Tjetër vaksinë efektive ndaj COVID-19, mbron 95% dhe prodhohet në SHBA

Një vaksinë e re e prodhuar nga kompania amerikane Moderna që mbron nga Covid-19 është gati 95% efektive. Kompania Moderna ashtu si edhe ajo Pfizer përdorën një qasje mjaft inovative dhe eksperimentale për të hartuar vaksinat e tyre.

Moderna thotë se është një “ditë e shkëlqyer” dhe ata planifikojnë të aplikojnë për miratim për të përdorur vaksinën në javët e ardhshme. Sidoqoftë, këto janë ende të dhëna të hershme dhe pyetjet kryesore mbeten pa përgjigje. Testimet përfshinë 30,000 njerëz në SH.B.A. te cilet moren nga dy doza me kater jave diference. “Efektiviteti i përgjithshëm ka qenë i jashtëzakonshëm … është një ditë e mrekullueshme”, tha Tal Zaks, zyrtari kryesor mjekësor në Moderna, për BBC News.

Ekspertët thonë se ende nuk e dimë se sa do të zgjasë imuniteti pasi vullnetarët do të duhet të ndiqen për shumë më tepër para se të mund të jepet nje përgjigje.

Nuk ka gjithashtu të dhëna se sa mirë funksionon në grupmoshat më të vjetra, të cilët rrezikojnë më shumë të vdesin nga Covid. Sidoqoftë, Zaks i tha BBC të dhënat e tyre deri më tani sugjerojnë se vaksina “nuk duket se e humbet fuqinë e saj” me kalimin e moshës.

Lodhje, dhimbje koke dhe dhimbje trupi u raportuan pas injeksionit në disa pacientë.

“Këto efekte janë ato që ne do të prisnim me një vaksinë që po funksionon dhe nxit një përgjigje të mirë imune”, tha Prof Peter Openshaw, nga Imperial College London.

Të dy vaksinat si ajo e Pfizer dhe e Moderna përdorin të njëjtën qasje të injektimit të një pjese të kodit gjenetik të virusit në mënyrë që të provokojnë një përgjigje imune.

Të dhënat paraprake që kemi parë deri më tani janë shumë të ngjashme – rreth 90% mbrojtje për vaksinën Pfizer dhe rreth 95% për Moderna. Sidoqoftë, të dy provat janë ende duke u zhvilluar dhe numrat përfundimtarë mund të ndryshojnë.

Vaksina e Moderna-s duket se ruhet më lehtë pasi mbetet e qëndrueshme në minus 20C deri në gjashtë muaj dhe mund të mbahet në një frigorifer standard për deri në një muaj.

Vaksina e Pfizer ka nevojë për depo ultra të ftohtë në rreth minus 75 grade celsius, por mund të mbahet në frigorifer për pesë ditë.

Kompania Moderna shpreson të ketë deri në një miliard doza në dispozicion për t’u përdorur në të gjithë botën vitin e ardhshëm dhe po planifikon të kërkojë miratim edhe në vendet e tjera.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është ende duke negociuar me Moderna pasi vaksina e tyre nuk është një nga gjashtë që ka porositur tashmë.

Artikulli paraprakKim: SPAK po lufton edhe krimin edhe korrupsionin
Artikulli tjetërIntegrimi është shërimi nga virusi i autokracisë