Raporti i ‘Europol’: Shqipëria burim kryesor i trafikut të kanabisit në BE

Në një raport të publikuar nga “Europol”, Shqipëria vijon të mbetet burimi kryesor i furnizimit me kanabis sativa i vendeve të Bashkimit Europian. Në raport thuhet se, rruga e Ballkanit mbetet rruga kryesore e hyrjes për pjesën më të madhe të heroinës së trafikuar në BE. Sa i përket linjave të trafikimit nënvizohet se, tashmë deti mbetet më i preferuar, por po ashtu dhe transporti rrugor. Megjithatë, ka pasur një zhvendosje të pjesshme në trafikimin e heroinës nga rruga e Ballkanit në rrugën e Kaukazit.
Ndërkohë që, Maroku mbetet burimi kryesor i vajit të kanabisit në BE. Duke përdorur kompanitë e para dhe ndërmjetësit, disa grupe veprojnë me anije dhe madje edhe me flota të vogla që transportojnë tonelata të kanabisit. Zakonisht, sasitë e konsiderueshme të bimëve narkotike, fshihen në mesin e mallrave të ligjshme për t’u transportuar”.

Raporti nënvizon: 24 miliardë euro në vit

Tregjet e drogës mbeten tregjet më të mëdha kriminale në BE. Më shumë se 1/3 e grupeve kriminale që janë aktive në Europë, janë të përfshira në prodhim, trafikim dhe shpërndarje të llojeve të ndryshme të drogës. Tregtia e drogës së paligjshme ka fitime me miliarda euro për grupet e përfshira në këtë aktivitet kriminal.
Tregu i drogës me pakicë në BE mendohet të ketë vlerën e të paktën 24 miliardë euro në vit. Ndërkohë që tregu i shitjes me pakicë, vetëm për llojin kokainë në Europë, besohet se arrin në 5.7 miliardë euro fitime në vit”.
Fitimet e marra nga tregtia e drogës financojnë aktivitete të tjera kriminale, duke lejuar organizatat kriminale që të përparojë dhe zhvillojë ndërmarrjet kriminale që shkatërrojnë shëndetin, mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve në BE.
Organizatat kriminale që janë të përfshira në trafikimin e drogës mbështeten në korrupsion që të kenë më të lehtë zhvillimin e aktiviteteve të tyre. Ata mashtrojnë me anë të dokumenteve, duke krijuar çertifikata të rreme të importit ose regjistrimit të kompanive për importimin e drogave të paligjshme me mallra ligjore.
Në raportin e Europol për vitin 2017, konstatohet gjithashtu se rreth 35% e grupeve të krimit të organizuar që veprojnë në BE, në nivel ndërkombetar, janë të përfshirë konkretisht në prodhimin, trafikimin ose shpërndarjen e drogërave ilegale.
Ndërkohë që 75% e grupeve, të cilat merren me tregtinë e drogës në BE, tregtojnë më shume se një lloj droge të paligjshme.

10 fakte të trafikut të drogave në BE

Pavarësisht rënies së përdorimit, tregu i heroinës gjeneron të ardhura të konsiderueshme, duke trafikuar sasi të mëdha në Evropë. Në raportin e Europol, thuhet se Afganistani mbetet prodhuesi kryesor i heroinës së trafikuar në kontinentin e vjetër dhe me gjasë do të mbetet i tillë edhe në të ardhmen. Raporti thotë se prodhimi i opiumit atje ishte 4 800 ton, i cili mund të japë midis 290 dhe 510 ton heroinë.

Si kalon heroina në Evropë?

Pjesa më e madhe e heroinës që konsumohet në BE, trafikohet nëpërmjet rrugëve tokësore nga Ballkani, si dhe nga deti dhe nga ajri.
Por, konfiskimet e mëdha tregojnë edhe një rrugë tjetër në rritje, atë të quajtur Rruga e Kaukazit. Europol shkruan se, Kaukazi jugor është një rajon alternativ për trafikun e heroinës nga Irani në BE. Dërgesat individuale janë më të mëdha se 100 kg për dërgesë.
Dërgesa të mëdha dërgohen edhe nga Afrika Lindore dhe Afrika e Jugut për në portet kyçe të Evropës Perëndimore.
Korrierët vazhdojnë të jenë më të “përdorurit” për të trafikuar heroinën, e cila është gjithashtu në dispozicion në tregjet online.
Kokaina
Një tjetër drogë e fortë është edhe kokaina, që është aktiviteti më i zakonshëm kriminal dhe gjeneron shumë miliarda euro fitime për aktorët kriminalë të përfshirë.
Tregu vjetor i shitjes me pakicë për kokainës në Evropë vlerësohet në 5.7 miliardë euro me një shtrirje në masë, ndërsa furnizimet kryesore janë nga Amerika e Jugut si dhe nga Afrika.
Shtetet kryesore prodhuese janë Kolumbia, Peruja dhe Bolivia, ndërsa Kolumbia mbetet prodhuesi më i madh i kokainës në botë.
Raporti i Europol thekson se gjatë tre viteve të fundit, prodhimi i kokainës në Kolumbi është intensifikuar në mënyrë të konsiderueshme pas një marrëveshjeje paqeje midis qeverisë së Kolumbisë dhe forcat e armatosura revolucionare e Kolumbisë – Ushtria Popullore (FARC). Prodhimi i kokainës u rrit me 60% nga viti 2014 në 2015.
Kanabisi
Kanabisi mbetet deri më tani tregu më i madh ilegal i konsumuar gjerësisht në BE. Raporti i Europol shkruan se stabiliteti i tregut tregon suksesin e biznesit, ndërsa kjo lloj droge do të mbetet e popullarizuar tek konsumatorët dhe për pasojë do të vazhdojë të gjenerojë fitime të konsiderueshme.
Për sa i përket trafikimit, Shqipëria sipas Europol, mbetet burimi kryesor. Përveç rrugëve tokësore, kanabisi trafikohet edhe në rrugë detare. Burimi kryesor i vajit të kanabisit të konsumuar në BE është Maroku.

Disa të dhëna shtesë

-Tregu i paligjshëm i drogës është tregu më i madh kriminal në Bashkimin Evropian, duke sjellë 24 miliardë euro të ardhura për çdo vit.
-Rreth 35% e grupeve të krimit të organizuar në BE, janë aktiv në nivel ndërkombëtar për prodhimin, trafikimin dhe shpërndarjen e drogës.
-Kanabisi është tregu më i madh i drogës në BE. Europol thotë se, ka patur një rritje të mëtejshme të kultivimit edhe nëpër shtëpi dhe natyrë.
-Ballkani mbetet rruga kryesore e hyrjes së pjesës më të madhe të heroinës së trafikuar në BE. Megjithatë, Europol thotë se ka pasur zhvendosje së pjesshme të trafikut nga Ballkani në rrugët e Kaukazit.
-Raporti thotë se, tregu i drogës sintetike mbetet në rritje në BE.
-Vdekjet nga mbidozat në Evropë u rritën me 6% në 8 441 vdekje në vitin 2015, duke u rritur për të tretin vit radhazi dhe shkak janë drogat sintetike si fentanil. Europol shkruan se numri i vdekjeve mund të jetë shumë i lartë nga drogat sintetike për shkak të mungesës së raporteve në disa vende apo vonesat në raportim.
-Droga trafikohet gjerësisht në platforma të “errëta” në internet, treg që vazhdon të zgjerohet.
-Rreth 1% e të ardhurave të krimit të organizuar konfiskohen nga autoritetet në BE.
-Nga viti 2013-2016, në grupin e trafikut të drogës në BE janë përfshirë shtetas nga 60 kombësi, ndërsa droga përdoret shpesh edhe si mjet për pagesa nga grupet kriminale. Kanabisi shpesh përdoret si mjet shkëmbimi me droga të tjera, si kokaina e trafikuar nga Amerika e Jugut apo heroina e kontrabanduar nga Turqia.
-Në tregjet evropiane vazhdojnë të shfaqen një numër i madh substancash narkotike. Që nga viti 2005, 620 substanca të reja janë zbuluar në BE.

 

Artikulli paraprakTerror e manipulim në votimin për Dekanin e Fakultetit të Filologjisë
Artikulli tjetërFaqja e pare