Të liruar me kusht

Bledi KASMI

Shënjimi i Roshit nga Prokuroria duke i kërkuar heqjen e mandatit si kryebashkiak përkthehet se dekriminalizimi nuk është më me grip. Por as është rikuperuar tërësisht. Dekriminalizimi është liruar me kusht. Sa të liruar me kusht ka dhe do ketë në ditët e ardhshme?
Parlamenti miratoi të enjten Ligjin “Për aministinë”. Mijëra të burgosur do të shijojnë festat e fundit të vitit në shtëpitë e tyre. Kategoritë kryesore, që përfituan ishin ata, që kishin rregulluar pa leje tjegullat e çatisë, kishin suvatuar avllinë dhe të tjerë të kësaj kategorie.
U liruan po ashtu ata që nuk kishin paguar faturën e energjisë elektrike. Me mijëra hallexhinj të burgosur që në javët e para të ardhjes së Ramës në qeveri po lirohen gjashtë muaj para ditës së zgjedhjeve. Në fakt nuk janë të liruar përfundimisht. Ata janë liruar me kusht dhe kushti i vetëm është që të votojnë në zgjedhjet e qershorit atë që i futi në burg.
Pas qershorit mbaron edhe kontrata e lirimit të tyre. Mos t’u rrejë mendja se do të vazhdojnë të jenë të lirë. Pas 18 qershorit fillon sërish avazi, nëse votat e tyre do të shkojnë për një mandat të ri të gardianit të burgut të tyre. Do të futen sërish në burg me një kontratë tjetër trevjeçare deri në ardhjen e zgjedhjeve të reja.
Të gjithë po lirohen me kusht. Me kusht është liruar edhe Lulzim Berisha. Rama i tha Dakos se në rast se nuk i siguron 6 deputetë në Qarkun e Durrësit atëhere më mirë të mbytet në det. Gjushi i kërkoi Ramës si ndihmë për “punët” e Bashkisë Lul Berishën. Rama ia plotësoi dëshirën. E liroi Lul Berishën dhe bashkë me të i shtoi Gjushit edhe një deputet tjetër, duke i thënë se tani dua shtatë. Halli i madh për të dy. Në rast se nuk grabisin 7 deputetë atëhere, Gjushi do të mbytet në det, ndërsa Lul Berisha do të përfundojë sërish në qeli. Ky është pazari i lirimit me kusht të Lul Berishës.
Në mbledhjen e djeshme të Asamblesë kishte thithur shumë. Foli për Balilin dhe Eskobarin, shau ambasadorin amerikan si shumë herë të tjera dhe iu vërsul edhe Shteteve të Bashkuara. Tha se Shtetet e Bashkuara për vite me radhë i kishte tërhequr për hundësh Eskobari i vërtetë.
Me gjithë atë kokainë që kishte pirë i dukej vetja si President i Amerikës që po i fliste Kolumbisë, ndërsa konet e rreshtit të parë në Asamble ngazëllenin; “fol Edvin të lumtë goja, fol e mbro të drejtat tona”. Por, hallin e kishte tek Balili. “Herët apo vonë do ta arrestojmë”, tha ai. Në fakt e hershmja dhe e vona e arrestimit lidhet prap me 18 qershorin. Edhe Balos i është dhënë liri me kusht deri në zgjedhje. Ose duhet të bëjë disa deputetë në Qarkun e Vlorës ose në të kundërt mund ta ndjejë rrezikun e prangave.
Dhe Balo do të dijë si ta ruajë lirinë e tij!
Edhe me Roshin funksionon e njëjta liri me kusht për të qëndruar në krye të Bashkisë së Kavajës. Nëse nuk grabit mandatet atëhere mund të funksionojë ligji i dekriminalizimit tek ai. Krimi dhe dekriminalizimi kanë si të vetmin kusht të lirisë së tyre dhunimin e zgjedhjeve. Deri me 18 qershor balot dhe larot janë në liri të kushtëzuar.

Artikulli paraprakNjë moment si ai i “Dukës Ferdinand”…
Artikulli tjetërFaqja e pare