Tragjedi në Durrës, trenjakët 3-vjeçarë digjen në banesë

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e djeshme në Durrës, ku tre fëmijë të mitur kanë humbur jetën, pasi janë djegur të gjallë në banesën e tyre. Policia bëri të ditur se, “ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30 në Rromanat, ku në banesën private të shtetasit Gazmend Konçi ka rënë zjarr”.
Fatkeqësisht brenda në banesë kanë qenë vetëm 3 fëmijët e mitur, trinjakë të moshës 3 vjeç, të cilët kanë ndërruar jetë. Babai i fëmijëve, Gëzim Koçi dhe bashkëshortja e tij, nuk ndodheshin në shtëpi në momentin e rënies së zjarrit.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se, e ëma e viktimave ka dëshmuar se i kishte mbyllur fëmijët vetëm në shtëpi dhe është larguar për punë larg shtëpisë. Kur është kthyer ka parë shtëpinë në flakë.
Ende nuk dihet çfarë e ka shkaktuar zjarrin në banesë, por dyshimet e para të policisë lidhen me faktin se trenjakët mund të ketë qenë duke luajtur me shkrepëse dhe u kanë vënë flakën orendive.
Edhe Inspektoriati Shtetëror teknik konfirmon të njëjtën gjë, duke përjashtuar mundësinë që zjarri të ketë lidhje me bombul gazi. “Nuk ka lidhje me bombul gazi. Kanë qenë të mbyllur në dhomë, dritarja ka qenë me hekura, duke lozur me shkrepse dyshohet se ka ndodhur aksidenti”, saktësuan burime nga Inspektoriati Shtetëror.
Mësohet se zjarri fillimisht u konstatua nga fqinjët, të cilët dëgjuan thirrjet për ndihmë dhe të qarat e fëmijëve, por ndërhyrja e tyre nuk mundi të shpëtonte jetën e fëmijëve. Më pas, mbërritën zjarrfikëset nga Shijaku. Familja Koçi ka edhe dy vajza të tjera veç trinjakëve të seksit mashkull, që mësohet se kanë lindur në Itali. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes për të zbardhur shkaqet e zjarrit.

Dëshmi rrëqethëse

Fqinjët e familjes Koçi në Durrës, ku tre fëmijët e vegjël humbën jetën mes flakëve të zjarrit rrëfejnë dëshmi rrënqethëse. “E kishin thyer derën dhe kishin hyrë brenda kur mbërrita. Unë isha i dyti që u futa brenda, i pari nuk e di se cili ka qenë. Fëmijët i gjetëm pa shenja jete, ishin të asfiksuar”, shprehet njëri prej tyre.
Ndërsa një tjetër banor i Rromanatit thotë se, lajmin tragjik e ka mësuar nga televizioni. “Kur pashë lajmin në televizion erdha. I kam bashkëfshatarë. Dëgjova që kishin ardhur njerëz për t’i dhënë ndihmën e parë, por fëmijët janë gjetur të pajetë”, shprehet ai.
“Do ketë qenë në arë, apo duke u marrë me punë të tjera”, thotë një tjetër banor për të ëmën e fëmijëve. “Britmat e saj i kemi dëgjuar të gjithë, i ka rënë të fikët sa ka mbërritur në banesë”, shprehet dëshmitari tjetër.

 

Artikulli paraprakParlamenti Europian-Ramës: Mos prek Vjosën, shpalle park kombëtar
Artikulli tjetërBarcelona shkatërron Eibar