Transformimi i makinerisë kibernetike ruse

Andrei Soldatov

Një përkufizim i dobishëm i luftës kibernetike është çdo veprim armiqësor në hapësirën kibernetike që sjell ose është e barabartë me efektin e dhunës së madhe fizike. Përcaktimi nëse një aksion përmbush atë kriter është një vendim që vetëm liderët politikë të shtetit mund ta bëjnë. Ka katër kategori kryesore të kërcënimeve kibernetike ndaj sigurisë kombëtare, secili me një horizont të ndryshëm dhe zgjidhje të ndryshme: lufta kibernetike dhe spiunazhi ekonomik, që janë kryesisht të lidhura me shtetet dhe krimin dhe terrorizmin kibernetik, që janë më së shumti të lidhura me aktorë jo shtetërorë. Kostot më të larta aktualisht burojnë nga spiunazhi dhe krimi, por edhe dy të tjerat mund të bëhen kërcënime madhore gjatë dekadës së ardhshme krahasuar me sa janë sot. Për më tepër, teksa aleancat dhe taktikat evoluojnë, kategoritë fillojnë të mbivendosen.
Pranverën e shkuar, Holanda organizoi Konferencën Globale mbi Hapësirën Kibernetike, që bashkoi rreth 2000 zyrtarë qeveritarë, akademikë, përfaqësues të industrisë e të tjerë. Kjo konferencë shumëpalëshe ishte e fundit nga seritë e përpjekjeve për të krijuar rregulla për të shmangur konfliktin kibernetik.
Kapaciteti për të përdorur internetin për të shkaktuar dëm është provuar tashmë. Shumë vëzhgues besojnë se qeveritë e Amerikës dhe Izraelit ishin pas një sulmi të hershëm që shkatërroi centrifugat në një ndërtesë bërthamore iraniane. Disa thonë se një sulm qeveritar iranian shkatërroi mijëra kompjuterë të kompanisë “Saudi Aramco”. Rusia u fajësua për sulme të mohimit të shërbimit mbi Estoninë dhe Gjeorgjinë dhe Presidenti amerikan, Barack Obama i atribuoi një sulm mbi “Sony Pictures” qeverisë të Koresë së Veriut.
Megjithatë, si çdo fenomen tjetër, edhe lufta kibernetike ndryshon shumë në Rusi. Kur ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov e pyetën për përfshirjen e mundshme të Rusisë në përgjimin e e-mail-eve të Komitetit Kombëtar Demokrat, ai u duk me të vërtetë i çuditur, madje mezi e përmbajti veten për të mos nxjerrë nga goja një fjalë të padenjë. Në fakt, gjëja më e çuditshme për këtë përplasje të papritur ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara është që Lavrovi nuk duket se po luante ndonjë rol të përgatitur më parë. Mesa duket, ai nuk ishte konsultuar për këtë çështje.
Që pas aneksimit të Krimesë, ka ndodhur një ndryshim i papritur në mënyrën se si qeveria ruse trajton çështjet delikate, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Shumë diplomatë perëndimorë kanë vërejtur se Ministria e Jashtme ruse nuk është më përgjegjëse për përcaktimin e politikës që zbatohet për Ukrainën apo Sirinë.
Ndërkohë, brenda vendit, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin i ka zëvendësuar politikanët që mbanin postet më kyçe në zyrat qeveritare me vetë badigardët e tij. Guvernatorët rajonalë janë aq të shtangur nga fushata e spastrimit që ka nisur shtatorin e shkuar, kohë gjatë së cilës janë burgosur plot tre guvernatorë, saqë kanë frikë të bëjnë edhe lëvizjen më të vogël në rajonet që ata do të duhet të kontrollonin dhe drejtonin.
Vetëm Putini dhe rrethi i tij i ngushtë mund të marrin vendime dhe duket se në çdo rast ekziston një pjesëtar i këtij grupi të kufizuar individësh, i cili ka një zgjidhje të gatshme në dorë kur Putini përballet për një çështje të rëndësishme. Sa më delikate të jetë çështja për Kremlinin, aq më drastike rezultojnë të jenë idetë. Për momentin, zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara duket se janë çështja më delikate.
Kandidatja demokrate, Hillary Clinton konsiderohet si një kundërshtare tepër e fortë dhe e pakompromentueshme. Bindja e përgjithshme që duket se qarkullon nëpër Kremlin është se pasi Hillary Clinton të marrë në dorë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, sanksionet kundër Rusisë do të vazhdojnë të qëndrojnë për një kohë të gjatë. Kremlini gjithashtu beson se Clinton, gjatë kohës që ishte sekretare amerikane e Shtetit ka mbështetur protestuesit në Moskë gjatë viteve 2011 dhe 2012. Për Putinin, këto janë arsye mëse të mjaftueshme për t’u hedhur në sulm.
Shumica e sulmeve të Kremlinit përfshijnë komponentët më agresivë kibernetikë: sulmet e mohimit të shërbimit (DOS) kundër shteteve fqinje për t’u dhënë atyre një mësim të mirë; publikimi i bisedave të përgjuara telefonike ndërmjet Victoria Nuland, asistentsekretare e Shtetit për Europën dhe Goeffrey Pyatt, ambasadori i Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, për të provokuar një grindje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Europës gjatë protestave popullore; influencimi i mediave ndërkombëtare për të promovuar qëndrimin e Rusisë lidhur me konfliktin në Ukrainë dhe hakimi i një centrali bërthamor në Ukrainë.
Megjithatë, institucionet ruse përgjegjëse për hapësirën kibernetike – shërbimet e sigurisë kibernetike, kryesisht Shërbimi i Sigurisë Federale (FSB) – kanë rezultuar të ngadalta dhe të ngathëta për t’u adaptuar me botën e internetit që ndryshon pas çdo sekondi që kalon. Në fillim të viteve 2000, gjeneralët rusë ishin ende duke folur për kërcënimin që vinte nga Perëndimi dhe aktiviteti i spiunimit kundër komunikimeve të qeverisë, ndërkohë që kërcënimi i vërtetë që i kanosej Rusisë buronte nga separatistët çeçenë dhe islamistët që përdornin internetin për të mobilizuar njerëzit dhe shpërndarë propagandën e tyre.
Gjatë viteve 2011 dhe 2012, kur rrugët e Moskës ishin mbushur me protestues të mobilizuar nëpërmjet rrjeteve sociale, gjeneralët e Shërbimit të Sigurisë Federale deklaruan publikisht se nuk dispononim mjete për të trajtuar këtë problem. Të gjendur në mes të një krize të panjohur, ata filluan të dërgonin fakse drejt selisë së Vkontakte, rrjeti social më i famshëm i Rusisë, në përpjekje për të frenuar pakënaqësinë popullore që përhapej me shpejtësi në rrjet. Natyrisht, përpjekja e tyre dështoi.
Vitin e kaluar, autoritetet ruse filluan t’i fusnin aktivistët në burg pasi kishin postuar komente kritikuese për Kremlinin, por shumica e tyre nuk arritën të identifikoheshin nga sistemi tepër i infiltruar i përgjimit të rrjetit të internetit në Rusi i njohur ndryshe SORM, por për shkak se ndodheshin prej kohësh në listën e “rebelëve” të krijuar nga degët lokale të policisë, si dhe nga FSB-ja, ose për shkak se ishin spiunuar nga vetë radhët e tyre, një praktikë e vjetër, e cila daton që në kohët e Bashkimit Sovjetik.
Ndërkohë që gjeneralët hezitonin, të tjerë nuk ngurruan të merrnin në dorë situatën. Kur disa studentë të inatosur në Siberi lëshuan një sulm kibernetik kundër faqeve të internetit në Çeçeni në fillim të viteve 2000, zyra e presidentit e trajtoi nga afër situatën dhe shumë pak kohë më pas ka arritur të zbulonte një mënyrë të re për të shfrytëzusr lëvizjet e të rinjve pro Kremlinit: duke ofruar grada dhe dosje për sulmet kibernetike të kryera.
Në prag të luftës në Ukrainë, lëvizje të tjera, përfshirë edhe Nashi dhe Garda e të Rinjve, krahu i të rinjve të partisë politike në pushtet Rusia e Bashkuar, u kthyen në kanale rekrutimi për “fabrikat e sajimit”, trupa të rinjsh që merren me komente në rrjete të ndryshme sociale. Yevgeny Prigozhin mendohet se është vënë në krye të një prej këtyre fabrikave në Shën Petërsburg. Ai është pronar i një restoranti të famshëm me lidhje të ngushta dhe informale me rrethin e ngushtë të Putinit, madje në vitin 2012 ka organizuar eventin e riinaugurimit të Vladimir Putinit.
Si rezultat, edhe pse shërbimet e sigurisë dhe inteligjencës tashmë kanë në dispozicion kapacitete për të zhvilluar aktivitete nga më të ndryshmet kibernetike, shumica e sulmeve në të vërtetë lëshohen nga kanale të tjerë. Sipas raportimeve të shumta, kompania ruse e teknologjisë Qrator, e cila ofron shërbime për të parandaluar dhe lehtësuar sulmet e mohimit të shërbimit (DOS), u kontaktua gjatë verës së kaluar nga Ministria ruse e Komunikimeve. Kompanisë iu kërkua që t’i ofronte ndihmë një specialist me një çështje “delikate”.
Kompania natyrisht ka rënë dakord dhe operacioni i shërbimit të Qrator u kontaktua shumë shpejt nga kreu i departamentit në Rostec. Programuesit të Qrator iu kërkua që të shkonte në Sofje, Bullgari. Në Sofje ai duhet të punonte për të krijuar dhe organizuar sulme të mohimit të shërbimit. Specialisti i Qrator, i cili pretendohet se ka për detyrë të përmirësojë produktin, u shtang kur iu kërkua që sulmin ta testonte kundër faqes zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës dhe mediave liberale ruse. Pasi zbuloi se për çfarë e kishin punësuar, specialisti e la menjëherë vendin e punës dhe u arratis jashtë shtetit, por rasti i tij është i rrallë, pasi të rinj të tjerë, gjeni të hapësirës kibernetike, janë mëse të gatshëm të ndihmojnë qeverinë ruse në lëshimin e sulmeve kundër vendeve fqinje.
Kremlini e di mirë se përdorimi i kontakteve informale dhe marrëveshjeve të fshehta të lidhura përmes shkeljes së syrit nga një zyrtar i lartë i qeverisë, në vend të kanaleve të zakonshme zyrtare, i ofron mënyrën më të mirë për të kryer dhe mohuar çdo lloj veprimi. Kjo i bën veprimet e Kremlinit dhe më pak të parashikueshme. Megjithatë, kjo nuk mund të thuhet se është një strategji e re.
Gazetari Arthur Koestler e ka shpjeguar një herë këtë fenomen në mënyrën më të duhur. Liderët e Rusisë Sovjetike, shkroi ai, “janë tërësisht të papenguar nga faktorë të tillë si opinioni publik, ata qeverisin në një vakum dhe mund të kryejnë çdo pabesi, mund ofrojnë surpriza nga më të ndryshmet për partnerët e tyre në fushën ndërkombëtare. Kjo i jep Rusisë një avantazh të madh në betejat e ardhshme diplomatike: avantazhin e paparashikueshmërisë totale të veprimeve të mëpasshme. Një shtet që lundron pa balastë etike, është shumë herë më i manovrueshëm se ata të shtrënguar nga rregullat tradicionale”.
Megjithatë, kohërat kanë ndryshuar. Kremlini kurrë nuk ka arritur të ndërgjegjësohet se interneti është një fenomen demokratik nga natyra. Interneti nuk është një dhomë virtuale në Jaltë ku Putini luan si Donald Trump kundër Hillary Clinton, siç ka bërë Stalini në Jaltën e vërtetë në vitin 1944 kundër Franklin D. Roosevelt dhe Winston Churchill.
Në ditët e sotme ekzistojnë edhe turmat. Kur DNC vendosi të bënte publike të gjitha informacionet që kishte në dispozicion në lidhje me përgjimet, situata rrëshkiti menjëherë nga duart e Putinit. Sot po shikojnë shpalosjen e një fenomeni të ri që po rezulton si përpjekja kibernetike më argëtuese në botë: ekipe të tëra dhe individë nga e gjithë bota po punojnë për të hakuar hakerët e Kremlinit. Ndoshta nuk është rezultati që priste Putini, por kjo është liria e vërtetë e hapësirës kibernetike.

Artikulli paraprakAnkth e tmerr nga vërshimet në Maqedoni ku humbën jetën 21 veta
Artikulli tjetërSpanja e nis me humbje Olimpiadën