Tre ditët e axhendës të ceremonisë së Trump

Shumë evente dhe koncerte janë planifikuar të bëhen gjatë ceremonisë së inaugurimit presidencial në Washington DC. Aktivitetet në fakt kanë nisur që ditën e djeshme, e enjte 19 janar dhe do të vazhdojnë deri të shtunën 21 janar 2017. Momenti kulmor do të jetë momenti i betimit të z.Trump si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që do të zhvillohet në orën 18.00 me orën e Shqipërisë dhe 12.00 ora lokale.
Ceremonia e inaugurimit të Donald Trump si presidenti i 45-të i SHBA do të jetë e shumëllojshme, që shtrihet në disa ditë festimesh, të cilat do të zhvillohen në Washington DC. Ja edhe axhenda e eventeve më kryesore të parashikuara në kryeqytetin e SHBA (oraret janë ato lokale, gjashtë orë më përpara se në Shqipëri):

E enjte, 19 janar

10.35 – Janë parashikuar performancat në Memorialin Lincoln. “Zërat e Popullit”, pjesa e parë e një koncerti që vazhdon gjithë ditën dhe ku marrin pjesë grupe si Departamenti i Zjarrfikësve në Washington DC “Emerald Society Pipes and Drums” (banda e gajdeve irlandeze dhe trumpetave), banda të disa shkollave, kori i kryetifozave, gjithashtu edhe një event celebrimi nga Koalicioni Republikan Hindu, një shoqatë biznesmenësh me origjinë indiane (vendasit amerikanë).

15.30-16.00 – Trump dhe zv/presidenti i zgjedhur Mike Pence marrin pjesë në një ceremoni për vendosjen e një kurore në varrezat kombëtare të Arlington, në nderim të veteranëve të luftës. Gjithashtu, ata do të vendosin kurorë edhe në Varrin e Ushtarit të Panjohur.

16.00-18.00 – Trump merr fjalën gjatë pjesës së dytë të koncertit në Memorialin Lincoln. Fjalimi i tij është nën titullin “Të bëjmë Amerikën të madhe sërish!”. Eventi transmetohet direkt në televizion, parashikon pjesëmarrjen në skenë të yjeve të muzikës country Toby Keith dhe Lee Greenwood. Gjithashtu do të marrin pjesë edhe John Voight, The Piano Guys, DJ Ravidrums, 3 Doors Down dhe Frontmen of Country. Në përfundim do të ketë një shfaqje me fishekzjarre. Është parashikuar që Trump të kalojë natën e së enjtes në “Blair House”, rezidenca e miqve presidencialë që ndodhet përballë Shtëpisë së Bardhë.

E premte, 20 janar

Në mëngjes Trump, Pence dhe familjet e tyre do të marrin pjesë në një shërbesë fetare pranë kishës episkopale të St. John, pak hapa nga Shtëpia e Bardhë. Më vonë presidenti në ikje Barack Obama dhe zonja e parë Michelle do të presin Trump dhe bashkëshorten Melania në Shtëpinë e Bardhë për një çaj. Të dy çiftet do të shkojnë së bashku në Kapitol të shoqëruar nga një rresht i gjatë makinash.

9.30 – Në krahun perëndimor të Kapitolit nisin ceremonitë e inaugurimit me performanca muzikale. Mes pjesëmarrësve do të jenë anëtarët e Kongresit, gjyqtarët e Gjykatës Supreme, diplomatë dhe publik. Në ceremoni do të marrin pjesë edhe ish-presidentët Jimmy Carter, George W. Bush dhe Bill Clinton me bashkëshorten, kandidatja që humbi përballë Trump në zgjedhje, Hillary Clinton. Do të mungojë për arsye shëndetësore ish-presidenti George H. W. Bush. Sopranoja 16-vjeçare Jackie Evancho, finaliste e spektaklit “Amerika’s got talent” (Amerika ka talent) më 2010, do të këndojë himnin kombëtar. Do të marrë pjesë edhe trupa e kërcimtarëve të Rockettes.

11.30 – Hapet ceremonia e betimit. Liderë fetarë bëjnë leximet fetare dhe bëjnë thirrje për lutje. Pence kalon betimin në duart e gjykatësit suprem Clarence Thomas.

12.00 – Trump thotë betimin përpara presidentit të Gjykatës Supreme, John Roberts. Ai do të betohet mbi Biblën e përdorur nga presidenti Abraham Lincoln gjatë inaugurimit të tij dhe gjithashtu mbi Biblën e tij që i është dhuruar nga mamaja më 1955 në përfundim të shkollës së të dielës. Më pas presidenti do të mbajë fjalimin e tij inaugurues.

12.30 – Mbyllja e ceremonisë. Në vazhdim Trump e Pence do të marrin pjesë në drekën e organizuar nga Kongresi amerikan në Kapitol.

15.00-17.00 – Parada inauguruese. Presidenti i ri dhe zëvendësi i tij do të përshkojnë 2.4 kilometrat që ndajnë Kapitolin nga Shtëpia e Bardhë përgjatë Pennsylvania Avenue, të ndjekur nga rreth tetë mijë pjesëmarrës në paradë. Mes tyre do të jenë përfaqësues nga të gjitha trupat ushtarake amerikane, banda muzikore të shkollave të mesme dhe universiteteve, patrulla me kalë, përfaqësues të shërbimit të ndihmës së shpejtë, grupe veteranësh dhe gjithashtu edhe një brigadë traktoresh bujqësorë.

19.00-23.00 – Trump, Pence dhe bashkëshortet do të marrin pjesë në tre ballot zyrtare për inaugurimin, dy prej të cilave mbahen në Ëalter E. Ëashington Convention Center, ndërkohë që e treta do të mbahet në National Building Museum (ndërtesa e Muzeut Kombëtar). Në gjithë Ëashingtonin janë parashikuar një sërë ballosh të tjera.

E shtunë, 21 janar

10.00-11.00 – Trump dhe Pence do të marrin pjesë në një ceremoni lutjesh ndërfetare pranë Washington National Cathedral (Katedralja Kombëtare e Washingtonit).

Artikulli paraprakSynimet perandorake të Rusisë
Artikulli tjetërSi do të jetë fjalimi i Trump si President