Të gjithë emrat e Presidentit Trump

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka përzgjedhur pjesën dërrmuese të kabinetit dhe tanimë skuadra e re qeverisëse po merr formë të plotë. Në një artikull të “New York Times” zbardhet lista e plotë e emrave të përzgjedhur nga shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë. Lista e konfirmuar:

Sekretari i Shtetit
Presidenti i zgjedhur, Donald Trump njoftoi se ka emëruar drejtorin ekzekutiv të firmës ExxonMobil, Rex Tillerson në postin e sekretarit të Shtetit. “Kam zgjedhur një nga njerëzit më të mëdhenj, një lider nga bota e biznesit, Rex Tillerson, president CEO i Exxon Mobil, për të qenë sekretar i Shtetit. Gjëja që pëlqen më shumë te Rex Tillerson është se ai ka përvojë të madhe në trajtimin me sukses të negociatave me të gjitha llojet e qeverive të huaja”, lajmëroi Trump nëpërmjet një postimi në llogarinë Twitter. Kandidatura për postin e sekretarit do të kalojë për votëbesim në Senatin amerikan.

Sekretari i Punëve të Brendshme
Trump ka zgjedhur Ryan Zinke, ish-komandant i Marinës SEAL, i cili ishte një mbështetës i hershëm i presidentit të zgjedhur dhe garoi për postin në fjalë duke ofruar një platformë të sigurisë kombëtare.

Sekretari i Energjisë
Trump ka caktuar ish-guvernatorin e Teksasit, Rick Perry, i cili në vitin 2011 ka propozuar heqjen e Departamentit të Energjisë, në një kohë që po kërkonte votëbesimin e republikanëve për të garuar si president.

Sekretar i Punës
Zgjedhja pritet të jetë Andrew F. Puzder, që është shefi ekzekutiv i “CKE Restaurants” dhe një donator i fushatës së Trump, i cili ka kritikuar politikat e administratës së Obamës.

Administratore e Bizneseve të vogla
Trump ia ka besuar këtë post ish-shefes ekzekutive të World Wrestling Entertainment, Linda McMahon. Kjo e fundit së bashku me bashkëshortin e saj Vince, ishte një nga donatoret më të mëdha të Trumpit.

Administratori i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit
Avokati nga Oklahoma, Scott Pruitt është personi i përzgjedhur për këtë post. Ai është familjar me industrinë e karburanteve natyrore.

Sekretari i Sigurisë Kombëtare
Trump ka emëruar John F. Kelly në këtë detyrë. Ai është një ish-gjeneral i Marinës Detare i dalë në pension, djali i të cilit është vrarë gjatë luftimeve në Afganistan.

Sekretar i Mbrojtjes
Gjatë një takimi Trump njoftoi se kishte zgjedhur gjeneralin James N. Mattis, njeriu që udhëhoqi një divizion gjatë pushtimit të Irakut në vitin 2003. Ai ka qenë gjithashtu në krye të Komandës Qendrore të SHBA-ve nga viti 2010 deri në vitin 2013. Mattis njihet gjithashtu si një kritik i administratës së Barack Obamës.

Sekretar i Thesarit
Ky pozicion i është besuar Steven Mnuchin, i cili ka shërbyer si kryetar i financave gjatë fushatës presidenciale të Trump. Mnuchin ka qenë gjithashtu shef ekzekutiv i kompanisë “Goldman Sachs”, ka lidhje të thella me Hollywood-in, por nuk ka përvojë qeverisëse.

Sekretarja e Transportit
Trump ka zgjedhur Elaine L. Chao si sekretare të Transportit. Ajo ka shërbyer si sekretare e Punës në administratën e Bushit dhe njihet si një figurë qendrore e Partisë Republikane në Washtington.

Sekretari i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore
Njeriu i duhur për këtë post është menduar të jetë Tom Price, me profesion kirurg, që ka shërbyer si kongresmen i Georgias në një mandat 6-vjeçar. Ai ka kundërshtuar fuqishëm ligjin e ashtuquajtur “Affordable Care”, pasi sipas tij ky ligj pengon doktorët dhe pacientët të marrin vendime mjekësore.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë
Ky post i është besuar Donald F. McGahn, i cili ka shërbyer si këshilltar i përgjithshëm në fushatën e Trumpit. McGahn është një avokat nga Washingtoni, i cili nxiti heqjen e ligjeve për kontrolle financiare të fushatës dhe zgjedhjeve dhe shërbeu për 5 vite në Komisionin Federal të Zgjedhjeve.

Sekretari i Tregtisë
Trump ka zgjedhur Wilbur Ross, një investitor pasuria e paluajtshme e të cilit sipas revistës “Forbes” kap vlerën 2.9 miliardë euro. Ross ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të çlirohen nga “robëria” e “marrëveshjeve të këqija të tregtisë”.

Sekretarja e Arsimit
Në këtë post është caktuar Betsy Devos, ish-kryetarja e Partisë Republikane në Miçigan dhe një aktiviste e arsimit, e cila beson fort te “School Choice”, sistem që bazohet në dhënien e fondeve publike për studentët në zgjedhje që u përshtaten nevojave të tyre.

Ambasadorja e Kombeve të Bashkuara
Trump ia ka besuar detyrën një femre, Nikki R. Haley, vajza e një emigranti nga India që ka shërbyer si guvernatore në Karolinën e Jugut. Haley ka qenë fillimisht një kritike e politikave të kandidatit republikan Trump.

Sekretari i Strehimit dhe Zhvillimit Urban
I përzgjedhuri është Ben Careson, një ish-neurokirurg dhe kandidat për president. Careson më parë kishte deklaruar se nuk dëshironte të ishte pjesë e një ekipi qeverisës.

Drejtori i CIA-s
Si drejtor i CIA-s është caktuar Mike Pompeo, përfaqësues i Kansasit dhe një ish-oficer ushtrie. Z. Pompeo është anëtar i Komitetit të Inteligjencës dhe ka qenë një kritik i mprehtë i kandidates demokrate Hillary Clinton, gjatë hetimit të Kongresit sa i takon sulmit të vitit 2012, në qendër të cilit ishte një kompleks diplomatik i SHBA-ve në Bengazi të Libisë.

Prokuror i Përgjithshëm
Senatori nga Alabama, Jeff Sessions do të jetë prokurori i ri i Përgjithshëm i SHBA-ve. Sessions është një përkrahës i fortë i masave strikte në raport me emigracionin, për shpenzime më të reduktuara, dhe masa të ashpra në luftën ndaj krimit. Emërimi i tij si gjyqtar federal në vitin 1986 u refuzua për shkak të komenteve me ngjyrime raciste.

Këshilltar i Sigurisë Kombëtare
Do të jetë Michael T. Flynn, një ish-gjeneral i dalë në pension që ka shërbyer gjithashtu si drejtor i Agjencisë Inteligjente të Mbrojtjes. Flynn ka folur hapur mbi pikëpamjet e tij rreth rrezikut të ekstremizmit islamik dhe ka qenë një përkrahës i zjarrtë i Trumpit gjatë fushatës.

Shefi i Shtabit të Shtëpisë së Bardhë
Trump njoftoi më 13 nëntor se për postin në fjalë kishte zgjedhur Reince Priebus, i cili ka mbajtur më parë detyrën e kreut të Komitetit Kombëtar Republikan.

Shef i Strategjive
Trump njoftoi më 13 nëntor emërimin e Stephen K. Bannon si shef të Strategjive. Ai ka qenë një shef ekzekutiv në një media të krahut të djathtë dhe kryetar i fushatës së presidentit të zgjedhur.

Të pakonfirmuar:
Drejtor i Inteligjencës Kombëtare
Alternativat:
David H. Petraeus, një ish-gjeneral i Përgjithshëm i ushtrisë dhe drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës.
Michael S. Rogers, një admiral i Marinës dhe drejtor i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare. Zgjedhja e Rogers-it mund të jetë e komplikuar për shkak se administrata Obama po shqyrton mundësinë e shkarkimit të tij.
Frances Townsend, Këshilltar i Sigurisë së Atdheut gjatë administratës së George W. Bush.

Sekretari i Agrikulturës
Alternativat:
Sam Brownback, guvernator i Kansasit.
Chuck Conner, shef ekzekutiv i Këshillit Kombëtar të Kooperativave të Fermerëve.
Heidi Heitkamp, senatore demokrate nga Dakota e Veriut.
Sid Miller, komisioner për agrikulturën në Teksas.
Kristi Noem, përfaqësuese nga Dakota e Jugut.
Sonny Perdue, ish-guvernatore e Georgias.

Sekretari i Çështjeve të Veteranëve
Alternativat:
Scott Brown, ish-senator nga Massachusetts.
Michelle J. Howard, femra e parë admirale në historinë e Marinës.
Jeff Miller, ish-përfaqësues nga Florida, i cili ka qenë kryetar i Komitetit të Veteranëve.
Sarah Palin, ish-guvernatore nga Alaska, e nominuar për zëvendëspresidente.

Përfaqësues i tregtisë së SHBA-ve
Dan DiMicco, ish-shef ekzekutiv i korporatës “Nucor”, kompani e prodhimit të çelikut. Njihet si një kritik i praktikave tregtare kineze.

Drejtori i buxhetit

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump emëroi kongresmenin republikan Mick Mulvaney si drejtor buxheti të Shtëpisë së Bardhë, një sinjal se zoti Trump ka në plan të shkurtojë shpenzimet federale, megjithë premtimet për të shtuar shpenzimet për ushtrinë dhe për të rindërtuar infrastrukturën e vendit.
Mulvaney ka pikëpamje konservatore dhe ai njihet si një mbështetës i shkurtimeve federale në Kongres.
Përmes një deklarate që bëri të shtunën, zoti Trump tha se “Aktualisht borxhi ynë është 20 trilionë dollarë, por Mick është një person me aftësi drejtuese dhe shumë energjik dhe ai do të dijë t’i menaxhojë me përgjegjësi financat e vendit tonë”, tha zoti Trump.

Artikulli paraprakObama i kujton Reganin republikanëve
Artikulli tjetërJaponia në epokën e Trump