“The Network”, një grup vrasësish kryen në Iran operacione për llogari të Izraelit

Në këtë artikull do të shikojmë se operacioni për vrasjen e gjeneralit dhe shkencëtarit iranian Mohsen Fakhrizadeh, ashtu si edhe operacione të tjera, është kryer nga një network njerëzish që nuk e lë Iranin. Është një grup rezident, i cili ka shumë të ngjarë që punon për llogari të inteligjencës së Izraelit. Veç kësaj, do të kërkojmë të kuptojmë se nga kush është formuar ky grup, pse është thuajse e sigurtë se nuk bëhet fjalë për agjentë izraelianë të infiltruar në Iran.

Le të nisemi nga faktet. Të premten 27 nëntor pak pas orës 2 të drekës gjenerali Fakhrizadeh, që është edhe një shkencëtar me specializim në Fizikë dhe drejtues i programit bërthamor klandestin të Iranit, është vrarë në një pritë në një rrugë me pak trafik afër kryeqytetit Teheran. 4 shkencëtarë të tjerë iranianë të përfshirë në programin e kërkimit atomik u vranë në një fushatë vrasjesh të shënjestruara midis 2010 dhe 2012, por kësaj radhe është ndryshe. Për më tepër, këta u vranë teksa qenë në makinat e tyre personale, në trafik, nga motoçiklistë që vendosnin në gjysmë lartësie një bombë me ngjitës. Në një rast bomba vrau drejtuesin e makinës, por jo bashkëshorten e tij në sedilen ngjitur dhe është kështu që njohim dinamikën e dy prej vrasjeve. Në një rast të tretë motoçiklistët kanë qëlluaar. Në një të katërt, shkencëtari u vra teksa hapte derën e garazhit të shtëpisë nga një bombë e komanduar në largësi që ishte fshehur në një motoçikletë e parkuar aty afër. Por Fakhrizadeh është kreu i programit dhe, qysh kur kanë filluar vrasjet, mbrohet nga truproje dhe lëviz me eskortë të formuar nga shumë makina me xhama të errët që bëjnë lëvizje të paparashikueshme. Niveli i vështirësisë për të kuptuar dhe për ta arritur është shumë më i lartë.

Një Nissan blu shpërtheu përpara makinës së gjeneralit, e dimë nga fotot në vendngjarje. Shikohen skeleti i makinës, shenjat e djegies në asfalt, mbeturinat e shpërndara të gjitha përreth dhe një linjë elektrike që shkon paralelisht me rrugën e dëmtuar. Dikush i qëllon drejtuesit të makinës të Fakhridazeh dhe, nga sa janë afër vrimat në xhamin e përparmë, kuptohet që është një gjuajtës ekspert. Nuk qëllohet me breshëri, qëllon pak goditje të sakta. Prej një fotoje të kryer nga një këndvështrim tjetër shikohet se dikush tjetër është vrarë sapo i dalë nga makina, ndërsa ishte i shtrirë në asfalt – ku dallohen rrjedhjet e gjakut – dhe ka shumë të ngjarë ta kenë qëlluar në kokë. Është ajo që pritet në këtë lloj operacionesh, që duhet të konkludohen me sigurinë absolute e vdekjes së objektivit. Është e mundur që ka ka ndodhur një finale e ngjashme me një ekzekutim: kanë nxjerrë Fakhrizadeh jashtë makine, e kanë identifikuar dhe e kanë qëlluar. Disa dëshmitarë thonë se kanë qenë njerëz të armatosur të zbritur nga një fuoristradë e zezë, të tjerë shtojnë edhe njerëz të hipur nëpër motoçikleta. Gjithçka zgjat pak minuta. Pamje të regjistruara pak kohë më pas nga kalimtarë në distancë të konsiderueshme, domethënë jashtë nga zona e rrethuar që ishte shumë e gjerë, tregojnë rrugën e bllokuar dhe një helikopter të Gardianëve të Revolucionit që ulet dhe më pas ngrihet. Grupi i zjarrit është zhdukur sikur nuk ka qenë. Siç ndodh nganjëherë në këto prita, nuk ekziston as gjetja e mëpasme e makinës dhe motoçikleta të djeguar në ndonjë vend të izoluar.

Lajmet nga Irani na vijnë të filtruara nga vetë aparati i sigurisë dhe i propagandës që në janar provoi për 3 ditë të mohojë se kishte rrëzuar me dy raketa një avion pasagjerësh me 176 persona në bord dhe vrasjen e gjeneralit – shkencëtar është një shuplakë për regjimin, kështu që qarkullojnë versione të ndryshme dhe konfuze për ta shpjeguar se çfarë ka ndodhur. Fillimisht u fol për një atentatorë vrasës dhe u tha se Fakhrizadeh është transportuar i gjallë në spital, por janë informacione pak të besueshme. Dy ditë më pas, agjencia FARS, e lidhur me Gardianët, thotë se ateentati është kryer nga një robot i kontrolluar në largësi, që do të qëllonte nga Nissan blu dhe më pas do të vetëshkatërrohej. Atentati i terroristëve ekstremistë apo vrasja e paparashikueshme superteknologjike janë histori që tentojnë të mbulojnë një realitet të qartë njerëzve të sigurisë në Iran: ka një grup sabotatorësh që punon brenda vendit për llogari të Izraelit dhe arrin të përfundojë me sukses operacione shumë të dëmshme për regjimin.
Sot, atentatet ndaj subjekteve në lëvizje mund të jenë dy llojesh. Atentatet oportuniste, në kuptimin që shfrytëzojnë rrethanat të cilat krijohen në moment: grupi i zjarrit arrin automjetin – shënjestër dhe qëllon kur sheh se janë krijuar kushtet e duhura. Modeli është ai i vrasjes së gjeneralit të karabinierëve Carlo Alberto Dalla Chiesa në Palermo shtatorin e 1982, ku dy mafiozë në motoçikletë e ndoqën dhe arritën makinën e eskortës, ai prapa qëlloi me një automatik kallashnikov nëpërmjet dritares ndaj një polici, ndërsa po në të njëjtin moment vrasësi tjetër në bordin e një makine që kishte ardhur me shumë shpejtësi vepronte njëlloj kundër gjeneralit dhe bashkëshortes së tij.

Ose atentati planifikohet paraprakisht në një vend fiks, pasi grupi i zjarrit ka avantazhin që disponon informacione të besueshme. Në këtë rast të dytë modeli është atentati i Capaci, kur mafiozët pritën kalimin e gjykatësit Giovanni Falcone e të eskortës së tij dhe hodhën në erë një copë autostrade. Të dy shembujt janë marrë nga histori mafieje pasi dinamika është e ngjashme, ka një territor që teorikisht është nën kontroll, por gjëra të papritura mund ta përmbysin situatën dhe raportet e forcës për pak minuta.

Atentati i të premtes së kaluar i përket kategorisë së dytë dhe, për pasojë, plotëson një seri të tërë kushtesh: grupi i zjarrit e dinte përpara kohe rrugën që do të bënte gjenerali, kishte përgatitur një autobombë për të bllokuar në një pikë të paracaktuar karvanin e makinave dhe të kapte në befasi truprojet, ishte i përgatitur për një përleshje me zjarr dhe ishte e shumtë në numër sa të fitonte, është zhdukur pa lënë gjurmë sepse ishte e përgatitur paraprakisht – dhe nuk është zhdukur në mes të errësirës, por në një zonë që është 20 kilometra larg nga kryeqyteti Teheran. Ose, versioni numër dy, Nissan i hedhur në erë përpara makinës së gjeneralit i përkiste eskortës së tij dhe, për pasojë, është goditur nga një bombë e fshehur në pragun e rrugës dhe kjo do ta forconte idenë e një operacioni të përgatitur paraprakisht në një pikë specifike. Kuptohet se pse dalin “lajme” për robotë vrasës fantashkencorë, për të shmangur figurën e keqe e një aparati sigurie që edhe një herë akoma rezulton i dobët.

Ky rrjet vrasësish është shumë aktiv po ta gjykosh ngga lajmet që gjenden lirshëm nëpër media. Më 2 korrik, një shpërthim shumë i fortë ka shkatërruar një ndërtesë për kërkimin bërthamor në Natanz, vendi më i madh i llojit të tij në Iran për pasurimin e uraniumit. Vetë qeveria, pas është luhatur, ka pranuar se është bërë fjalë për një sabotim pasi imazhet e marra nga jashtë tregojnë se forca e shpërthimit vjen nga brenda. Dikush ka vendosur një bombë brenda ndërtesës. Pak më shumë se një muaj më vonë, pasi në të gjithë vendin është verifikuar një sekuencë shpërthimesh misterioze, por që janë të vështira për t’u inkuadruar pasi lajmet janë me pikatore, një komando me motoçikleta ka vrarë Abu Mohammed al Masri, numrin dy të al Qaedas, teksa ecte me Renault e tij të bardhë në rrugët e Teheranit.

Një shembull tjetër: në janarin e 2018 një skuadër vjedh nga një kasafortë në kryeqytet 500 kilogram dokumenta letër dhe elektronikë që formojnë arkivën e projektit bërthamor klandestin të Iranit dhe pastaj i nxjerr jashtë vendit. Ka të ngjarë që operacione të tjera nuk e arrijnë pragun e vëmendjes së mediave dhe është e mundur që pjesa më e madhe e aktiviteteve të jetë shumë më diskrete dhe konsiston parasëgjithash në mbledhjen e informacioneve. Në këtë pikë është kuptuar se aktivitetet e këtij grupi brenda Iranit janë tashmë të vështirë për t’u çuar përpara për iranianë që e flasin farsishten me theksin natyral e kujt ka lindur në Iran, që e njohin për mrekulli territorin dhe dinë sesi të lëvizin. Kjo e përjashton hipotezën që të jenë agjentë izraelianë nën koperturë. Të gjithë e kanë parë serialin “Fauda” që tregon për aventurat e një skuadre të infiltruarish izraelianë që vepron në territoret palestineze, por është një realitet krejtësisht tjetër: arabët – izraelianë janë shumë, të mësosh pak arabisht sa për ta kuptuar është e mundur dhe misionet zhvillohen 10 kilometra larg nga Izraeli.

Të qëndrosh në Iran dhe të shtiresh si iranian për një periudhë të gjatë kohe do të ishte vërtet e vështirë dhe, për ta thënë thjesht, sot nuk është më e mundur të gjenden mjaftueshëm njerëz me këto karakteristika. Veç kësaj, këto aktivitete janë masive, kërkojnë një periudhë të gjatë përgatitjeje dhe pritjeje të momentit të duhur. Survejimi i kasafortës që mbronte arkivin bërthamor zgjati më shumë se një vit. Bëhet fjalë për një grup që jeton në Iran dhe nuk lëviz. Natyrisht që nuk ekzistojnë informacione lidhur me këtë network sabotatorësh të inteligjencës izraeliane, por është e mundur të krijohen skema duke filluar nga copëza lajmesh të dala në këto vite. Ashtu si me vrimat e zeza, që nuk mund të shikohen, por që mund t’u nuhatet prania pasi kurbëzojnë fushën gravitacionale përreth tyre.

Në janarin e 2011, një artikull i së përditshmes franceze “Le Figaro” citonte një “burim sigurie” jo të mirë identifikuar në Bagdad të Irakut, që theksonte se kishte njerëz të inteligjencës izraeliane në Kurdistanin iraken, që atëhere ishte një rajon gjysmëautonom pak i kontrolluar nga qeveria irakene. Kurdistani kufizohet me Iranin – është një kufi shumë “poroz” siç thuhet zakonisht në artikujt e gazetës, që do të thotë se kalon gjithçka. Siç dihet, pakica kurde jeton në kapërcyellin e 4 vendeve: Iranit, Irakut, Turqisë e Sirisë dhe ka lëvizje midis katër sektorëve – kur është e mundur. Sipas gazetës, izraelianët në Kurdistanin iraken rekrutonin agjentë midis kurdëve iraanianë dhe i stërvisnin për spiunazh e sabotazh si pjesë të fushatës klandestine kundër programit atomik të Iranit – përfshi vrasjet e shënjestruara e shkencëtarëve iranianë. Burimi thoshte se ajo fushatë praktikisht drejtohej nga Kurdistani. Edhe për ta reduktuar, është e lehtë të shikohet sesi kurdët janë të specializuar në kalimin dhe në kontrabandën që zhvillohet në këtë pjesë të kufirit. Kush shkruan, një vit më parë në Irakun e veriut ka dëgjuar një banor nga Erbil të mburret kështu: “Nëqoftëse gjatë udhëtimit nuk hap gojë, mund të të çoj deri në Teheran”. Pakica kurde në Iran është e kokëshkretë dhe gjatë valës së fundit të revoltave, një vit më pparë, është ndëshkuar me mizori të veçantë.

Në tetorin e 2013, “Washington Post” botoi një artikull të David Ignatius, një komentator amerikan zakonisht i mirëinformuar, që tregonte për një rast të ndodhur një vit më parë: inteligjenca turke për t’i bërë një lojë Izraelit i kishte zbuluar inteligjencës së Iranit identitetin e 10 iranianëve që takoheshin me kontaktet e tyre të spiunazhit izraelian në territorin turk. Praktikisht, në prillin e 2012, Irani kishte njoftuar shkatërrimin e një rrjeti spiunësh iranianë për llogari të Izraelit, me 15 arrestime. Ignatius shkruan se izraelianët qenë të vetëdijshëm se kundërpiunazhi i Turqisë është gjithmonë shumë aktiv, por nuk e prisnin këtë lloj aksioni armiqësor nga ana e turqve. Në atë kohë administrata Obama vendosi ta injorojë të gjithë ngjarjen. Ka edhe një drejtim tjetër ku të shikohet dhe ky është Azerbajxhani, vendi i vogël në kufirin verior, gjithmonë në udhëkryq midis raporteve të përzemërta me Izraelin dhe ato të fqinjësisë së mirë më Iranin. Ka një komunitet të madh azerësh me shtetësi iraniane (më shumë se 20 milion njerëz) dhe disa prej tyre bëjnë ecejake midis Teheranit dhe tokës së tyre të origjinës. Gjëja që ka tërhequr më shumë dyshime dhe e ka nervozuar regjimin vitet e kaluara, edhe pse azerët janë sigurisht pakica më mirë e integruar e vendit, ndoshta sepse edhe ata janë të besimit shiit.

Në shkurtin e 2012, Ministria e Jashtme iraniane ka thirrur për dy herë në harkun e 17 ditëve ambasdorin azer në Teheran për të protestuar – dhe për të dyja herët qëndronte Izraeli. Herën e parë regjimi iranian e ka akuzuar Azerbajxhanin se ndihmonte inteligjencën izraeliane në fushatën e vrasjes së shënjestruara së shkencëtarëve të tij bërthamore – vrasja e fundit i përkiste rreth një muaji më parë. Herën e dytë iranianët i kanë kërkuar ambasadorit azer arësyen e një marrëveshjeje për blerjen e teknologjisë ushtarake izraeliane me një vlerë prej 1 miliard e gjysmë dollarësh, përfshi avionë, dronë dhe një sistem mbrojtjeje raketore, që sapo ishte lajmëruar. Marrëveshja e shitblerjes parashikonte edhe vajtjen në Azerbajxhan e një grupi ekspertësh izraelianë për të shërbyer si konsulentë, pak orë rrugë larg nga kufiri iranian (pjesërisht, janë të njëjtat armë të para në veprim në konfliktin e kohëve të fundit kundër Armenisë në Nagorno-Karabakh).

Ky është konteksti dhe për pak kohë do të jetë e vështirë që të arrihet të mësohet më shumë. Irani, domethënë një regjim që krijon e financon milici në vendet fqinje për ta zgjeruar hegjemoninë e tij në Lindje të Mesme, duhet të ruhet nga një grup sabotatorësh me pashaportë iraniane. Çdo ditë, anëtarët e këtij grupi i shmangen gjuetisë së njeriut të urdhëruar në mënyrë permanente nga regjimi dhe nuk dinë, pasi nuk e di askush, nëse kjo situatë është e destinuar të zgjasë edhe për sa akoma.
(nga Il Foglio)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakEksperti italian tregon se kur ndihet ndikimi i vaksinës kundër Covid-19
Artikulli tjetërFoto/ Çfarë po nodh në spitalet e Covid? Ambulancat presin në radhë, familjarët qese me ushqime për të shtruarit në spital