Theresa May siguron mandatet për qeverinë

Orët e fundit të numërimit të votave kanë sjellë edhe qetësinë tek konservatorët britanikë. Kur mendohej se May nuk do të kishte shumicën për të krijuar qeverinë, votat irlandeze i kanë përmbysur këto parashikime dhe i kanë dhënë qeverinë Theresa May. Analizat paraprake europiane kanë qenë kritike ndaj May.
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, thotë se do të punojë me Partinë Unioniste Demokratike (DUP) të Irlandës Veriore, në përpjekjet e saj për formimin e qeverisë, pasi Partia Konservatore e saj e humbi shumicën parlamentare në zgjedhjet e së enjtes.
Këto komente ajo i bëri dje pas takimit me Mbretëreshën Elizabetë, nga e cila kërkoi lejen për formimin e kabinetit qeverisës.
Zonja May nuk e ka specifikuar nëse ajo do të bëjë koalicion formal me partinë DUP ose do të provojë të punojë me të për aranzhimet në të cilat DUP do ta mbështeste qeverinë në këmbim për koncesione.
Partia Konservatore i ka fituar 318 vende në Parlamentin prej 650 deputetëve, tetë më pak se 326 sa duhet për ta siguruar shumicën parlamentare. DUP ka siguruar 10 vende deputetësh. Partia Laburiste opozitare e krahut të majtë i ka fituar 261 vende deputetësh.

Pse e kritikojnë?

Theresa May ishte tepër e sigurt. Ajo e donte mandatin për të formuar një qeveri të fortë dhe për të zhvilluar me forcë bisedimet për Brexit-in. “Fort dhe qëndrueshëm” ishte mantra e fushatës së saj zgjedhore. Por doli se në vend të kësaj ajo provokoi rënien e vet. Votuesit britanikë i treguan asaj gishtin e mesit dhe e zhytën vendin në një krizë të thellë politike.
Konservatorët arrogantë ëndërronin një fitore të madhe para këtyre zgjedhjeve. Një shumicë prej 150 apo 200 votash më tepër se laburistët dhe parashikonin shkatërrimin total të Partisë Laburiste në opozitë. Edhe një herë u bë e qartë se të gjitha sondazhet ishin për t’u hedhur në koshin e plehrave dhe se votuesit kishin ide të tjera. Ata nuk mund t’i fusësh më në modelet e njohura dhe ata i ndryshojnë pa probleme kampet.

Një fushatë elektorale shkatërrimtare
Kjo duhet të ketë qenë fushata më e keqe zgjedhore që ka bërë një politikan britanik për dekada. Theresa May i trajtoi britanikët si fëmijë të papjekur, të cilëve mund t’u diktojë të ardhmen e tyre. Ajo refuzoi të hynte në debate të hapura, iu shmang bisedave me votuesit dhe për çdo pyetje përsëriste të njëjtat fraza të vjetra. Përsëritja e saj si prej roboti e sloganeve boshe bëri që ta thërrisnin “Maybot”.
Britanikët e panë papritmas javët e fundit kryeministren e tyre jashtë rolit të saj të mbrojtur. Ajo u shfaq e mbyllur në grupin e saj të vogël të të besuarve, ajo nuk i beson askujt dhe nuk është në gjendje të dëgjojë kur i flet dikush. May dukej e mpirë, mendjemadhe dhe si një njeri që nuk i kupton shqetësimet e vërteta të njerëzve, për tema të tilla si për arsimin, sistemin shëndetësor dhe financimin e përkujdesjes për të moshuarit. Ajo u shpreh gjatë fushatës elektorale për “një taksë për demencën” me të cilën e kishte fjalën për idenë për t’i shpronësuar të moshuarit që kanë nevojë për përkujdesje. Se si mund të bëjë njeriu një propozim të tillë absurd gjatë fushatës elektorale është e pakuptueshme. Theresa May duhet të ketë një prirje për vetëshkatërrim.

Shefi i laburistëve mjeshtër i fushatës elektorale
Ndryshe nga Theresa May, Jeremy Corbyn bëri një fushatë shumë më të mirë se sa pritej. Kur flet në Parlament ai të krijon shpesh një përshtypje të ngurtë, në bisedë me votuesit, në grupet e diskutimit dhe në tribunat elektorale, ai fitoi, ishte emocionues. Corbyn u shfaq si një politikan që mund t’i afrohesh, i bindur për programin e tij, i pasionuar. Nga një politikan për të cilin edhe vetë partia e tij thoshte, se ai nuk vlen si kryeministër, u bë papritmas një fitues.
Partinë Laburiste e ndihmuan votat e të rinjve. Ata bënë një fushatë të zgjuar në internet dhe arritën efektin e Bernie Sanders: sikurse në SHBA shumë të rinj votojnë për të majtët, sepse kanë shpresa tek premtimet e tyre sociale.

Katastrofa më e madhe politike
Britania e Madhe është mjaft e përçarë. Këtë e dëshmuan edhe këto zgjedhje: veriu me jugun, qyteti me fshatin, të rinjtë me të vjetrit, përkrahësit e Brexit-it dhe të Evropës. Ata vendosin se për kë do të votojnë sipas kritereve të tyre dhe besnikëritë e vjetra, traditat rajonale dhe lidhjet sociale në politikën britanike kanë marrë fund.
Problemi është se sistemi britanik nuk është i krijuar për këtë gjendje politike. Në vende të tjera në raste të tilla mund të krijohen koalicione – kurse në Britaninë e Madhe një Parlament pa shumicë absolute është një qorrsokak. Konservatorët mund të krijojnë fillimisht një qeveri pakice, meqë janë partia më e fortë në Parlament. Po sa e fortë në marrjen e vendimeve mund të jetë ajo në bisedimet për Brexit-in? Fillimi i bisedimeve do të shtyhet derisa të jetë krijuar një qeveri e re.
Kjo duket se është katastrofa më e madhe politike për konservatorët. Theresa May donte vetë që të zhvilloheshin zgjedhje. Përfundimi është e kundërta e asaj që përfytoronte ajo – një situatë “të fortë dhe të qëndrueshme”. Situata është kaotike dhe e ardhmja e pasigurt. Ky është vlerësimi i dytë katastrofal i gabuar i një kryeministri britanik, pas vlerësimit të David Cameronit për të organizuar referendumin për Brexit-in. Si do të vazhdojnë punët në Britaninë e Madhe? Evropa vetëm mund të vërë duart në kokë.

Pse u godit Theresa May?

E ardhmja politike e Theresa May është po aq e vrenjtur sa një ditë e keqe dimri mbi Tamiz. Kështu e përshkruan në editorialin e saj të djeshëm, gazeta franceze e referencës, “Le Monde” fatin e kryeministres konservatore pas zgjedhjeve që u mbajtën këtë të enjte. Në të parat zgjedhje pas referendumit për Brexit kryeministrja Theresa May nuk do të ketë mazhorancë absolute. Partia Konservatore do të ketë 314 deputetë, ndërsa për të “pasur e vetme timonin e qeverisë i duhen 326 mandate”. Kjo garë e parakohshme në Britani, e cila mbahet një vit pas Brexit-it dhe kur vendi po bëhet gati të negociojë modalitetet e daljes nga BE, u provokua vetë nga kryeministrja në detyrë.
Ajo i kërkoi zgjedhjet për të forcuar pozitën e saj për të pasur më shumë legjitimitet në negociata me Brukselin.
Partia “Tory” megjithëse ka humbur rreth dhjetë deputetë në krahasim me zgjedhjet e shkuara qëndron sërish e para dhe ajo mund të bëjë një koalicion të dobët me unionistët e Irlandës së Veriut. Por problem është se pas këtij rezultati, ajo mund të humbasë mbështetjen e fortë në parti, gjë e cila mund të provokonte zgjedhje të reja në shtator.
Sipas analizës që i bëhet në editorialin e “Le Monde”, May humbi si pasojë e fushatës së dobët që bëri, e gjuhës së drunjtë që përdori, por edhe për shkakun se si ish-ministre e Brendshme e qeverisë së David Cameron, ajo kishte marrë reforma për shkurtimin e forcave të policisë. Tani kur Britania është përballur me tri sulme terroriste në dy muaj e gjysmë, një masë e tillë iu kthye në boomerang.
Një rol në rezultatin e dobët të May luajti edhe ringjallja dhe zbutja e rivalit të saj, radikalit të majtë që drejtoi laburistët, Jeremy Corbyn. Këmbëngulja e tij se në këtë periudhë të globalizimit të shpejtë ekonomik dhe të efekteve të tij anësore duhet ndaluar shkatërrimi i shtetit social, zuri vend mes zgjedhësve britanikë.
Kryeministrja e shihte me qesëndi dhe nga lart këtë radikal të majtë që drejtonte laburistët në krizë të thellë identiteti, por këmbëngulja e Corbyn në idetë e tij, i dha opozitës 10% më shumë se nga viti 2015 kur atë e drejtonte i moderuari Ed Miliband.
Të gjithë këta faktorë krijuan klimën për atë që në editorialin e tij të djeshëm “Le Monde” e titullonte si “pranvera e tmerrshme e Tereza May”.

Artikulli paraprakKosova ashpërson masat për zgjedhjet
Artikulli tjetërCikalleshi: Ndaj Izraelit për fitore