Thaçi: Është koha për zhvillim ekonomik në Kosovë dhe Ballkan

Presidenti Hashim Thaçi, ka pritur dje një delegacion të kryesuar nga Sekretari Gjeneral i Asociacionit të Odave Evropiane të Ekonomisë dhe Industrisë, “Eurochambres”, Arnaldo Abruzzini, të përbërë edhe nga Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, si dhe nga Kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, me të cilët bisedoi për të arriturat në bashkëpunimin ekonomik rajonal. Presidenti Thaçi u shpreh se ekonomia është çelës për paqen dhe bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë, njofton Presidenca. “Ka kaluar koha e nacionalizmit. Qytetarët duan paqe, zhvillim, mirëqenie”, citohet të jetë shprehur presidenti Thaçi. Ndërkaq, Sekretari Gjeneral i “Eurochambres”, Abruzzini, thuhet të ketë theksuar se bashkëpunimi rajonal është kyç për zhvillim dhe, sipas njoftimit, e përgëzoi presidentin Thaçi për të arriturat e Kosovës dhe rajonit në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit. “Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi se institucionet shtetërore të Kosovës mbështesin nismat për bashkëpunim ekonomik rajonal dhe inkurajoi thellimin e këtij bashkëpunimi”, thotë njoftimi. Po dje, në ceremoninë e përurimit të Qendrës së Trajnimit për Kërkim-Shpëtim në kazermën e FSK-së “Evropianët e rinj” në Pomozotin, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e vlerësoi FSK-në si storie suksesi, ndërsa shtoi se kjo forcë gradualisht po rritet gradualisht në drejtim të mirëmbajtjes së kapaciteteve operacionale. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën se Forca e Sigurisë së Kosovës po forcohet dita- ditës në pritje të transformimit të saj. Në ceremoninë e përurimit të Qendrës së Trajnimit për Kërkim-Shpëtim në kazermën e FSK-së “Evropianët e rinj” në Pomozotin, Thaçi e vlerësoi FSK-në si storie suksesi ndërsa shtoi se kjo forcë gradualisht po rritet në drejtim të mirëmbajtjes së kapaciteteve operacionale. “FSK çdo ditë reflekton zhvillimin dhe ka bërë mirë çdo herë kur ka intervenuar si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës”, tha Thaçi duke iu referuar intervenimeve në situata emergjente në disa raste. Aktualisht, FSK është në përpjekje për transformimin e saj në Forcë të Armatosur të Kosovës, por Kuvendi nuk ka mundur të marrë një vendim për këtë hap tash e më shumë se dy vjet. Në këtë ceremoni, Thaçi nuk përmendi ndonjë afat për transformim kur tha se “FSK është ushtria e ardhshme e Kosovës”. “FSK është tregues më i mirë i karakterit të shtetit dhe shoqërisë tonë duke përfshirë pjesëtarë të të gjitha komuniteteve”, tha Thaçi.

Artikulli paraprakAnkimimet në KPP, në fund të shtatorit arritën 1187
Artikulli tjetërPo mbetjet e mbetjeve ku do të shkojnë?