Terrori në Rusi, kush fshihet pas sulmit?

Rrethanat e shpërthimit në metronë e Shën Petërburgut flasin për një atentat. Një përvojë e dhembshme, të cilën Rusia e njeh. Sepse lista e atentateve është e gjatë. Vagona të shkretuar metroje, tym, njerëz të mbuluar nga gjaku. Edhe nëse rrethanat vazhdojnë të jenë të paqarta, pamjet e shpërthimit në metronë e Shën Petërsburgut të kujtojnë viktimat e shumta të atentateve të mëparshme – për shembull, para shtatë vjetësh në Moskë. 41 vetë u vranë në fund të marsit 2010, në shpërthime brenda një ore në dy trena metroje. Përgjegjëse ishin dy atentatore vetëvrasëse, të cilat vepronin të ngarkuara nga islamistë të Kaukazit Verior rus.

Gjurmët të çojnë në Rusinë Jugore
Që prej mesit të viteve 1990, metroja e Moskës ka qenë herë pas here objekt i atentateve të përgjakshme. Në vitin 2004, Moska u godit dy herë. Fillimisht, në shkurt një atentator vetëvrasës shkaktoi vdekjen e 41 vetëve të tjerë, kur ndezi një bombë midis dy stacioneve. Pastaj në gusht, një grua e hodhi veten në erë dhe vrau tetë kalimtarë.
Në shumicën e herëve gjurmët e atentateve çojnë te islamistët në Rusinë Jugore, veçanërisht në Republikën e Çeçenisë. Në vitet 1990 Rusia zhvilloi atje dy luftëra kundër separatistëve.

Sulm kundër metropolit të kulturës
Atentatet me një numër të madh viktimash ka disa vjet që kanë ndodhur. Në fund të vitit 2013, një valë terroriste prej sulmesh tronditi qytetin e Vollgogradit. Në shpërthime në autobusë dhe në stacionin kryesor të trenit e humbën jetën 40 vetë. Në janar 2011 një atentat me një numër të ngjashëm viktimash u krye në aeroportin e Moskës “Domodedovo”.
Shën Petërburgu, qyteti i lindjes të Presidentit rus, Vladimir Putin deri tani kishte mbetur i paprekur. Kjo tani i përket së shkuarës. Presidenti Putin madje ndodhej në qytet, kur shpërtheu njëri nga vagonët e metrosë.

Moska i merr seriozisht kërcënimet
Misioni në Siri ishte mesa duket motivimi i vrasësit të ambasadorit të Rusisë në Turqi, në dhjetor 2016. Ambasadori Andrej Karlow u vra në një ekspozitë nga një punonjës turk i sigurisë. Shteti Islamik e ka kërcënuar Rusinë tashmë me atentate dhe Moska mesa duket i merr shumë seriozisht këto kërcënime. Shërbimi i fshehtë i brendshëm, FSB raporton herë pas here për arrestimin e të dyshuarve si ekstremistë dhe për atentate të penguara.
Kështu, në nëntor 2016 u arrestuan në Moskë dhe në Shën Petërburg dhjetë të dyshuar me lidhje me IS, të cilët u tha se kishin planifikuar atentate natën e ndërrimit të viteve. Pak më parë, autoritetet ruse arritën të pengojnë një atentat të Shtetit Islamik në Nishnij Novgorod. Vetëm pak ditë më parë, në fund të marsit, luftëtarë çeçenë sulmuan një bazë të gardës së Rusisë, një njësi e policisë e krijuar në vitin 2016. U vranë gjashtë ushtarë dhe gjashtë sulmues.

Atentatori i Shën Petërburgut me origjinë nga Kirgizia
Komisioni hetimor rus dhe Ministria e Brendshme janë shprehur një ditë pas shpërthimeve në metronë e Shën Petërburgut, se ishte një atentat vetëvrasës. Ata pohojnë se lënda shpërthyese “duhet të jetë aktivizuar nga një person, pjesët e kufomës së të cilit janë gjetur në vagonin e tretë të trenit”.
Shërbimi Informativ i ish-republikës sovjetike, Kirgizi po ndihmon autoritetet ruse në hetimet për atentatin në metronë e Shën Petërburgut. Duket se autori është një kirgiz i ri me gjasë edhe me pasaportë ruse, bëri të ditur shërbimi sekret në kryeqytetin Bishkek. Edhe hetuesit rusë kanë dyshime për këtë person si autor i tragjedisë në metro.
Një zëdhënës i Shërbimit Informativ të Kirgizisë i tha agjencisë “AFP”, se atentati është kryer nga i ri Akbarshon D., që ka lindur në vitin 1995 në qytetin Osh në jug të Kirgizisë. Ndërsa agjencia e lajmeve “Interfax”, duke iu referuar qarqeve të sigurisë u shpreh se autori ka pasur lidhje me qarqet radikal-islamiste të ndaluara në Rusi.
Ndërkohë pas sulmit në metronë e Shën Petërburgut numri i viktimave është rritur në 14 vetë, sipas të dhënave zyrtare. 11 vetë humbën jetën në vendngjarje, ndërsa tre të tjerë ndërruan jetë pas dëmtimeve në spitale apo ambulanca, bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë, Veronika Skvorzova.

Reagime të tronditura
Presidenti Putin, i cili në kohën e atentatit ndodhej në Shën Petërburg u shpreh se hetimet po zhvillohen në të gjitha drejtimet. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e dënoi aktin si “një sulm terrorist barbar dhe frikacak”. Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave. Ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump dënoi aktin dhe në një telefonatë me presidentin Putin ofroi mbështetjen amerikane. Ai shprehu hidhërimin e thellë për humbjen e jetëve të njerëzve dhe i ofroi familjeve të viktimave dhe popullit rus ngushëllimet më të sinqerta.
Kancelarja Merkel u shpreh po ashtu e tronditur në një telegram drejtuar presidentit Putin. Ndërsa presidenti gjerman, Steinmeier deklaroi në Berlin se i ndjek me hidhërim dhe tronditje lajmet që vijnë nga Shën Petërburgu.

Artikulli paraprakTusk: Të zgjidhet menjëherë kriza në Maqedoni
Artikulli tjetërVlora dhe Gjirokastra, epiqendra e kultivimit të drogës