëdha gjatë muajit të fundit. Gjatë këtyre javëve, Clintoni është përballur me lajme negative rreth figurës së saj, që nga skandali i e-mail-eve e deri tek Fondacioni Clinton. Më pas ajo vazhdoi të ofendonte mbështetësit e Trumpit dhe gjërat u përkeqësuan së tepërmi kur i ra të fikët në publik dhe u bë publike sëmundja e saj e pneumonisë.
Kombinimi i gjithë këtyre faktorëve shpjegojnë deri diku ndryshimin e rezultateve të sondazheve, për shkak të zgjedhësve që kanë ndryshuar mendim, edhe pse është ende e paqartë se cili prej faktorëve është më i rëndësishëm se tjetri. Fakti më i qartë është që gara që demokratët mendonin se do të ishte e lehtë, po rezulton të jetë më e vështirë.

Trump po “pastron” sjelljen e tij
Gjatë javëve pas konventës së demokratëve në fund të korrikut, pozicioni i Trumpit në sondazhe përjetoi një rënie pikiatë. Kjo ndodhi sepse Hillary shkëlqeu në konventë, por edhe për shkak se Trumpi sulmoi ashpër familjen e kapitenit të rënë në luftë, Humayun Khan. Debati për familjen Khan u mbulua gjerësisht nga mediat kombëtare dhe ndërkombëtare dhe Trump u kritikua ashpër edhe nga republikanët e tij.
Por rreth datës 17 gusht, Trump vendosi të ndryshojë. Ai punësoi një ekip të ri fushate. Filloi të mos merrte pjesë në intervista të vazhdueshme ku përfundonte gjithmonë duke dëmtuar vetë imazhin e tij. Ai filloi të organizonte evente më të denja për fushatë dhe që mbartin mesazhe të qarta.
Më e rëndësishmja është që Trumpi ka shmangur ato debatet e tmerrshme që dëmtonin fushatën e tij dhe e bënin të humbiste gjithmonë e më shumë pikë në sondazhe. Por mos mendoni se ka ndryshuar plotësisht. Edhe eventet e fushatës së tij janë përsëri të mbushur me deklarata sulmuese dhe ofenduese dhe me fakte tërësisht të rreme që do të turpëronin çdo politikan të botës.
Ndoshta kjo është arsyeja përse Trumpi nuk është duke marrë rezultatet më të mira që do të priteshin nga çdo republikan i përkushtuar në fushatë. Parashikimet zgjedhore të Vox sugjerojnë se ai duhet të kishte marrë 50,9 për qind të votave, por Trump është përsëri 3 pikë në disavantazh. Megjithatë, Trumpi i ka kaluar muajt e fundit duke kritikuar fushatën e Clinton në vend që të sulmohet për vetë deklaratat e tij ofenduese.
Ka edhe një gjë tjetër që ka ndryshuar për Trumpin gjatë kohës së fundit: Më në fund ka filluar të shpenzojë para për reklama fushate. Deri në mesin e gushtit, Hillary Clinton kishte shpenzuar miliona për reklama televizive në çdo shtet dhe tani Trump ka filluar të bëjë të njëjtën gjë.
Këto reklama shihen vetëm nga shtetet përkatëse në të cilat publikohen, ora nuk bën ndonjë ndryshim për rezultatet e sondazheve në rang kombëtar. Por Trumpi ka fituar avantazh edhe në rang kombëtar, pra reklamat nuk janë faktori i vetëm i këtij ndryshimi.

Lajmet negative për Clintonin
Teksa Trumpi ka filluar të përmirësojë fushatën e tij, Clintoni është përballur me një sërë lajmesh negative që e kanë dëmtuar ndjeshëm. Më 2 shtator, FBI-ja nxori një raport të zbulimeve të hetimit të bërë ndaj e-mail-eve të Clintonit. Nuk është se ishte lajm i ri, megjithatë kjo filloi të lëshonte mbulime mediatike të shumta me fjalët “Clinton” dhe “FBI” në titujt kryesorë. Koha kur Clinton filloi të shfaqej dobët nëpër sondazhe ishte pikërisht kur kreu i FBI-së, James Comey deklaroi zbulimet e hetimit në fillim të korrikut.
Gjatë periudhës së fundit të gushtit dhe fillimit të shtatorit dolën edhe disa lajme të tjera të këqija rreth Fondacionit Clinton. Shumica e këtyre historive nuk është se tregonin ndonjë skandal, po të lexoje me kujdes, megjithatë e rrethuan Hillary-n përsëri me një hije dyshimi dhe negativiteti, duke e shfaqur atë në lajme nëpër histori të ndryshme korrupsioni.
Ndërkohë, Clintoni ndoqi edhe një orar relativisht të lehtë fushate në gusht në mënyrë që të përqendrohej në mbledhjen e fondeve. Pasoja ishte që ajo nuk pati mundësi të reagonte drejtpërdrejt kundër këtyre historive negative që e ndoqën nga pas me evente pozitive që të përçonin mesazhin e vërtetë që ajo donte.
“Vendimi i Clintonit për të ndjekur një profil të ulët gjatë gushtit do të debatohet për vite me radhë…”, shkruan Glenn Thrush i “Politicos”. “Nëse fiton, atëherë ‘udhëtimi veror’ i mbledhjes së fondeve për t’i vërshuar Trumpit një valë antireklamash, do të konsiderohet si strategji gjeniale, por nëse humbet, atëherë gushti do të ngelë si muaji që shënoi dështimin e saj”. Ndoshta ky është një këndvështrim i ekzagjeruar, por rëndësia nuk mund të mohohet.

Fundjava e ferrit
Gara ishte ngushtuar shumë që në mes të gushtit. Por eventet e fundjavës së shkuar duket se e kanë goditur akoma më shumë Clintonin, edhe pse nuk është e qartë se cili e ka dëmtuar më shumë. Së pasi ishte ofendimi. Gjatë një eventi për mbledhjen e fondeve, Clinton përçmoi gjysmën e mbështetësve të Trumpit si anëtarë të “grupit të të mjerëve” ku përfshiheshin racistët, seksistët, homofobët, ksenofobët, islamofobët etj. Clinton kërkoi menjëherë një “gjysmë faljeje” duke thënë se këto njerëz nuk mund të jenë gjysma e mbështetësve të tij, por që ai gjithsesi kishte mbështetës racistë. Ndërkohë, fushata e Trumpit dhe shumë mbulime mediatike e portretizuan deklaratën e saj si një gafë të madhe.
Më pas, gjërat u përkeqësuan për Hillary-n kur i ra të fikët gjatë një eventi përkujtimor të 11 shtatorit ku u filmua pothuajse duke u rrëzuar teksa shoqërohej tek makina e saj. Më pas ajo u detyrua të pranonte publikisht se dy ditë më parë ishte diagnostikuar me pneumoni. Kjo u pa nga shumë njerëz si provë e thashethemeve që ishte përpjekur të përhapte Trump rreth shëndetit të saj dhe e bëri Clintonin të shfaqej akoma më pak të sinqertë.
Kjo mund të jetë një teori spekulative, por dyshohet se lajmet e shëndetit të Hillary-t mund ta kenë dëmtuar akoma më shumë fushatën e saj krahasuar me deklaratën ofenduese të disa ditëve më parë. Është e vërtetë që fushata e Trumpit e ka shfrytëzuar në maksimum këtë deklaratë, por të dhënat e kërkimeve në internet sugjerojnë se për momentin, njerëzit janë më shumë të interesuar për shëndetin e saj.

A po ndryshon drejtimi i garës?
Është e mundur që ky ndryshim i menjëhershëm dhe i papritur i sondazheve të ndikohet edhe nga rritja e numrit të personave që nuk preferojnë të përgjigjen, një fenomen që Jeff Stein i Vox e ka shpjeguar shumë herë këtë vit. Kjo do të thotë se lajmet rreth shëndetit të përkeqësuar të Clintonit mund t’i kenë bërë mbështetësit e saj më pak entuziastë dhe nuk duan të përgjigjen për sondazhet, gjë që mund t’i japë një avantazh Trumpit.
Po kështu, mbështetësit e Trumpit mund të kenë qenë më pak të gatshëm të përgjigjen për sondazhet në fillim të gushtit kur ai ishte duke u kritikuar ashpër për sulmet kundër familjes Khan. Kjo mund t’i ketë dhënë rezultatit të Clintonit një avantazh artificial dhe ndryshimi i numrit të mbështetësve që përgjigjen për Clintonin tani mund ta shfaqin garën si më të ngushtë. Siç shkruan edhe Stein, Andrew Gelman dhe Alan Abramowitz kanë mbledhur prova që tregojnë se ndryshimet e papritura dhe të mëdha nëpër sondazhe shpesh shpjegohen pikërisht me këtë fenomen.
Megjithatë, nëse zgjedhësit e Clintonit janë vërtet kaq të zhgënjyer sa të refuzojnë të përgjigjen për sondazhe në telefon, kjo tregon se ekziston një problem që fushata e Hillary-t do të duhet të adresojë. Për më tepër, të gjesh ide krijuese për të shpjeguar rezultatet e papëlqyeshme të sondazheve ka rezultuar një strategji e keqe këtë vit, siç kanë treguar eventet si ngritja e Trumpit si kandidat dhe sondazhet e Brexit.
Akoma nuk dihet nëse ky është një ngushtin real apo artificial i garës. Na ndajnë edhe 53 ditë të tjera nga dita e zgjedhjeve presidenciale dhe mund të ndodhin shumë gjëra deri atëherë, duke qenë se të gjitha eventet e renditura më sipër kanë ndodhur në një hark kohor prej një muaji. Shëndeti i Hillary Clintonit mund të përkeqësohet. Trumpi mund të shmangë gafat dhe debatet. Mediat mund ta portretizojnë më egër Trumpin tani që shanset e tij për të fituar po shtohen. Debatet mund të shkojnë shkëlqyeshëm ose keq për secilin kandidat. E vetmja gjë e sigurt është që gara është ende e hapur.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetër400 mijë qytetarë të Kosovës jetojnë në diasporë