Tragjedi ajrore, shuhet ekipi brazilian

Tragjedi ajrore në futbollin botëror. Një avion me 81 persona në bord, përfshi dhe skuadrën braziliane të Chapocoenses është rrëzuar dje në orët e para të mëngjesit mbi Kolumbi, afër zonës së Rio Negros teksa po udhëtonte nga aeroporti bolivian i Viru Viru drejt atij të Medelinit, ku do të luante finalen e Copa Sudamericana kundër skuadrës së Atletico Nacional. Pamjet e marra në vendngjarje tregojnë avionin e shkatërruar dhe logon e skuadrës në një prej sendeve të gjetura në vendin e aksidentit. Sipas një komunikate të shpërndarë nga zyrtarët e aviacionit kolumbian, personat e mbijetuar janë pesë, mes të cilëve 3 futbollistë, mbrojtësi Alan Ruschel dhe dy portierët Danilo dhe Jackson Follman.
Nga 81 persona që ishin në bord, nëntë ishin anëtarë të ekuipazhit dhe 72 pasagjerë, ndërkohë që të 76 prej tyre u deklaruan të vdekur. Fillimisht nga trupi i avionit u nxorën të gjallë 6 persona, por njëri prej tyre humbi jetën në spitalin ku u dërguan me urgjencë. Kjo është padyshim tragjedia më e madhe ajrore që përfshin sportin pas asaj të Supergas, së 4 majit 1949 ku humbën jetën të gjithë futbollistët e Torinos së Madh. Imazhi i fundit, që qarkullon për ekipin e Chapocoenses është një video e shpërndarë nga ana e klubit brazilian ku shihen futbollistët teksa po ngjiteshin në avion. Ndërkohë që avioni është zhdukur nga radarët rreth orës lokale 21:33 të mbrëmjes ose 3:33 të mëngjesit me orën e Shqipërisë.
Aktualisht nuk janë bërë ende të ditura shkaqet e rrëzimit, por në atë moment zona ishte përfshirë nga një stuhi e ashpër dhe mendohet se avioni ka humbur menjëherë kuotë si pasojë e turbulencave, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia e problemeve eletrike. Avioni charter i përkiste kompanisë boliviane Lamia. Finalja që Chapocoense do të luante me Atletico Nacional në Medelin ishte rezultati më i mirë historik i klubit brazilian, përpara se kjo ngjarje tragjike të merrte përgjithmonë yjet e këtij ekipi. Kësaj tragjedie i shpëtuan dhe tetë futbollistë të tjerë të skuadrës, të cilët nuk ishin grumbulluar nga klubi për transfertën me Atletico Nacionalin.

Artikulli paraprakTatimet i “vërsulen” me gjoba militantëve të Partisë Demokratike
Artikulli tjetërCoutinho, dëmtimi nuk është serioz