Taksidarët e Rilindjes po terrorizojnë biznesin e vogël në Dibër

Nga Xhemal Gjunkshi

Në Dibër ditët e fundit në kuadër të aksionit kundër informalitetit po kryhen kontrolle nga Drejtoria Tatimore Rajonale Shkodër. Mbështes fuqimisht domosdoshmërinë për të ulur informalitetin. Ulja e informalitetit realizohet nëpërmjet bashkëpunimit dhe ndihmës me biznesin duke e lehtësuar atë. Kalimi në masa më ekstreme duhet të ushtrohet vetëm kur ky bashkëpunim mungon.
Tërheq vëmendjen që puna e inspektorëve nuk është në funksion të ndihmës për formalizimin e biznesit, por, po punohet në mënyrë të njëanshme dhe selektive. Nuk përmirësohet situata, duke bërë kontrolle selektive të paramenduara mbi bazën e listave të përgatitura në zyrat e PS-së dhe veçanërisht të PDIU-së. Konstatohet që bizneset e Partisë Socialiste dhe të PDIU-së gjatë ditëve të aksionit tatimor kanë qenë të njoftuar paraprakisht për këto kontrolle dhe për rrjedhojë kanë ulur qepenat, duke ju shmangur kontrollit tatimor. Këto biznese familjare që po gjobiten nga këto xhelatë të rilindjes nuk janë biznese të zeza. Biznese të zeza janë korrupsioni, kontrabanda, krimi, droga, prostitucioni etj.
Po goditen kryesisht bizneset e vogla, familjare me gjoba të mëdha dhe të papërballueshme. Këto politika të çojnë në thellimin e varfërisë të popullit të Dibrës, duke i bërë që të konsumojnë më pak.
Konstatohet që në shumë raste këto gjoba nuk janë të bazuara në aktet ligjore në fuqi. Gjithashtu, ajo që vihet re nga ky kontroll është se inspektorët tatimorë nuk guxojnë të hedhin sytë dhe jo më të ushtrojnë kontroll tek biznesi i madh pranë njerëzve të PS dhe PDIU-së. Këto biznese, që duhet të ishin paguesit kryesore të tatimeve, u shmangën atyre duke filluar nga futja pa doganë e mallit nga Maqedonia e për rrjedhojë dhënies së mallit pa faturë tatimore me TVSH, biznesit të vogël. Pra, inspektorët tatimorë nuk kontrollojnë shmangien nga taksat doganore dhe TVSH-ja e biznesit të madh pranë qeverisë, por vendosin gjoba biznesit të vogël, që është në kushtet e mbijetesës. Kërkojë që të dalë urgjentisht përgjegjësia ndaj atyre që kanë përgatitur listat e kontrolleve selektive të bizneseve dhe inspektorëve tatimore që janë përfshirë në këtë proces. Bashkëlidhur po jap vetëm një fakt të një biznesi familjar i gjobitur pa cituar asnjë dispozitë ligjore, ku është bazuar kjo gjobë.

Deputet i PD Qarku Dibër

Artikulli paraprakArrestohet “i forti” i Shkodrës pasi e denoncoi Berisha
Artikulli tjetërRama i la Tahirit 10 ditë kohë për zhdukjen e provave