Të gjithë marrin dorë te babai i SPAK-ut, Todd Robinson

Nga Rajmonda Basha

Që nga krijimi i Prokurorisë së Posaçme SPAK – me qëllimin kryesor për luftimin e korrupsionit në nivele të larta dhe krimin e organizuar në vend – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë mbështetëse të strukturës.

Marrja e “bekimit” të amerikanëve krijoi besimin duke filluar nga opozita e deri te populli – që shpesh kanë shprehur rezerva për funksionimin e drejtësisë (si të kapur nga pushteti).

Nga hapja e dosjeve të rëndësishme deri te arrestimi i zyrtarëve, puna e SPAK ka pasur duartrokitje.

Megjithatë edhe akuzat nuk kanë munguar. Kritikët, e konsiderojnë si vegël të kryeministrit Edi Rama. Ose siç ish-kryeministri Sali Berisha i quan “prokurorë politikë” të tij.

Përpos të gjithave, përshëndetja ndërkombëtare ka qenë prezente edhe pse me dëshirën për të parë akoma më shumë.

“Reforma në drejtësi ka dhënë rezultat, por ka akoma vend për përmirësim”.

Ndërkohë, gjatë kësaj jave kreu i SPAK, Altin Dumani po zhvillon takime me zyrtarë të lartë të drejtësisë në SHBA.

Ndër të tjera takime që ka pasur përfshihet dhe Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) Todd D. Robinson.

Nga karriera e tij e gjatë në postet që ka mbajtur, në vitin 2004 Robinson ishte shef i Seksionit Politik dhe Ekonomik në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, Shqipëri.

Dy vjet më vonë, Robinson u largua për të punuar si konsull i përgjithshëm, në Konsullatën amerikane në Barcelonë.

Fillimet e karrierës së tij diplomatike gjithsesi, Robinson i ka në 1986, kur iu bashkua Departamentit të Shtetit, me pozitat e tija të para në Kolumbi dhe në El Salvador.

Ai u kthye në Washington në vitin 1991, për të punuar si oficer në qendrën operative të Departamentit të Shtetit. Në 1993, Robinson u caktua në Romë, Itali si asistent i stafit të ambasadorit në atë kohë, Reginald Bartholomew dhe dy vjet më vonë u zhvendos në të gjithë qytetin për të punuar si oficer politik në Ambasadën në Vatikan.

Në vitin 1997, Robinson u kthye në Amerikën Latine për të punuar si oficer politik në ambasadën e La Paz-it, Bolivi, derisa u rikthye në vitin 1999 për një post si asistent special i Sekretares së atëhershme të Shtetit, Madeleine Albright. Vitin tjetër, ai u dërgua në Republikën Domenikane si zëvendës këshilltar për Çështjet Politike dhe Ekonomike.

Më pas, gjatë administratës Obama, ai u caktua si ambasador në Guatemala. Teksa nën administratën Trump, ai u caktua si i ngarkuar me punë në Venezuelë.

Por karriera e tij do të merrte një kthesë me administratën Biden, kur në prill 2021, Robinson do të caktohej si Ndihmës-Sekretar i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Forcimit të Ligjit.

Pikërisht në këtë funksion, ai ka dhënë edhe kontribut madhor për ngritjen dhe rrjedhën që SPAK do të merrte në kohë, duke pasur edhe arrestime të bujshme të ish-zyrtarëve të lartë të shtetit, apo deri edhe akuza ndaj ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj dhe ish-kryeministrit, Sali Berisha.

Dhe kush vjen me radhë, veç ai dhe Dumani e dinë…

Artikulli paraprakGjyshërit “modernë” shqiptarë, si po ndryshon raporti mes brezave
Artikulli tjetër1 mijë e 200 euro për një apartament 2+1, shtrenjtohen me 35% qiratë mujore në Tiranë