Tetë të vdekur në një “akt terrori” në New York

Sipas autoriteteve autori i sulmit është Sayfullo Saipov nga Uzbekistani. Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, de Blasio, e cilësoi sulmin si “një akt terrori prej fricakacësh, drejtuar ndaj civilëve të pafajshëm”.
Autoritetet në New York thanë se të paktën tetë persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën, kur një makinë u fut në një korsi biçikletash dhe shtypi çiklistë dhe këmbësorë jo larg Qendrës përkujtimore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Manhatan.
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio e cilësoi sulmin si një akt terrorist. “Ky ishte një akt terrorist, një akt terrori prej fricakacësh, drejtuar ndaj civilëve të pafajshëm”.
Sipas autoriteteve autori i sulmit është 29-vjeçari, Sayfullo Saipov nga Uzbekistani, që ka ardhur në Shtetet e Bashkuara në vitin 2010.
Pasi shtypi kalimtarët dhe u përplas me një autobuz shkolle, drejtuesi i makinës doli duke vringëlluar me sa duket një armë, por që ishte armë lodër.
Sipas dy zyrtarëve të rendit autori i sulmit thirri “Allahu Akbar” me të dalë nga makina.
Policia në New York e arrestoi autorin e sulmit, pasi e qëlloi duke e plagosur.
Guvernatori i New Yorkut Andrew Cuomo, e cilësoi sulmin si veprim të një “ujku të vetmuar”, duke theksuar se nuk ka dëshmi që ai mund të ishte pjesë e ndonjë komploti më të gjerë.
Autoritetet thanë se 6 veta humbën jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë vdiqën më pas nga pasojat e plagëve. Të paktën 11 veta janë dërguar në spital me plagë të rënda.
Një numër i madh makinash të policisë janë në vendin e ngjarjes.
Departamenti i Policisë së New Yorkut u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin zonën.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, tha se Presidenti Donald Trump, është informuar për incidentin.
Presidenti Trump shkroi më pas në rrjetin social Twitter se “duket si një sulm tjetër nga një person shumë i sëmurë dhe me çrregullime”.

Artikulli paraprakThaçi: Mos kërkoni ekspertiza, ratifikojeni Demarkacionin
Artikulli tjetërKatalonjë, “Rajoy nuk do të plotësojë dëshirat e askujt”