Të gjitha paratë në një dorë, Rama i jep superfuqi Ahmetajt, e bën dhe ministër për Koronavirusin

Kryeministri Edi Rama i ka shtuar detyrat ministrit për Rindërtimin Arben Ahmetaj, i cili tashmë do të kordinojë dhe planin për përballimin e pandemisë së koronavirusit.

Në një vendim që është publikuar në faqen zyrtare thuhet se Ahmetaj do të jetë përgjegjës për koordinimin dhe drejtimin e punës, ndërmjet ministrive dhe institucioneve, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID19.

VENDIM
Nr.228, datë 18.3.2020
PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.11,
DATË 10.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRIT TË SHTETIT PËR RINDËRTIMIN”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit,
Këshilli i Ministrave
VENDOSI:

Pas kreut II, të vendimit nr.11, datë 10.1.2020, të Këshillit të Ministrave, shtohet kreu II, me këtë përmbajtje:
“II/1. Ministri i Shtetit për Rindërtimin është përgjegjës për koordinimin dhe drejtimin e punës, ndërmjet ministrive dhe institucioneve, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID19.

Në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Ministrave, është përgjegjës për:
a) koordinimin, drejtimin dhe ndjekjen e veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin e planit të përballimit të situates ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID19.

b) evidentimin e burimeve të brendshme, financiare dhe njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore, dhe propozimin për miratim në Këshillin e Ministrave të akteve përkatëse, për përdorimin e këtyre burimeve;

c) evidentimin e burimeve financiare të jashtme dhe përcaktimin e mënyrës së përthithjes së tyre, për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID19 dhe propozimin për miratim në Këshillin e Ministrave të akteve përkatëse, për përdorimin e këtyre burimeve;

ç) koordinimin dhe drejtimin e strukturave e të njësive, shtetërore dhe publike, të ngarkuara drejtpërdrejt për kryerjen e detyrave, për zbatimin e planit të përballimit të situates ekonomike, të shkaktuar nga infeksioni COVID19;

d) prezantimin e gjendjes dhe të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID 19;

dh) përgatitjen dhe propozimin e projekteve, të përgjithshme e të veçanta, si pjesë të planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID 19;

e) detajimin e nevojave për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID 19;

ë) koordinimin dhe drejtimin e punës si dhe rekomandimin e institucioneve për përgatitjen dhe paraqitjen për miratim në Këshillin e Ministrave të projektakteve, ligjore e nënligjore, për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID 19;

f) nxitjen, bashkërendimin dhe dhënien e mendimit për projektaktet që propozohen nga ministritë, të cilat trajtojnë, ndër të tjera, edhe çështje me interes ose brenda fushës së përgjegjësisë së tij;

g) thirrjen për raportim të strukturave të cilat kanë lidhje me situatën ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID 19;

gj) krijimin dhe drejtimin e grupeve të punës dhe organizimin e veprimtarive për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID 19;

h) bashkërendimin me ministritë dhe institucionet shtetërore për sigurimin e të dhënave të nevojshme dhe përcjelljen e porosive në funksion të realizimit të planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID 19;

i) informimin, vazhdimisht dhe në kohë, të Kryeministrit, kur është rasti, edhe Këshillin e Ministrave, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID 19.

Ngarkohet ministri i Shtetit për Rindërtimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

fletorja zyrtare

Artikulli paraprakApeli i ekspertëve: Largojini të gjitha unazat nga gishtat gjatë kohës së koronavirusi, arsyeja…t
Artikulli tjetërMjekët kinezë: Gabimet që bëmë ne dhe që po përsëriten nga mjekët në Europë