Thibaut Courtois drejt Real Madridit?

Thibaut Courtois vë në pikëpyetje të ardhmen e tij. Për momentin trajneri Antonio Conte është i kënaqur me Chelsea-n e tij, pasi është duke kaluar një moment pozitiv, duke arritur 11 fitore radhazi e njëkohësisht, duke u pozicionuar në krye të tabelës së klasifikimit të Premier League me 43 pikë. Fundi i kampionatit është ende larg por, ankthi ka pushtuar Blutë e Londrës, të cilët për sezonin e ardhshëm rrezikojnë të humbasin gardianin e portës së tyre, Thibaut Courtois, i cili duket se po përgatitet për t’u rikthyer në Spanjë, konkretisht tek Reali i Madridit.
Madje, një lajm i tillë nuk përbën aspak një sekret në kampin e Chelsea, sepse vetë belgu i ka rrëfyer shokëve të tij të skudrës planet që ai ka për të ardhmen. 24-vjeçari, i cili më herët ka qenë pjesë e Atletico Madrid për tre sezone, duke fituar një titull kampion në Laliga, Kupën e Mbretit, Europa League dhe arritur finalen e Champions League është shndërruar  në një emër që ofron siguri në portë, gjithashtu falë këtyre paraqitjeve është bërë pjesë dhe e listës së portierëve më të mirë. Bisedimet mes palëve ende nuk kanë nisur por, një gjë është e sigurt, nëse Los Blancos do të kërkojnë me çdo kusht transferimin e tij, atëherë në dyert e Chelsea duhet paraqitur një ofertë e majme.

Artikulli paraprakDebutim historik në Serinë A
Artikulli tjetërPërforcime dimri