Trafiku i 12 kg kokainë të pastër nga Holanda në Bari, arrestohet shqiptari

Pesë persona, midis të cilëve edhe një shqiptar janë arrestuar nga policia italiane në kuadër të bastisjeve të gjera kundër trafikut të kokainës nga Holanda në Bari. Midis të arrestuarve edhe shqiptari Shkëlzen Daci, 52 vjeç, banues në Modugno. Grupi ka trafikuar sasi të mëdha kokaine për të mbuluar qytetin e Barit.
Lënda narkotike transportohej në makina të drejtuar nga shqiptarët dhe në një rast nga një grua rumune. Nga hetimet e deri tanishme janë sekuestruar 12 kg kokainë e pastër. Ndaj të gjithë të arrestuarve është lëshuar masa e sigurisë arrest me burg nga Gjykata e Barit, ndërsa në aksion u angazhua edhe Policia e Firences si dhe ajo e Puglias.
Hetimet ndaj grupit kanë nisur në vitin 2015, pas një operacioni të kryer nga Policia e Firences, e cila zbuloi trafikun ndërkombëtar të drogës. Gjatë hetimit në atë kohë u bënë tre arrestime në Bari. Më 31 tetor të atij viti, policia ndaloi një çift shqiptarësh në rrugën “Conte Giusso” me 6 kg kokainë, për të cilën ishte paguar paraprakisht 100 mijë euro.
Arrestimi tjetër vjen dy javë më vonë, pranë Torre a Mare – më 15 nëntor, ku përfundoi në pranga një grua shqiptare, në makinën e të cilës u gjetën pesë pako kokainë e paguar më parë me 115 mijë euro. “Droga u transportua nga Holanda dhe ruhet në qytete të ndryshme të Italisë Veriore dhe pastaj nga atje transportohej në Bari”, shpjegoi kreu i skuadrës Annino Gargano.

Artikulli paraprakMotori përplas dy fëmijë në Fier
Artikulli tjetërPër tre vite, 5828 persona të dënuar për energjinë