Buxhet lufte, sa kushton mbrojtja e Amerikës?

Carlo Jean

Lajmërimi nga ana e Presidentit Donald Trump se dëshiron të arrijë një superioritet bërthamor, edhe duke shkelur tavanet e testatave dhe të vektorëve (raketa ndërkontinentale, nëndetëse raketalëshuese dhe bombardues strategjikë të parashikuar në Traktatin e Ri START të nënshkruar më 2010 dhe i vlefshëm deri më 2021) – respektivisht 1550 testata strategjike dhe 700 vektorë operativë – ka shkaktuar komente alarmuese si në Perëndim, ashtu edhe në Rusi. Për këtë të fundit është e kuptueshme. Barazia bërthamore strategjike me Shtetet e Bashkuara nuk është edhe aq e rëndësishme për sigurinë e Rusisë sesa për njohjen e statusit të saj si fuqi e madhe globale. Disa ekspertë kanë profetizuar se kërkimi nga ana e Shteteve të Bashkuara i superioritetit bërthamor do t’i hapte derën një lufte të re të ftohtë apo do të çonte deri drejt një lufte totale dhe dimri bërthamor. Komentatorë të tjerë e kanë trajtuar Trumpin deri si një të çmendur të rrezikshëm, duke i uruar largimin e tij të shpejtë nga pushteti për shpëtimin e Shteteve të Bashkuara dhe të njerëzimit. Deklaratat e Trump lidhur me kushtëzimin e impenjimit amerikan për sigurinë europiane kanë nxitur në Gjermani një debat rreth nevojës gjermane për t’u pajisur me një frikësues bërthamor kombëtar, të ngjashëm me atë më 1957 që solli në Gjermani, Francë dhe Itali projektin e frikësuesit bërthamor europian, i hedhur më pas në erë nga Gjenerali De Gaulle, i bindur se forca bërthamore mund të ishte vetëm kombëtare.
Në rastin e Trump bëhet fjalë për ekzagjerime. Një modernizim i konsiderueshëm i arsenalit bërthamor amerikan ishte vendosur tashmë nga Obama, përveçse i premtuar nga Presidenti i ri amerikan në fushatën elektorale. Është bërë e nevojshme për motive teknike, për shembull prej nevojës së modernizimit të të gjithë arsenalit bërthamor, duke përdorur teknologji të reja që ia trefishojnë fuqinë, pse jo edhe të zëvendësojnë periodikisht tritiumin e testatave dhe t’u verifikojnë qarqet elektronike. Modernizimi i parashikuar nga Obama nuk modifikonte “tavanët” e parashikuar nga START-i i Ri, të konsideruara më shumë se të mjaftueshëm nga Pentagoni për shkurajimin si të Rusisë, ashtu edhe të Kinës. Plani amerikan i administratës së kaluar kërkonte një shpenzim prej 400 miliardë dollarësh brenda vitit 2026, domethënë me një rritje të konsiderueshme fondesh të dedikuar në bilancin e 2016, që shkojnë deri në 15 miliard dollarë. Disa ekspertë të pavarur dhe senatori John McCain, President i Komisionit të Forcave të Armatosura të Senatit amerikan, i kanë gjykuar të papërshtatshme alokime të tilla dhe vlerësojnë se janë të nevojshme për një program të tillë të paktën 1000 miliardë dollarë në 30 vjet. Me që ra fjala, parashikime të tilla nuk e merrnin në konsideratë modernizimin e armëve bërthamore substrategjike (me rreze nga 500 në 5500 kilometra), e bërë e nevojshme nga fakti që Moska po shkel Traktatin INF të vitit 1987, që i eliminonte euroraketat nga Atlantiku në Urale. Modernizimet e vetme të parashikuara në sektorin e armëve substrategjike kanë të bëjnë me rreth 180 testata avionlëshuese të dislokuara në 5 vende europiane dhe për të cilat asnjeri nuk flet, pasi nuk është politikisht korrekte të bëhet.

Projekti i Presidentit

Të çuditshme – për të përdorur një eufemizëm – kanë qenë reagimet europiane. Pasqyrojnë mungesën e një kulture strategjike në të gjitha qeveritë europiane. Europa nuk kishte reaguar në asnjë mënyrë ndaj modernizimit, tashmë pothuajse të kompletuar, as të arsenalit bërthamor si strategjik, ashtu edhe substrategjik, rus, as ndaj manovrave që simulonin një sulm bërthamor ndaj Europës Lindore dhe vendeve skandinave, as në dislokimin e raketave bërthamore Iskander në Kaliningrad, as ndaj kërcënimeve të përsëritura ruse për përdorimin e armëve bërthamore kundër NATO-s, as ndaj zhvillimit të raketave bërthamore kruiz të lëshueshme nga toka me rreze prej të paktën 2500 kilometrash. Ato përbëjnë një shkelje të Traktatit INF, i cili kishte filluar procesin që i kishte dhënë fund Luftës së Ftohtë. Mistere të besimit ose më konkretisht, të aftësisë komunikuese të Putinit dhe të tijve, pse jo edhe të shpresave (sipas mendimit të ekzagjeruara) në aftësitë e tregut rus për të promovuar rritjen ekonomike të Europës. Edhe programi konsistent i modernizimit bërthamor të Obamës ishte mbajtur si gjysmë i fshehtë, ka mundësi prej simpative, të cilat gëzonte Presidenti amerikan, pas entuziazmit të ngjallur nga fantazitë e retorikës së tij “no-nukes”, të pohuar në Pragë në prillin e 2009 nga vetë ai, fitues edhe për këtë i Çmimit Nobel për Paqen. Lajmi se Trump do t’i dërgojë Kongresit dhe Senatit amerikan një propozim për vitin financiar 2018 (që fillon më 1 tetor dhe mbaron 30 shtatorin tjetër) për rritjen e bilancit të mbrojtjes me 54 miliardë dollarë, baraz me rreth 10% të autorizimeve të bilancit të 2016, pse jo edhe një rritje me 30 miliardë dollarë të autorizimeve të bilancit 2017, ka ngjallur sidomos në Europë (më pak në Shtetet e Bashkuara) reagime shumë kritike, pse jo edhe sarkastike. Sipas Presidentit të ri amerikan, një rritje e tillë do të duhet të mundësojë ruajtjen e superioritetit ushtarak global amerikan, kundër të gjitha kërcënimeve të hipotezueshme. Në retorikën e Donald Trump mund të përbëjë një komponent qendror të projektit të tij “America First”, jo vetëm për sigurinë e Shteteve të Bashkuara, por edhe për ruajtjen e impenjimeve të tyre me aleatët. Por këta duhet të bëjnë pjesën e tyre, duke rritur – siç ka bërë Gjermania me 2 miliardë euro – bilancet e tyre ushtarake, duke u bërë krijues, në vend se konsumues, të sigurisë së përbashkët, në një botë gjithnjë e më të paparashikueshme e të rrezikshme dhe në të cilën Shtetet e Bashkuara, përveç Shtetit Islamik, duhet të përballojnë Rusinë në Europë dhe Kinën në sistemin Azi–Paqësor, të cilëve u duhet shtuar edhe rajoni i Oqeanit Indian.
Lajmërimi nga ana e Trump për rritjen e bilancit ushtarak është konsideruar më preokupues nga Rusia se, ai i kërkimit të superioritetit ushtarak. Përtej një limiti të caktuar – të garantuar domethënë nga kapaciteti i “second strike” pasi ka absorbuar një sulm të befasishëm ndaj forcave të veta – kjo e fundit ka strategjikisht pak rëndësi. Vetë Pentagoni vlerëson se “tavanet” e START-it të Ri i kalojnë me 1/3 nevojat reale të shkurajimit global amerikan. Presidenti amerikan, ashtu edhe si ai rus, janë goxha të vetëdijshëm se për të poseduar një kapacitet shkurajues nuk vlen edhe aq shumë realiteti, por perceptimi i besueshmërisë së rekursit në rast nevoje të përdorimit të armëve bërthamore. Sipas çdo gjase, Moska e ka kuptuar se nuk mund të “luajë më me të sigurtën”, siç ka ndodhur gjatë viteve të fundit, në të cilat Putini i ka dhënë Obamës leksione të përsëritura strategjie në Ukrainë e në Lindje të Mesme. Sot nuk mund të riskosh më mbi pavendosmëritë dhe tërheqjet e Trump, që po bën gjithçka për t’u dukur i paparashikueshëm. Moska nuk mund të llogarisë më mungesën e reagimeve të Uashingtonit. Që klima po ndryshonte, kjo ishte kuptuar tashmë me refuzimin e Trump për të pranuar propozimin e Putinit për ta zgjatur START-in e Ri përtej vitit 2021 dhe mbi të gjitha, me pohimin e eksponentëve të rëndësishëm të Shtëpisë së Bardhë se Rusia duhet t’ja rikthejë Krimenë Ukrainës. Nuk ka rëndësi se pse e ka bërë Trump. Ndoshta për të zbutur kritikat për lidhje shumë të ngushta me Rusinë. Ndoshta për të siguruar ndonjë bargaining chip për ta përdorur në negociatat, që herët apo vonë do të fillojnë. Ndoshta për të pasur konsensusin e disa eksponentëve të Partisë Republikane. Në çdo garë riarmatimi Shtetet e Bashkuara janë të destinuara që të fitojnë. Rusia nuk është një Bashkim Sovjetik i vogël. Nuk mund t’i përballojë kostot e një Lufte të Ftohtë të re. Zëvendësimi i Gjeneralit Michael Flynn me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare McMaster sigurisht që ka kontribuar në ndryshimin e klimës midis Uashingtonit dhe Moskës. Por më pak nga sa kanë pohuar shumë komentatorë.

Në krye të ofensivës Stev Bannon

Personazhi, që ka nisur ofensivën e prirur që ta “rivendosë Rusinë në vendin e saj” dhe t’i “japë një të rregulluar” ka qenë Steven Bannon, krahu i djathtë i Trump në Shtëpinë e Bardhë. Ai e ka braktisur qartazi hipotezën e aleancës me Rusinë kundër Kinës, që në perspektivë përfaqëson problemin e vërtetë jo vetëm për supremacinë, por edhe për sigurinë e Shteteve të Bashkuara. Ka vazhduar menjëherë duke e përqeshur kërkesën ruse për një ndihmë në rindërtimin sirian, duke thënë se Moska e kishte “qelbur muhabetin” dhe kështu që nuk mund të pretendonte që të tjerët të paguanin, sidomos me Al-Assad në pushtet.
Askush ose pothuajse askush nuk e ka kuptuar strategjinë komunikuese të ndjekur nga administrata e re amerikane. Është kufizuar vetëm duke e kritikuar. Presidenti “qëllon në zero”. Pastaj bashkëpunëtorët e tij vënë “copa me ngjyra”, sidomos për të siguruar aleatët. Miq dhe kundërshtarë kapen në befasi, duke krijuar paqartësi edhe në komentatorët më të vëmendshëm. Kështu Shtetet e Bashkuara po rimarrin iniciativën, që me Obamën e kishin humbur. Përcaktojnë rregullat e lojës, duke i modifikuar sipas interesit të tyre, edhe në mënyrë tejet “gjiganteske” e të guximshme, duke i lënë të gjithë të paqartë për lëvizjet e tyre të ardhshme. “Kryevepra” e një qasjeje të tillë jokonvencionale, e paparashikueshme dhe po aq ambige, përjashto Shtëpinë e Bardhë (të paktën kështu shpresoj), ka qenë lajmërimi “me daulle e orkestër” i rritjes së bilancit të mbrojtjes. Shpirtërat e bukur kanë bërë sofizma lidhur me motivet sekrete që do t’i shtynin Shtetet e Bashkuara t’i çonin bilancet e tyre ushtarake nga 37% aktual në 40% të shpenzimeve ushtarake globale. Disa ekspertë kanë përdorur shprehje sarkastike lidhur me këtë, duke e paraqitur Trumpin si luftënxitës, që argëtohet duke luajtur me ushtarët. Të tjerë akoma kanë hipotezuar skenarë të pabesueshëm sulmi ndaj Iranit. Vetëm disa nga analistët më seriozë të komunitetit strategjik amerikan kanë kërkuar ta thellojnë argumentin, duke analizuar jo vetëm sasinë e rritjes reale të bilancit, por atë që ka shumë vlerë, domethënë sesi do të përdoret ai dhe për çfarë objektivash. Nuk do të jetë e mundur të bëhet në mënyrë të besueshme deri kur nuk do të njihen në detaj programet që do të financohen nga Pentagoni. Realiteti mund të jetë shumë ndryshe nga sa mund të kuptohet nga retorika e Presidentit. Argumenti i vetëm mbi të cilin mund të diskutohet me njëfarë besueshmërie ka të bëjë me entitetin real të rritjes së bilancit, domethënë se për çfarë bëhet fjalë kur flitet për rritje. Duhet thënë menjëherë se opinionet janë shumë të ndryshëm. Për ta shqyrtuar problemin është e nevojshme ndonjë shenjë mbi procesin e formimit dhe mbi strukturën e bilancit federal të Shteteve të Bashkuara, që pëson shumë variacione gjatë viteve financiare dhe mbi të cilin rëndon gjithmonë “shpata e Damokleut” e të ashtuquajturit sequestration për ta mbajtur deficitin në limitet e parashikuara. Shpesh komentatorët nguten për ta marrë si të mirëqenë një zgjidhje që u korrespondon preferencave politike apo fantazive ideologjike të tyre. Kështu që zgjedhin, siç nga ana tjetër bën Presidenti, pikënisjen që favorizon tezat e tyre. Me pak fjalë, rritja e bilancit është e fryrë apo e reduktuar mbi bazën e asaj që secili dëshiron të demonstrojë.

Buxheti vjetor 603 miliardë dollarë për ushtrinë

Në fillim të çdo viti diellor Presidenti i paraqet Kongresit dhe Senatit kërkesat e tij të bilancit, të ndara midis “fondeve bazë” dhe atyre për OCO-t (Overseas Combat Operations), duke i lidhur me projeksione bilanci të detajuara për vitin e ardhshëm dhe më gjenerike për 5 vitet e ardhshëm. Në retorikën e Trump, e besuar në mënyrë akritike nga shumë komentatorë, është zgjedhur pikënisja më e ulët – ajo që mundëson të deklarohen shtesa më të mëdha të financimeve të mbrojtjes – domethënë bilanci “bazë” i 2017 (të barabarta me pothuajse 532 miliardë dollarë). Në fushatën elektorale Trump kishte deklaruar se donte ta rriste me 100 miliardë dollarë bilancin e mbrojtjes. 532 miliardëve u shtohen 58 miliardë dollarë për Overseas Combat Operations. Ato janë lidhur me ndërhyrjet në Afganistan, në Irak, etj., dhe me ndihmat ndaj rebelëve sirianë. Pastaj, mbajnë parasysh të gjitha variacionet, për shembull ato të rritjes së numrit të ushtarëve amerikanë në Afganistan nga 5000 në 8400. Lidhur me këtë duhet kujtuar se me një akt dinakërie financiare Obama ka kufizuar rritjen e fondeve për Afganistanin në mars 2017, për t’ia lënë pasuesit të tij “pataten e nxehtë” që t’u kërkojë rritjen, me pretekstin për ta bërë të lirë që të vendosë nëse t’i vazhdojë apo jo. Në total, bilanci 2017 i Obamës është kështu 590 miliardë dollarë, shumë pak a shumë e konfirmuar nga Obama në parashikimet e tij për vitin 2018. Kërkesat e financimit të bëra nga Trump shkojnë në 603 miliardë dollarë, ka të ngjarë me një përshtatje të fondeve OCO për 2017 dhe reduktimin e tyre, ndoshta me 40 miliardë, më 2018. Rritja efektive karshi bilancit 2017 të Obamës e vlerësuar nga Komisioni i Forcave të Armatosura të Senatit do të ishte me 19 miliardë dollarë (3% rritje krahasuar me 2017 dhe jo 10% të deklaruar nga Presidenti). Pastaj, do të ishte goxha më e ulët se nevojat për financim të vlerësuara nga kreu i tij, senatori McCain, me 680 miliardë. Sipas tij, Trump kishte “blofuar”. I të njëjtit mendim është Presidenti i Komisionit të Forcave të Armatosura të Kongresit, Mac Thornberry. Bashkë me McCain, ai ka mbështetur se nuk do të votojnë në favor të një bilanci 2018 më të ulët se 640 miliardë dollarë, me impenjimin për ta çuar në 800 miliardë më 2022, në mënyrë që të mund të financojnë programet tashmë të vendosur, përfshi modernizimin e arsenalit bërthamor.
Një gjykim më i besueshëm lidhur me programet reale ushtarake të Trump do të mund të formulohej vetëm kur do të njihen detajet e destinacionit të fondeve, përfshi projektimin e tyre për 6 vitet e ardhshme. Sipas mendimit tim, bëhet fjalë për një sfidë ndaj Moskës, për t’i kujtuar dobësitë dhe mangësitë e saj. Bëhet fjalë edhe për kërcënimin e një gare riarmatimi që ekonomia ruse nuk është në gjendje ta përballojë. Domethënë, Trump do të përsëriste politikën e ndjekur nga Ronald Reagan në vitet ‘80, duke përfituar nga çmimet e ulëta të naftës dhe nga kërcënimi i një programi – ai i Strategic Defense Initiative – që Bashkimi Sovjetik nuk mund ta përballonte. Me fjalë të tjera, nuk mendoj se Trump ndjek një politikë aventureske, që do t’i afronte shanset e një konflikti. Ndoshta në fakt po hedh bazat e një marrëveshjeje serioze midis Uashingtonit dhe Moskës. Për të mos qenë e margjinalizuar, Europa duhet të bëjë pjesën e saj. Nuk duhet t’i besojë vetëm programit amerikan të mbiquajtur European Reassurance Initiative, të dislokimit të forcave amerikane dhe të ripozicionimit të mjeteve të rënda në shtetet më të ekspozuar. Ish-ministri i Jashtëm, tani President i Gjermanisë, socialdemokrati Frank-Walter Steinmeier, ishte shprehur i preokupuar prej rritjes së shanseve të një konflikti me Rusinë, duke e pranuar se Europa nuk mund të influenconte ndaj një eventualiteti të tillë, duke pasur parasysh çarmatimin edhe kulturor që ia ka reduktuar peshën ndërkombëtare. Një siguri europiane e Europës është e papraktikueshme, edhe pse Bashkimit Europian i mungojnë dy komponentë, që të dyja thelbësore për t’ia garantuar: uniteti politik e strategjik dhe disponueshmëria e një frikësuesi të përshtatshëm bërthamor. Mund të bëhen të gjitha bisedat dhe të rritet “turizmi politik, diplomatik dhe ushtarak” në kërkim të një mbrojtjeje europiane që nuk ekziston, të paktën deri kur Gjermania nuk do të marrë – kundër dëshirës së saj – udhëheqjen jo vetëm politike, por edhe strategjike të Europës. Paqja mund të garantohet vetëm nga ekuilibri i forcave, jo nga besimi fideistik në “mirësinë” e Putin. Dhe për momentin një ekuilibër i tillë garantohet nga Shtetet e Bashkuara. Për këtë arsye, programet ushtarake të Trumpit duhet të kuptohen dhe sipas mendimit tim, jo të kritikohen, duke pasur parasysh faktin se, sikur Shtetet e Bashkuara të çimpenjoheshin nga Europa, do të kolapsonte edhe Bashkimi Europian dhe nuk do të mbetej mundësi për t’ju ceduar shantazheve të ardhura nga Lindja dhe ndoshta edhe nga Jugu.

(Carlo Jean është Gjeneral Korparmate, President i Centro Studi di Geopolitica Economica, pedagog në Università Guglielmo Marconi, Link Campus University. Ka qenë këshilltar Ushtarak i Presidentit të Republikës Francesco Cossiga. Ka qenë president i Centro Alti Studi per la Difesa. Ka qenë përfaqësues Personal i Presidentit në ushtrim të OSBE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Dayton në Bosnje–Hercegovinë, Kroaci dhe Republikën Federale Jugosllave).

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakFrontet e Riadit
Artikulli tjetërTë shtunën, protesta më e madhe në histori