Tirana në duart e bandave, grabitet me armë një supermarket

Një grabitje me armë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në kryeqytet. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në rrugën “5 maji”, ku dy persona kanë grabitur një supermarket nën kërcënimin e armëve. Sipas të dhënave të para të marra nga policia, 2 persona të veshur me të zeza dhe të maskuar kanë shkuar pranë marketit me një biçikletë.
Ata kanë hyrë me shpejtësi brenda dhe i kanë drejtuar armën arkëtares. “Paratë shpejt ose të vramë”, kanë kërcënuar autorët. Pasi kanë marrë një shumë parash, grabitësit janë larguar sërish me biçikletë. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, por nuk ka mundur të kapë autorët ndonëse ata janë larguar me një biçikletë. Si në të gjitha rastet e grabitjeve, autorët janë larguar në drejtim të paditur për policinë.
Një ditë më parë u grabit një argjendari në qendër të qytetit të Sarandës. Grabitësit kanë thyer bravën e portës dhe kanë marrë të gjitha bizhuteritë dhe aksesorët me vlerë brenda argjendarisë. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, por nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët.
Grabitje me armë nga maskat janë kthyer në një tmerr jo vetëm për tregtarët e biznesmenët, por edhe për qytetarët e thjeshtë, të cilët ndjehen të rrezikuar nga pasiguria.
Po ditën e djeshme një person është plagosur me thikë tek kryqëzimi pranë “Shkollës së Bashkuar’ në kryeqytet. Mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes disa të rinjve, ndërsa i plagosur ka mbetur Ergys Metolli 23 vjeç. Sipas policisë, konflikti ka ndodhur brenda një banese në një apartament në katin e parë. I plagosuri ka marrë dëmtime të shumta në trup dhe është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, ku paraprakisht mësohet se është në gjendje të rëndë. Ende nuk dihen shkaqet dhe motivet e plota të ngjarjes.

Artikulli paraprakTragjedi në Fier, vret të dashurën dhe më pas veten
Artikulli tjetërKapet në Itali gomonia me 1.6 ton drogë nga Shqipëria