Tonelata droge çdo ditë në Itali e Greqi

Tonelata droge për çdo ditë nga brigjet tona drejt Italisë dhe Greqisë. Mëngjesin e djeshëm u bllokua një tjetër gomone me droge nga Guardia di Financa e Salentos në Itali, ndërsa policia greke bllokoi 300 kg kanabis sativa. Policia italiane bëri të ditur se ka sekuestruar 734 kg marijuanë në një gomone në zonën e Leçes. Gomonia ishte nisur nga bregdeti i Vlorës dhe kishte dy motorë prej 250 kuaj-fuqi dhe një tjetër motor rezervë në bord.
Operacioni i sekuestrimit u zhvillua në Torre Chianca në Leçe. Sipas mediave italiane, vlera e drogës së sekuestruar e ndarë në 33 koli arrin në 7 milionë euro nëse do të hidhej në treg. Mediat italiane shkruajnë se, dy skafistët nga Vlora A.P. 43 vjeç dhe G.S. 39 vjeç kanë tentuar që të arratisen, por janë kapur nga motovedetat e Guardia di Financës. Pas arrestimit ata janë dërguar në ambientet e kazermës së Leçes, ku do të merren në pyetje.
Mediat italiane shkruajnë se, më shumë se 7 tonë marijuanë janë zbuluar vetëm në brigjet e Leçes, në Torre Chianca.

Operacioni

Kërkimet e pandërprera nga ana e Departamentit të Policisë Financiare dhe Aerodetare të Barit dhe Tarantos, në agim, zbuluan një gomone të ngarkuar me drogë, e cila ishte drejtuar në tregun e paligjshëm të Salentos, për një shumë marramendëse. Operacioni, i cili ishte delikat edhe për shkak të kushteve të motit e detit, ka ndodhur pikërisht kur është parë gomonia me kriminelët, e cila vazhdonte me një shpejtësi të lartë në drejtim të bregut të Salentos.
Specifikisht, bëhet fjalë për rreth 732 kg, të cilat u gjetën në bordin e një anijeje: ekuipazhi ishte i përbërë nga dy trafikantë të drogës, të dy me kombësi shqiptare, të cilët kanë përfunduar në pranga me kërkesë të Prokurorit Publik të Leçes. Gomonia, rreth 6 metra e gjatë dhe e pajisur me dy motorë jashtë, i cili njëri ishte 250 kuaj fuqi dhe tjetri ndihmës prej 15 kuaj fuqi, është drejtuar drejt Seksionit Operativ Detar të Otrantos dhe është sekuestruar. Nuk ishte e lehtë për të rikuperuar lëndët narkotike, të cilat ishin të paketuara në 33 paketa të madhësive të ndryshme. Këto do t’i kishin sjellë organizatës kriminale më shumë se 7 milionë euro.
Dy persona, në fakt, sapo kanë parë mjetet e shpejta të Policisë Financiare, u përpoqën të ikin në shtrirjen e ujit të Adriatikut. Por ata janë bllokuar, pas ndjekjes në det dhe i janë nënshtruar një kontrolli. Të dy kontrabandistët, përkatësisht 43 dhe 39 vjeç, u arrestuan për posedim dhe trafikim ndërkombëtar të drogës dhe u vendosën në dispozicion të autoritetit gjyqësor. Ata do të përgjigjen për trafik ndërkombëtar të drogës. Që nga fillimi i këtij viti, Policia Financiare ka përfunduar, në Adriatik, të paktën 15 operacione ajrore dhe detare kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, dhe ka vënë nën sekuestrim rreth 6 tonë marijuanë.

R.POLISI

Artikulli paraprakKosova bojkoton takimin e Ramës me Vuçiç
Artikulli tjetërBilanc tragjik nga përmbytjet në Laç