“The Guardian”: De Biasi shpalos objektivin e Shqipërisë

Kualifikimi historik i Shqipërisë në ‘Euro 2016’ ka kthyer vëmendjen e shumë mediave të mëdha ndërkombëtare tek lojtarët dhe trajneri italian De Biasi. Gjatë një interviste për “The Guardian”, strategu italian theksoi sërish se në Francë nuk shkon për turizëm, por për të bërë surprizën e madhe.
59-vjeçari e mori në dorë kombëtaren shqiptare para katër viteve e gjysmë dhe përparimi i Shqiponjave është i madh, shkruan “Scorescan”.“Kryesorja për mua në dy vitet e para ka qenë që të gjej lojtarë të rinj, gjithmonë me kualitet të lartë. Mentaliteti shqiptar është ndryshe nga ai i Italisë veriore, ku ne çdo gjë e bëjmë me përpikëri dhe precizitet. Prandaj dhe kam dashur që të fokusohemi më shumë në synimin tonë. Do të përgatitemi në maksimum dhe nuk do të injorojmë asnjë detaj. Nuk dua që të jemi turist në Francë”, u shpreh De Biasi.
De Biasi shtoi se kombëtarja ka pësuar evolucion në katër vitet e fundit, duke thënë se është më e mirë edhe në mbrojtje dhe në sulm. “Të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe nuk duhet të jemi euforik si tifozeria kuqezi. Duhet të jemi të përmbajtur për të kërkuar surprizën. Unë gjithmonë i kam menaxhuar këto situata delikate dhe shpresoj që tja dalim më së miri në kampionatin Europian”, përfundoi De Biasi.

Artikulli paraprakKukeli pika kyçe e formacionit
Artikulli tjetërTaulanti: Do ta ndal Granitin edhe nëse do të shkaktoj faull