Thellohet kriza, rënie drastike e të ardhurave tek ndërmarrjet

Shifrat dhe të dhënat dëshmojnë për thellimin e krizës ekonomike në vend.  Për 5 muajt e parë të vitit, ndërmarrjet shtetërore kanë derdhur në arkën e shtetit një fitim prej vetëm rreth 100 mijë dollarë. Enti Rregullator i Ujit ka derdhur në arkën e shtetit 9 milionë lekë fitime, Qendra Tregtare për zhvillim 2 milionë lekë, ndërsa Ministria e Ekonomisë 1 milion lekë.

Nuk kanë derdhur ende asnjë fitim Fabrika e Pijeve Freskuese, Zyra Qendore e Regjistrimit të Pasurisë, Shkolla e Magjistraturës apo Shtypshkronja e Letrave me Vlerë. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kompanitë apo institucionet shtetërore kishin derdhur 450 milionë lekë fitime, rreth 4 herë më shumë. Në vitin 2014, totali i dividentit arrinte në 504 milionë lekë.

Nga të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave rezulton se 2016-ta është një prej viteve me arkëtimet më të ulëta nga kompanitë në pronësi të shtetit për 6 vitet e fundit. Është 2014-a viti në të cilin ndërmarrjet në pronësi shtetërore kanë derdhur më shumë fitime nga dividenti, me një total prej 1.4 miliardë lekësh, afërisht 12 milionë dollarë. Në vitin 2013 këto fitime ishin 943 milionë lekë, afërisht 9 milionë dollarë.

Nga ana tjetër, kërkesa e bizneseve për kredi ka mbetur thuajse e pandryshuar në tremujorin e dytë të vitit 2016. Bankat raportojnë rritje të kërkesës për ndërmarrjet e vogla e të mesme, ndërsa kërkesa për kredi e ndërmarrjeve të mëdha raportohet me rënie. Kërkesa e bizneseve në tremujorin e dytë, sipas qëllimit të përdorimit, është regjistruar me rritje për kapital qarkullues dhe me rënie për investime. Në tremujorin e tretë të vitit, bankat presin rritje të kërkesës, e cila do të gjenerohet nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Bankat vlerësojnë se kërkesa e bizneseve për kredi është nxitur nga nevoja për financim për kapital qarkullues edhe për financim të investimeve.

Vendimet e Bankës së Shqipërisë dhe mungesa e financimeve alternative e kanë ndikuar gjithashtu pozitivisht këtë kërkesë. Nga ana tjetër, situata makroekonomike në vend gjatë këtij tremujori është perceptuar me ndikim negativ në kërkesën e bizneseve për kredi. Afërsisht 100% e bizneseve mendojnë se, forcimi i masave shtrënguesve dhe gjobave super të larta në nëntor të vitit të kaluar i hapi rrugë korrupsionit e abuzimeve, përkeqësoi klimën e biznesit, rriti stresin e bizneseve dhe harxhoi një pjesë të mirë të energjive të bizneseve për përmbushjen e kritereve, por pa krijuar kushtet e favorshme që implementimi i ligjit të ishte optimal. Nëse masat ndëshkuese me gjoba dhe kontrolle të shpeshta fizike do të riktheheshin, 100% e bizneseve kanë pohuar se do të reagonin në masë, duke mbyllur aktivitetin të paktën me letra.

Këto rezultate kanë dalë nga një studim shkencor mbi efektet dhe implikimet e ligjit për Procedurat Tatimore që zhvilloi “Nisma Thurje” me mbështetjen e Perform (Performing and Responsive Social Sciences, është një projekt i financuar nga SDC dhe i implementuar nga HELVETAS Sëiss Intercooperation, në bashkëpunim me Institutin për Evropën Qendrore dhe Lindore të disa fakulteteve të Universitetit të Fribourgut.) Pjesë e hulumtimeve ishte edhe anketimi i 100 bizneseve në qarqet kryesore të vendit, të cilat kanë pohuar se, ligji aktual i procedurave, lë vend për keqinterpretim nga ana e organeve ligjzbatuese. Problemi i parë, tek i cili bizneset e fokusuara ishte inventari dhe fatura justifikuese e mallit. Problemi i dytë ishte kuponi tatimor dhe anomalitë rastësore në lidhje me të. Problemi i tretë ishte punonjësit e regjistruar dhe të paregjistruar. Lidhur me eksperiencat e tyre, tatimpaguesit tregojnë se në disa raste, ata janë detyruar të shtypin kupon tatimor, edhe në ato periudha kohore që nuk kanë pasur shitje, vetëm për të shmangur keqkuptimet e mundshme me inspektorët tatimorë, të cilët mund të dyshojnë për abuzime nga ana e tatimpaguesve dhe rivlerësojnë xhiron e biznesit.

Mosafishimin i çmimeve të mallrave apo shërbimeve duket të jetë një problem me të cilin mund të abuzohet nga punonjësit tatimorë. Përfaqësuesit e bizneseve deklarojnë, se është pothuajse e pamundur të deklarohen çmimet e një numri shumë të lartë të artikujve dhe në disa raste kjo përbën një mundësi abuzimi nga ana e inspektorëve. Një problem tjetër që kanë hasur bizneset, është në lidhje me  përditësimin e të dhënave, ku mund të përmendim konkretisht vendosjen e gjobave për mospërputhje të adresës së regjistruar të biznesit nga ajo aktuale, brenda një periudhe kohe shumë të shkurtër nga data e ndërrimit të kësaj adrese.

Artikulli paraprakNjë punonjës policie i përfshirë në atentatin me snajper në burg
Artikulli tjetërRefleksion mbi kritikën kundër Sali Berishës