Rritja e taksave nga Veliaj rrit edhe çmimet e ushqimeve

Pas një rënie afër zeros në muajt e parë të 2016, niveli i përgjithshëm i çmimeve ka nisur të rritet në muajin qershor, duke arritur në 1.2%. Përveç veshjeve dhe komunikimit të gjitha grupet e tjera të mallrave kanë shënuar rritje vjetore, duke reflektuar kështu rritjen e taksave dhe kostove për industri të veçanta. Rritja e taksave bashkiake në Tiranë dhe rritja e kostove të biznesit në tërësi, sidomos nga mbifaturimi i energjisë elektrike me tre lekë, duket se është transferuar në çmime. Sipas INSTAT rritja vjetore në muajin qershor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,97 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar secili me nga +0,04 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene e restorante” kanë kontribuar me 0,03 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Shëndeti” kanë kontribuar me 0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,06 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me -0,03 pikë përqindje. Krahasuar me muajin qershor 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 4,8% pasuar nga grupi, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,7%, grupi “Argëtim e kulturë” me 1,6%, grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,4%. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 16,3%, pasuar nga nëngrupi “zarzavate përfshirë patatet” me 7,1%, nëngrupi “qumësht, djath e vezë” me 2,7%, nëngrupi “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 2,1%. Çmimet e nëngrupeve “bukë e drithëra” dhe “mish” u ulën me nga 1,0%. Ndërsa, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transport” me 3,6%, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 1,5%, grupi “komunikimi” me 1,0%.  Krahasuar me muajin maj 2016, ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije alkoolike” me 1,9%. Brenda grupit të ushqimeve ulja më e madhe e çmimeve vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet” me 8,9%. Pak ditë më parë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se besimi i bizneseve dhe konsumatorëve ka shfaqur luhatje edhe në tremujorin e dytë të vitit 2016. “Besimi i biznesit dhe ai konsumator mbeten të luhatshëm, ç’ka ilustron pozitën ende të pakonsoliduar të kërkesës së brendshme private si motor i rritjes ekonomike”, tha Sejko në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshilli Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë.  Gjatë kësaj mbledhjeje, u vendos që norma e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 1.25%. “Ecuria e dobët ekonomike e partnerëve tanë tregtarë, rënia e çmimit të disa prej produkteve tona tradicionale të eksportit, si dhe fatura e lartë e importit që kanë disa prej investimeve të huaja direkte në Shqipëri, kanë sjellë një zgjerim me 26.3% të deficitit tregtar gjatë pesë muajve të parë të vitit. Në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, kjo tablo do të ruhet edhe në gjashtëmujorin e dytë, dhe shkëmbimet tregtare me jashtë nuk do të mbështesin rritjen ekonomike gjatë vitit 2016”, shtoi Sejko.

Artikulli paraprakKaos dhe luftë në Dallas, 5 policisë të vrarë dhe 6 të plagosur
Artikulli tjetërTensione në seancën e Kongresit mes kreut të FBI e republikanëve