Thirrja për taksa të ulëta…

“Monitor”

Rritja e tatimfitimit, dividendit dhe të ardhurave të tjera nga 10 në 15% dhe kalimi nga taksa e sheshtë drejt niveleve të përshkallëzuara për të ardhurat në mandatin e fundit qeverisës po rezulton të ketë qenë një politikë që nuk solli efekte pozitive. Kjo për dy arsye kryesore:
– Së pari, rritja e taksave dështoi të sillte më shumë të ardhura në buxhet, duke reflektuar një shtim të shmangies së tyre, një rrezik që ekziston gjithnjë sa herë që taksat tentojnë të rriten në një vend, ku evazioni është i lartë dhe kontrolli tatimor e informatizimi, i ulët. Më 2015-n, të ardhurat që mblidhen në buxhet ishin në rënie në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Më 2016-n ato ishin njësoj me vitin 2008, duke mos shënuar asnjë progres dhe duke bërë të pavlefshëm si qëllimin e rritjes së taksave, ashtu dhe të taksimit të drejtë (përshkallëzimi i tatimit mbi të ardhurat në nivele shumë më të larta se rajoni për ata me paga të larta vetëm sa shtoi evazionin). Teksa qeveria kishte marrë një angazhim për konsolidimin fiskal, në mungesë të rritjes së të ardhurave, ajo u detyrua ta bënte këtë në kurriz të shpenzimeve, sidomos atyre kapitale, që në vitin 2016 rezultuan më të ulëtat që nga 1997-a. Këto para të munguara duhet të përdoreshin për të ndërtuar shkolla, spitale apo rrugë. Për më tepër, edhe borxhi nuk u arrit të ulej, por ai vijon të mbetet mbi 70% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) më 2016-n, përkundrejt pritshmërive fillestare për ta zbritur nën këtë nivel.
– Së dyti, shtimi i barrës së taksave për bizneset në një kohë që vendi nuk po kalonte një periudhë të mirë ekonomike, veçse i dobësoi edhe më tej sipërmarrjet dhe frenoi investimet. Dhe duhet theksuar që janë këto të fundit ato që i japin hov punësimit. Të dhënat zyrtare flasin për pak vende të reja pune të hapura (mbi 60% e 120 mijë vendeve të reja që rezultojnë të shtuara zyrtarisht në katër vitet e fundit kanë ardhur thjesht nga formalizimi). Renditja e 100 punëdhënësve më të mëdhenj, publikuar pak kohë më parë nga “Monitor” tregoi se kompanitë VIP nuk po shtonin të punësuarit, përkundrazi po i reduktonin ato, teksa hyrjet e reja mungonin. Kredia, nga ana tjetër, është në ngërç prej mëse tre vitesh.
Ndërsa fushata, si rrallë herë këtë vit është përqendruar fare pak, ose aspak tek ekonomia dhe debatet që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, shoqatat e biznesit, që po anketohen nga “Monitor”, po e thonë fjalën e tyre. Të pyetur lidhur me efektin që rritja e taksave ka dhënë në ecurinë e aktivitetit apo në planet e tyre për investime, të gjithë e pranojnë që ka ndikuar negativisht dhe ka gërryer edhe atë pak “dhjamë”, që mund të kishin krijuar në vite.
Për nivelin e taksave, të gjithë, pa përjashtim, janë absolutisht dakord që ai duhet të jetë të paktën i krahasueshëm me vendet e rajonit, pasi vetëm në këtë mënyrë Shqipëria do të ishte konkurruese në një hapësirë më të gjerë dhe do të tërhiqte më shumë investime. Sot në një treg ku informacioni, mallrat dhe investitorët lëvizin me shpejtësi, Shqipëria duhet të mbajë të njëjtin ritëm, përndryshe rrezikon të mbetet shumë mbrapa. Mesatarja e tatimfitimit në rajon sot lëviz në 9-10%, ndërsa vetëm Shqipëria dhe Serbia e kanë në nivelin e 15% (Serbia e neutralizon disi për tërheqjen e investimeve përmes zbatimit të inçentivave, praktikë që neve na ka munguar). Tatimi mbi pagat e mëdha, deri në 23%, është absolutisht më i larti në rajon, që nuk e kalon 10%. TVSH, në 20% është sërish ndër më të lartat, ndërsa vetëm së fundmi u përshkallëzua TVSH për turizmin në 6%. Edhe sigurimet mbeten sërish kampione mes vendeve të rajonit. E në këtë mjedis taksash të larta, Shqipëria vijon të ketë rendimentin më të ulët fiskal, në rreth 26% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, njësoj me Kosovën që ka barrë fiskale shumë më të ulët sesa tonën.
Të gjitha argumentet shkojnë kundër barrës së lartë fiskale, që nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ndrydhur ekonominë dhe e ka bërë vendin jokonkurrues në raport me rajonin. Nëse vendi nuk ka më shumë potencial për të rritur të ardhurat përtej 26% të PBB-së (për shkak të karakteristikave të saj, si për shembull, pesha e madhe e bujqësisë në PBB, një sektor që mbetet i pataksuar dhe numrit të lartë të të vetëpunësuarve, në rreth 30% të totalit), përvoja ka treguar që ky nivel të ardhurash mund të arrihet dhe me një barrë më të ulët fiskale, që të paktën do të lehtësonte bizneset, do të çlironte investimet, do të nxiste punësimin dhe në afat të gjatë do të rriste rendimentin fiskal.

Artikulli paraprakQarqet ku fushatën e PS e udhëheqin kriminelët
Artikulli tjetërE majta nuk mund të vrasë sërish