“Topi i Artë”, ja si ndryshojnë rregullat

Divorci mes revistës “France Football” dhe FIFA-s detyron edhe ndryshimin e rregullave për Topin e Artë, çka do të thotë se edhe skenarët e planifikuar deri tani, mund të ndryshojnë. Pas 6 viteve, revista franceze dhe institucioni më i lartë i futbollit botëror i kanë dhënë fund bashkëpunimit që çoi në unifikimin e trofeut dhe tashmë Topi i Artë do të jetë sërish ekskluzivitet i “France Football”. Tre janë risitë më të mëdha. Lista e re do të përbëhet nga 30 emra dhe jo nga 23, ndërsa trajnerët dhe kapitenët nuk do të votojnë, pasi ata që do të vendosin për fituesin janë gazetarët e përzgjedhur nga revista. Një tjetër risi është se, emrat e tre finalistëve nuk do të bëhen të ditur përpara ceremonisë finale dhe fituesi do të përzgjidhet direkt mes 30 emrave në ditët e fundit të vitit.
Çfarë ndryshon në thelb? Në të shkuarën, vota e gazetarëve ka qenë shpesh herë kontroverse, por edhe e papritur. Ndoshta dominimit të gjatë 8-vjeçar mes Mesit dhe Ronaldos po i vjen fundi, sepse “France Fotball” në të shkuarën ka treguar shpesh herë se Topi i Artë është një trofe që i shkon veçanërisht lojtarëve që kanë dhënë kontribut të madh për skuadrën, ku luajnë dhe në këtë aspekt, një kandidaturë e fortë e këtij viti mund të jetë edhe sulmuesi i Atletico Madrid dhe Kombëtares së Francës, Antoine Griezmann. Sipas “France Football”, tashmë do të nisë një erë e re. Ky do të jetë edicioni i 61 i dorëzimit të trofeut më prestigjoz në aspektin individual, pasi për herë të parë revista franceze e ka organizuar në vitin 1956.

Artikulli paraprakSimeone: Në Barcelonë, e vështirë
Artikulli tjetërFrikë nga Atletiko