Meta thirrje Ramës: Mos luaj me marrëveshjen e 5 qershorit. Nuk e ndaloj të çmendet!

Në komunikimin javor me median, presidenti Ilir Meta, i është përgjigjur edhe pyetjes lidhur mbi pritshmëritë e tij për 30 korrikun e vendosur nga Edi Rama si datë të votimit në Kuvend të ndyshimeve kushtetuese.

Meta tha i bindur para gazetarëve se njeh vetëm një datë, dhe kjo është 5 qershori, dhe nuk njeh asnjë datë tjetër të shpikur kundër interesave të integrimit të vendit.

‘Kush shpik një datë të vetme për interesat e tij, të mos harrojë se ka edhe 31 korrik, ka edhe 2 gusht, edhe nuk ndalon as jeta, asgjë, përkundrazi.

Ka një datë ku ndahen dy epoka, por pastaj nuk ka më rikthim në tryezë, nga ata që përmbysin tryeza, në kërkim të të drejtave të një pakicë, kur ke dhënë shembullin me kriminal që për interesat e tua do të përmbysësh interesat e vendit tënd’, tha Meta.

I pyetur për hapjen e listave 100 % ashtu sikundër u shpreh kreu i Opozitës, Basha, Presidenti Meta tha se, e rëndësishme është që marrëveshja e 5 qershorit nuk duhet të preket.

“Edhe nëse mund të ndërhyhet në ndonjë element të marrëveshjes së 5 qershorit, kjo duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse, madje duke u konsultuar edhe me ekspertët ndërkombëtarë.

5 qershori është një marrëveshje e arritur me ndërmjetësimin ndërkombëtar dhe kjo është një marrëveshje e rëndësishme, e cila nuk duhet të cënohet”, tha Meta.

I pyetur lidhur me paralajmërimin se ndryshimet Kushtetuese mund të miratohen më 30 korrik, Meta tha se nuk ndalon askënd të çmendet, apo të hidhet edhe nga kati i 20.

“Mos harroni se jeta nuk ndalon në 30 korrik, ka edhe data të tjera. Por mos harroni se nuk ka më tryeza, as ka më marrëveshje dhe të drejta pakice, kur ke dhënë shembullin më të keq në këtë drejtim”, tha Meta.

Po ashtu ai konfirmoi edhe faktin se do të dekretojë marrëveshjen e 5 qershorit, fakt që ia kishte bërë të ditur dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë dhe zotit Basha.

“Sot kam takuar ambasadorët e BE dhe Britanisë së Madhe. Para dy ditësh kam takuar ambasadoren e SHBA. Kam shprehur mbështetje të plotë për marrëveshjen e 5 qershorit. Do të bëjë menjëherë dekretimin e ndryshimeve që kanë ndodhur. Dhe së treti, duhet që Këshilli duhet të vazhdojë punën. Për këtë çështje kam takuar dhe kryetarin e PD, Basha, e kam falënderuar për kontributin e marrëveshjes së 5 qershorit. E kam nxitur që mos të bjere pre e provokimeve për t’u larguar nga dialogu. Jam i prerë për çështjen e ndryshimeve kushtetuese. S’do të doja të besoja që dikush do të ndërmerrte një iniciativë të tillë, Do të sillte një penalizm të vendit drejt BE. Për shkak të sabotimit të reformës, për të ndërhyrë në zgjedhje, jo pak është penalizuar vendi me gjithë këto kushte. Cenimi i 5 qershorit është penalizim me pasoja imediate për të ardhmen e Shqipërisë”, tha Meta.

Artikulli paraprakQëndrimi i Koalicionit të Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik: Lista 100 % të hapura!
Artikulli tjetërRama në panik nga humbja e thellë, refuzon kërkesën e Opozitës për listat e hapura 100 përqind