Terror e manipulim në votimin për Dekanin e Fakultetit të Filologjisë

 

Votimet për zgjedhjen e dekanit në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës u zhvilluan në terror dhe presion ndaj pedagogëve dhe studentëve. Ky terror dhe presion është zhvilluar me porosi nga lart, pasi Rama kërkon të kapë edhe Universitetet. Dy ditë para se të votohej për zgjedhjen e dekanit, individë që nuk kishin asnjë lidhje me Universitetin të mbështetur nga segmente të PS kërcënonin dhe u bënin presion nëpërmjet telefonit pedagogëve e studentëve që të votonin për kandidatin e preferuar nga PS. Ndërsa ditën e votimit presioni ka qenë edhe më i madh ndaj studentëve. Denoncimet janë bërë nga studentë të ndryshëm, të cilët janë shprehur se kanë marrë telefonata kërcënuese për të votuar për Laçin.
Procesi i votimit për zgjedhjen e dekanit të Filologjisë ka nisur ditën e enjte, por për shkak të situatës së krijuar u ndërpre rreth orës 02:30 të mëngjesit për të rifilluar në orën 10:00 të ditës së djeshme.
Deputeti i PD, Luçiano Boçi, publikoi dje në faqen sociale Facebook disa sms kërcënuese që u ishin drejtuar pedagogëve dhe studentëve ditën e votimit që të votonin kandidatin Sabri Laçi. Boçi shkruan se, votimet për dekanin në Fakultetin e Histori-Filologjisë janë manipuluar dhe janë zhvilluar nën presion. Për t’u zgjedhur dekan ishin dy kandidatë, Sabri Laçi dhe Aljula Jubani. Mësohet se Laçi është shpallur fitues me rreth 50% të votave. Boçi shkruan se, votat janë marrë me kërcënime e joshje.
“Manipulime, presione e dhunë në zgjedhjet për Dekan në Fakultetin e Histori-Filologji. “Tren bullgar”, joshje, votim i pedagogut tek kutia e studentit e anasjelltas. Zgjedhje katrahurë dhe të turpshme. Kjo ishte situata ditën e votimit, sipas të gjitha deklarimeve që bëhen”, shkruan Boçi.
Deputeti i PD shprehet se në lojë për manipulimin e votimeve ka qenë edhe njëri nga kandidatët i cili ka qenë i komanduar si dekan dhe i ka thirrur në zyrë pedagogët dhe u ka bërë presion që të votojnë për të. “Në lojë dhe një nga kandidatët, i cili me “fuqinë e pozicionit” si i komanduar më parë, thërret një nga një ato që i konsideron staf apo mbështetës të kundërshtarit”, shkruan Boçi, i cili ka publikuar edhe sms-të kërcënuese që u janë bërë pedagogëve e studentëve.
Presioni dhe manipulimi i zgjedhjeve për dekanin e Fakultetit Histori-Filologji është denoncuar edhe nga vetë Kryetarja e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve në UT, Majlinda Keta. Keta e cilëson të paprecedentë situatën në këtë Fakultet, teksa shton se dy kandidatëve në garë iu është kthyer përgjigje zyrtare lidhur me pretendimet për intimidim të votës.
“Për herë të parë ne kemi një precedent të agresivitetit në bërjen e zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës, as në zgjedhjet e mëdha të 2016 dhe as në ato të përsëritura në janarin e këtij viti nuk ka pasur precedent të agresivitetit, ku pjesa organizative dhe menaxhimi i brendshëm ka kërkuar një monitorim çast pas çasti nga të katër anëtarët e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve. Për analizën e shkaqeve të kësaj pamje që del jashtë standardit të UT, KIZ do të shprehet me një raport drejt instancave përkatëse”, u shpreh Keta.
Edhe këtë herë pjesëmarrja e studentëve në procesin e votimit ka qenë e ulët, në nivelin 30%. “Për mua vazhdon të jetë një pikë kritike, shumë kritike e sjelljes demokratike në institucionin universitar të vetë studentëve. Për më tepër, për herë të parë ne kemi raste të denoncuara nga vëzhguesit për keqpërdorimin e studentëve dhe përdorimin e materialeve dhe dokumentave zyrtare në dorë të studentëve, në favor apo disfavor të kandidatëve që konkuronin atje”, tha Keta.
Përpjekjet e Ramës për të kapur edhe Universitetet kanë qënë të vazhdueshme. Në garën për zgjfhjen e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Rama angazhoi bandën e Shullazit për të terrorizuar dhe kërcënuar kandidatin Koni. Me porosi të Ramës Shullazi kërcënoi Akademikun Mynyr Koni, duke i kërkuar atij të tërhiqej nga gara për postin e Rektorit, pasi në të kundërt do t’i rrëmbente atij djalin. Përballë Konit, kandidonte Klodeta Dibra, këshilltare e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak, e mbështetur fuqimisht nga Rama. Denoncimi u bë në atë kohë nga ish-Kryeministri Berisha në një konferencë shtypi të posaçme.

Si Shullazi kërcënoi akademikun Koni të tërhiqej nga gara për Rektor

Në prill të vitit 2016, kapobanda Emiljano Shullazi kërcënoi Akademikun Mynyr Koni, duke i kërkuar atij të tërhiqej nga gara për postin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, pasi në të kundërt do t’i rrëmbente atij djalin. Përballë Konit, kandidonte Klodeta Dibra, këshilltare e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak, e mbështetur fuqimisht nga Rama. Denoncimi u bë në atë kohë nga ish-Kryeministri Berisha në një konferencë shtypi të posaçme.
Shullazi i ka kërkuar Profesor Konit që për të mos vënë jetën e tij në rrezik, të mos denoncojë e flasë për kërcënimin. Por kërcënimi s’ka mbetur me kaq. Po me porosi të Ramës, një ditë, pasi kërcënoi Profesor Konin, Shullazi bashkë me bandën e tij, ka ndaluar me makina të blinduara tek Sheshi “Nënë Tereza”, Dhori Kulen Rektorin, në atë kohë Rektor i Universitetit të Tiranës, duke i kërkuar të heqë dorë në mënyrë kategorike nga çdo mbështetje ndaj akademikut Koni, përndryshe familja dhe jeta e tij do të vihen nën shënjestrën e bandës.
Berisha deklaroi gjatë konferencës për shtyp se, Edi Rama, për zgjedhjet në Universitetin e Tiranës ka ngarkuar Emiljano Shullazin, për të përcaktuar se kush duhet të jetë rektor i Universitetit të Tiranës. Në zbatim të porosive të Edi Ramës, Emiljano Shullazi ditën e enjte ndalon njërin nga kandidatët, se nuk e di sa janë, akademikun e nderuar, Profesor Mynyr Koni, i cili është tek Shkencat e Natyrës, por nuk e di cila është fusha e Mynyr Konit. Një gjë dua të siguroj shqiptarët, që në memorien time ky person nuk ka pasur kurrë një lidhje me Partinë Demokratike. Kryebanditi Emiljano Shullazi i kërkon Profesor Mynyr Konit të tërhiqet nga gara ose do t’i rrëmbehet djali dhe i thotë se po fole ke kokën. Banda e Emiljano Shullazit me tri makina të blinduara, se sot në Shqipëri qarkullojnë me makina të blinduara vetëm Edvin Shullazi dhe Emil Shullazi, se makinat e blinduara përveçse në raste shumë të veçanta janë të ndaluara, por Emili ka tre, ka ndaluar në mes të Sheshit “Nënë Tereza”, me tri makina, rektorin aktual të universitetit, i cili e dorëzon detyrën, Profesorin e nderuar Dhori Kule dhe i kanë kërkuar në mënyrë kërcënuese, ultimative, që t’i heqë çdo mbështetje Mynyr Konit”, deklaroi atëherë Berisha.
Me gjithë terrorin dhe presionin e bandës së Shullazit ndaj kandidatit Koni, ai fitoi zgjedhjet me një diferencë shumë të madhe përballë Klodiana Dibrës, që mbështetej nga Rama dhe Shullazi.

Artikulli paraprakPërgjimet nxjerrin zbuluar nënkomisarin për dërgesa të tjera droge
Artikulli tjetërRaporti i ‘Europol’: Shqipëria burim kryesor i trafikut të kanabisit në BE