TAP përmirëson infrastrukturën rrugore

Në fund të vitit 2016 Trans Adriatic Pipeline (TAP) AG përfundoi fazën e parë të përmirësimit të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, përmirësimin e rreth 58 km rrugë ndihmëse, ndërtimin e dy urave të reja dhe përmirësimin e strukturës së 40 urave të tjera. Punimet zgjatën një vit e gjysmë dhe u kryen nga një sipërmarrje e përbashkët (joint venture) e përbërë nga kompania shqiptare “Gener 2” Sh.p.k dhe “Sicilsaldo” S.p.A.
Infrastruktura e përmirësuar rrugore do të lehtësojë transportimin e tubave dhe pajisjeve të nevojshme për veprimtaritë ndërtimore të gazsjellësit. Ajo gjithashtu do të ndihmojë në zhvillimin e komuniteteve vendore dhe bizneseve përreth në qarqet e Korçës, Beratit dhe Fierit. Rreth 200’000 persona do të përfitojnë nga kjo infrastrukturë rrugore e përmirësuar.
Punimet u projektuan që të kishin ndikim minimal në mjedis dhe në komunitetet përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Më shumë se 600 punëtorë u përfshinë në këtë proces dhe më shumë se 99% e tyre ishin shqiptarë.
Karl Roberts, menaxheri i projektit TAP për Shqipërinë tha: “Dëshiroj të përgëzoj të gjithë ata që kanë kontribuar për arritjen e këtij suksesi. Me gjithë relievin e ndërlikuar dhe problematik, me pika që arrin në lartësi 1.800 metra, punimet u mbyllën në kohë, sipas buxhetit, dhe mbi të gjitha sipas standardeve më të larta të sigurisë.
Për më tepër, jemi krenarë të theksojmë disa arritje në Shqipëri. Është hera e parë që urat janë përforcuar pa ndërprerë qarkullimin rrugor, është hera e parë që guroret dhe vendet e derdhjes së materialeve natyrore janë rehabilituar sipas standardeve të rrepta mjedisore dhe është hera e parë që është treguar kaq kujdes për ruajtjen, monitorimin dhe shpëtimin e artefakteve të trashëgimisë kulturore”, shtoi Roberts.
Faza e dytë e përmirësimit të rrugëve, përbërë nga rreth 120 km rrugë, do të zbatohet nga kontraktori i TAP-it për inxhinierinë, prokurimin dhe ndërtimin Spiecapag.

Artikulli paraprak60 të punësuar për fytyrën e kllounit Veliaj
Artikulli tjetërKoncesione të reja me hekurudhat