Të shtunën, protesta më e madhe në histori

Kryetari i opozitës, Basha lajmëroi dje protestën më të madhe që ka njohur historia e këtyre 27 viteve të shtunën e javës së ardhshme. Qindra mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria do të mblidhen në Tiranë që në orët e para të mëngjesit në protestën për zgjedhje të lira përmes një qeveri teknike të pakapur nga krimi dhe droga.
“Bëjini thirrje çdokujt, çdo miku, të afërmi, çdo burri dhe gruaje, në veçanti çdo të riu dhe të reje të bashkohet në marshimin e javës së ardhshme në manifestimin më të madh që Shqipëria ka njohur ndonjëherë të forcës së vendosur, paqësore, por të pathyeshme të qytetarëve shqiptarë për zgjedhje të lira e të ndershme, themelin e Republikës së re që po agon”, ishte thirrja e Bashës.
Kryetari i opozitës ka deklaruar prerë se të vetmet zgjedhje që do të njohë Shqipëria janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “Të vetmet zgjedhje që ky vend do të mbajë, do të jenë zgjedhjet e lira e të ndershme, të lira nga krimi, të lira nga droga, me një qeveri teknike, e cila do të përmbushë mandatin popullor për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ju keni luftuar tash 11 javë, ditë për ditë, 24 orë në ditë, por ju keni arritur atë që askush tjetër nuk e arriti dot për 3 vite e gjysmë, madje as opozita juaj parlamentare nuk ia doli dot të siguronte në 3 vite e gjysmë këtë që ju, shqiptarët e bashkuar, keni arritur për Shqipërinë, për veten tuaj dhe për të ardhmen tonë në 78 ditë. Mos e harroni këtë!”, tha Basha.
Kryetari i opozitës deklaroi se forca e bashkimit popullor është më e madhe se çdo forcë tjetër.
“Unë nuk e harroj, unë e di fare mirë, e njoh, e kam ditur forcën e bashkimit të bashkatdhetarëve të mi, të bashkëqytetarëve të mi dhe e prek ditë për ditë. Unë e di se për ku jemi nisur të gjithë bashkë dhe e shoh dritën e ditës së parë të Republikës së re në sytë e të rinjve dhe të rejave, në sytë e burrave dhe grave që janë bashkuar tash 78 ditë në protestë dhe të atyre që na ndjekin nga jashtë me sytë e mendjes dhe të shpresës. Kjo ditë po vjen, askush nuk e ndal dot, askush nuk e ndal dot.
Dita e Republikës së re ku qytetarët do të kenë fatet e tyre në duart e tyre, dita kur Shqipëria do të jetë e juaja dhe jo e politikanëve, aq më pak e kriminelëve dhe oligarkëve, po vjen.
Askush nuk e ndal dot dhe e vetmja forcë që kontrollon gjithçka mbi këtë tokë është me ne, është me këtë ditë, Zoti është me të drejtën, është me shqiptarët. Por kjo ditë do të vijë edhe më shpejt, do të vijë edhe më bukur, do të vijë edhe më parë, sa më shumë të jemi, sa më të bashkuar të jemi, sa më të vendosur të jemi në përballjen me republikën e vjetër në grahmat e saj të fundit”, tha Basha.

Lëvizja popullore detyroi Ramën të tërhiqej nga Kavaja

Arsyeja e vetme se përse Rama është tërhequr nga Kavaja ka qenë forca e bashkimit të madh popullor dhe frika nga protesta e paralajmëruar e opozitës së bashkuar të dielën në Kavajë. Kjo ka ndryshuar të gjitha planet për farsën zgjedhore që ishte përgatitur. Basha tha se ambasadat janë kufizuar vetëm në disa deklarata, ndërsa plani është ndalur tërësisht nga organizimi i lëvizjes popullore.
“Këto janë faktet. Këto i dini ju, i di unë, i dinë madje socialistët në Kavajë dhe në mbarë Shqipërinë. I di edhe Edi Rama dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja këtu në Tiranë. Askush nuk kishte ndërmend të bënte asgjë. As Edi Rama nuk kishte ndërmend të tërhiqej nga ky plan ogurzi produkt i drejtpërdrejtë i projektit të tij të inkriminimit të shtetit. Ambasadat u kufizuan me deklarata dhe nganjëherë pa deklarata fare. Socialistët e ndershëm të Kavajës ulën kokën para krimit. Dhe ua them sinqerisht se deklaratat për shtyp dhe qëndrimet e opozitës në emisione, në Parlament apo jashtë Parlamentit, nuk do të kishin arritur dot asgjë përballë kësaj masakre elektorale që po përgatitej me uljen në gjysëm shtizë të flamurit të demokracisë, pikërisht në shtëpinë ku flamuri i demokracisë u ngrit për herë të parë në Kavajë.
Asgjë nuk kishte për të ndodhur, por gjithçka u përmbys sepse, e vetmja forcë që mund ta ndalë, i vetmi faktor që mund të përballet dhe fitojë përballë krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të inkriminuar, jeni ju, janë shqiptarët e bashkuar që janë në këmbë, janë të vendosur dhe nuk do të kthehen nga kjo rrugë pa fitoren totale të demokracisë në Kavajë dhe në gjithë Shqipërinë.
Mos e harroni këtë vëllezër e motra, qytetare dhe qytetarë, e në veçanti ju të rinj e të reja. Mos harroni se, në këtë lojë, kupola politike e republikës së vjetër ka miliarda euro interesa në tendera dhe koncesione korruptive, në paratë e drogës, në asete dhe resurse të shqiptarëve nga nafta dhe mineralet, te bregdeti e gjithçka tjetër. Në këtë lojë të madhe, ku shiten e blihen faktorët politikë, mediat, lobimi e gjithçka tjetër, në këtë përballje për jetë a vdekje, për lirinë dhe demokracinë e vërtetë, e vetmja forcë, e vetmja forcë që mund t’i ndalë jeni ju, qytetarët e bashkuar. E vetmja forcë që mund të sjellë ndryshimin e vërtetë, është bashkimi më i madh i shqiptarëve për zgjedhje të lira, për liri dhe demokraci”, tha Basha.

Tërheqja nga Kavaja, sprapsje e detyruar

Basha deklaroi dje se sprapsja e Ramës nga Kavaja ka qenë e detyruar dhe nuk duhet parë si lëmoshë. “Tërheqja nga Kavaja, nuk është dhuratë e nuk është lëmoshë, por është sprapsje e detyruar nga refuzimi masiv i kavajasve për t’u keqpërdorur ditën e dielë. Është sprapsje, e detyruar, nga projektimi i bashkimit më të madh të qytetarëve që ishte bërë gati të marshonte drejt Kavajës, të çlironte Kavajën dhe nga Kavaja të niste çlirimin e Republikës së re anembanë Shqipërisë.
Ndaj të mos kemi asnjë iluzion se ky proces i rikthimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, të cilin ne natyrisht preferojmë ta zgjidhim përmes dialogut, do të ketë sukses pa bashkimin më të madh të shqiptarëve, në këmbë e të vendosur. Pa i demonstruar Edi Ramës, kupolës politike të republikës së vjetër dhe mbarë botës, përmes pjesëmarrjes më masive të shqiptarëve javën e ardhshme këtu në këtë bulevard, se shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk do të pranojë kurrë zgjedhje të diktuara nga krimi, të diktuara nga droga dhe pa opozitën”, tha Basha.

Në Kavajë ishte përgatitur një masakër elektorale

Asgjë në historinë e shoqërive, kombeve dhe shteteve nuk ka rënë nga qielli. Asnjë e drejtë, asnjë liri, asnjë territor, asnjë pasuri, nuk i është falur kurrë askujt nga askush. Gjithçka në historinë e njerëzimit është fryt dhe produkt i përpjekjeve, i betejave, i qëndresave dhe i fitoreve të njërit apo tjetrit faktor. Kjo është e shkruar në historinë mijëra vjeçare të njerëzimit dhe nuk ka asnjë shembull në këtë histori që ta përjashtojë; gjithçka vjen përmes përpjekjeve, gjithçka vjen përmes betejave dhe gjithçka mbahet në këmbë përmes betejave. Aq më shumë, kur vjen fjala për liritë dhe të drejtat themelore të individit që janë çdo ditë e në çdo kohë nën kërcënimin dhe presionin e faktorëve që duan të pasurohen e të fitojnë pushtet mbi kurrizin e qytetarëve të thjeshtë.
Këto janë të vërteta të moçme, jo dhjetëra vjeçare, as qindra vjeçare, por mijëra vjeçare të historisë së njerëzimit. Profesorët e nderuar mund ta ilustrojnë këtë me shembuj të panumërt. Shumë prej tyre ju i dini vetë dhe nuk kam ndërmend të zgjatem në këtë të vërtetë të padiskutueshme të natyrës njerëzore dhe njerëzimit. Por dua t’u them nën dritën e kësaj të vërtete, se tërheqja e Edi Ramës nga zgjedhjet fasadë të diktuara nga krimi në Kavajë, është vetëm dhe vetëm rezultat i betejës tuaj, i qëndresës tuaj, i vendosmërisë tuaj për të mos lejuar monizëm të diktuar nga krimi dhe nga droga.
Asgjë tjetër, pa këto përpjekje, nuk do të ndodhte, përveç një gare fasadë. Në një vend kaq të dashur për shqiptarët si Kavaja, me kontributin e saj të shquar në historinë e re të lirisë dhe demokracisë tonë 27-vjeçare, ku u ngul krimi me përfaqësuesin e saj më ogurzi Elvis Rroshin, i cili pasi i rezistoi çdo përpjekjeje ligjore e kushtetuese në bazë të ligjit për dekriminalizimin, më në fund e detyruan të dorëhiqej, ku kreu i inkriminuar i Partisë Socialiste në Kavajë, Gent Daja dëshironte të kandidonte bashkëshorten e tij e pas presionit të opinionit publik u tërhoq dhe vendosën të kandidonin mëkëmbësin e Elvis Rroshit. Gjithçka pra, ishte përgatitur për zgjedhje fasadë, votime fasadë. Paratë ishin ndarë, njerëzit ishin kërcënuar, bandat brenda pushtetit kishin bërë gjithçka gati për një masakër të vërtetë elektorale në Kavajë.

Bashkimi i qytetarëve solli fitoren e parë

Paraditen e 78 në sheshin e lirisë qytetarët bashkëbiseduan me kryetarin demokrat Lulzim Basha për fitoren e korrur në Kavajë nga qëndresa e tyre për liri dhe demokraci të vërtetë. Intelektualë, profesionistë dhe studentë ngritën zërin për problemet e tyre, që i sollën ata në çadrën e protestës opozitare.
Marjana është studente e nivelit master në Itali dhe thotë se në përfundim të studimeve dëshiron të kthehet në vendin e saj për të kontribuar në shoqëri. Por Marjana tha se vendimi për t’u kthyer për të është më i vështirë. Edhe pse ajo kërkon të jetojë pranë familjes dhe të punojë për vendin e saj, mundësitë që Shqipëria ofron për punësim të të rinjve janë thuajse inekzistente, edhe pse kjo qeveri erdhi në pushtet me premtimin e 300 mijë vendeve të punës.
Serena, Sidorela dhe Tomasi, të rinj të shkolluar në universitete në nivelin master, treguan se edhe ata investojnë në shkollim vite të tëra, po kur dalin në tregun e punës, përballen me kërkesën më të ulët ndonjëherë për punësim. Nëse nuk fillon punë në call center është e pamundur të gjesh punë, për më tepër nëse nuk ke minimalisht tre vjet eksperiencë pune në CV, treguan të rinjtë.
Taulanda Jupi, aktore, tha se qytetarët e papunë, studentët e mbetur jashtë dyerve të universiteteve, ata që ngritën zërin kundër varfërisë që i ka kapluar, prindër që ngritën zërin për shfrytëzimin që pranojnë nga punonjësit vetëm për të mundësuar shkollimin dhe mbarëvajtjen e jetës së fëmijëve të tyre, janë fitimtarët e betejës për Kavajën.
Kjo fitore duhet të jetë motivim për një fitore edhe më të madhe – tha Taulanda – të mos vetëkënaqemi dhe të mbetemi këtu. Përmes vargjeve të John Lennon, Taulanda përmblodhi rrugëtimin 78 ditor të lëvizjes që korri fitoren e parë: Në fillim na quajtën ëndërrimtarë, por të tillë nuk jemi të vetëm.
Shkrimtari dhe pedagogu Agron Tufa theksoi simbolikën e fitores së parë të kësaj qëndrese, në Kavajën që lajmëroi demokracinë në Shqipëri. Jemi po ne ata që larguam perandorinë e së keqes 27 vite më parë dhe jemi po ne ata që duhet të largojmë këtë qeveri që kërkon të vrasë atë liri dhe demokraci që fituam me gjak dhe mund – tha Tufa duke i bërë thirrje qytetarëve të mos kenë frikë.
Studiuesi Ndriçim Kulla tha se risia që solli çadra e protestës në politikën shqiptare ka krijuar impakt edhe tek ata që ishin skeptikë për kauzën e opozitës. Zgjidhja e ofruar nga Partia Demokratike, në kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria sot, e vetmja zgjidhje është qeveria teknike – tha Kulla, i cili i bëri thirrje çdo shqiptari, që pavarësisht problemeve që mund t’u krijohen në të ardhmen, të qëndrojë i vendosur pasi lirinë s’mund t’ua marrë askush.
Lulzim Basha i tha qytetarëve se në historinë e kombeve dhe shteteve, liria, të drejtat dhe pasuria nuk i është falur kurrë askujt, ndaj dhe përpjekja e qëndresa e qytetarëve është e vetmja rrugë paqësore për arritjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
“Tërheqja e Edi Ramës nga zgjedhjet fasadë të diktuara nga krimi në Kavajë është vetëm rezultat i betejës, qëndresës tuaj, vendosmërisë tuaj për të mos lejuar monizëm të diktuar nga krimi dhe nga droga. Gjithçka vjen përmes përpjekjeve, gjithçka vjen përmes betejave dhe gjithçka mbahet në këmbë përmes betejave. Aq më shumë kur vjen fjala për liritë dhe të drejtat themelore të individit, që janë çdo ditë e në çdo kohë nën kërcënimin dhe presionin e faktorëve që duan të pasurohen e të fitojnë pushtet mbi kurrizin e qytetarëve të thjeshtë”.
Kryedemokrati Basha tha se plani i qeverisë për zgjedhjet fasadë në Kavajë ishte tabloja e krimit dhe parave të drogës të përgatitur për një “masakër elektorale”.
“Qytetarët që luftuan për 11 javë, çdo ditë, arritën atë që askush tjetër nuk e arriti dot për 3 vite e gjysmë, madje as opozita parlamentare nuk ia doli të siguronte në 3 vite e gjysmë atë që shqiptarët e bashkuar arritën për Shqipërinë, për veten tuaj dhe për të ardhmen tonë, në 78 ditë. Gjithçka u përmbys sepse e vetmja forcë që mund ta ndalë, që mund të përballet dhe fitojë përballë krimit të veshur me pushtet, janë shqiptarët e bashkuar, në këmbë, të vendosur se nuk do të kthehen nga kjo rrugë pa fitore totale të demokracisë në Kavajë dhe në gjithë Shqipërinë”.
Thirrjen zoti Basha ia drejtoi çdo shqiptari, çdo të riu e të reje, çdo të papuni apo punëtori të pavlerësuar denjësisht, çdo nëne dhe babai që dëshiron të ardhmen e sigurtë të fëmijëve të tyre, të bashkohen në marshimin paqësor të javës së ardhshme, për të treguar edhe një herë se vetëm me forcën e vendosmërisë së pathyeshme të qytetarëve, zgjidhja vjen për gjithë Shqipërinë.

Artikulli paraprakBuxhet lufte, sa kushton mbrojtja e Amerikës?
Artikulli tjetërKush e shpiku luftën kibernetike