“Tërmet” tek Interi!

Napoli rikthehet te fitorja në kurriz të Interit që nuk shikon dritë në fund të tunelit. Një 3-0 në ndeshjen që çelte javën e 15 që shkatërron ëndrrat e zikaltërve, pasi ajo çka bënë mirë ndaj Fiorentinës u rrënua brenda pak minutash në “San Paolo”. Napolit ku Hysaj e niste si titullar pavarësisht raportimeve se do të qëndronte pushim këtë ndeshje, ju deshën më pak se dy minuta për të kaluar në avantazh, me Zielinskin që nga brenda zonës mposhti Handanoviç.
Inter në disavantazh brenda dy minutash me skuadrën e Piolit që nuk arriti të marrë veten nga shokimi dhe pësoi edhe të dytin në minutën e 5, me Hamsik që befasoi mbrojtjen e Piolit për të dyfishuar rezultatin.
Dy gola brenda pesë minutash, më keq se kaq nuk bëhet dhe Interi tentoi të reagojë, në të 21 mbrojtja e Napolit gaboi, por ishte Reina që shpëtoi portën duke bllokuar tentativën e Ikardit. Edhe në pjesën e dytë Inter e nisi duke u përpjekur të rihapë ndeshjen, me të djathtën e Perisiç që nuk gjeti dot portën në të 48, por pikërisht në momentin më të mirë të Interit, Napoli e ndëshkoi sërish me Insignen që gjeti rrjetën në minutën e 51.
3-0 dhe asgjë për të bërë për Interin, në minutën e 61 përfundoi ndeshja e Hysajt që i la vendin Maxhios mes duartrokitjeve, ndërsa momenti negativ i Interit fotografohet dhe në minutën e 90, kur Perisiç është i vetëm para portës, por nuk arrin të shënojë dot një gol të sigurt.
Elseid Hysaj ishte një ndër më të mirët e Napolit për 60 minutat që luajti në fitoren 3-0 kundër Interit të premten mbrëma. Por mbrojtësit të kombëtares shqiptare iu desh të linte fushën pas një problemi, duke u zëvendësuar nga Kristian Maxho në të djathtë të prapavijës napolitane.
Sipas mediave italiane, 22-vjeçari ishte në dyshim për këtë ndeshje, për shkak të një goditjeje të pësuar kundër Sasuolos të hënën. Megjithatë, arsyeja e zëvendësimit është krejt tjetër.
“Mediaset Premium” raporton se Hysaj kërkoi të linte lojën pasi ndiente dhembje në stomak. Gjithnjë sipas televizionit italian, lojtari u kthye menjëherë në shtëpi. Për fat të mirë, ky problem nuk pritet ta kushtëzojë Hysajn për transfertën e të martës kundër Benfikës.

Artikulli paraprakBayerni përmbys Mainz, Lewandowski në histori
Artikulli tjetërShokon Rosberg, tërhiqet nga Formula 1