Taksa të reja 30 mijë e 1 milion lekë në faturën e ujit

Qeveria ka miratuar dy tarifa të reja që do të paguajnë familjarët dhe bizneset për përdorimin e ujit. Njëra tarifë që varion nga 1500 lekë për familjarët deri në 3000 lekë për bizneset do të paguhet ndaj Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit dhe tjetra tarifë që varion nga 5500 lekë deri në 100 mijë lekë do të paguhet ndaj Këshillit Kombëtar të Ujit dhe paguhet një herë në momentin që bëhet aplikimi për përdorimin e ujit.
Tarifat janë të ndryshme në varësi të aktivitetit të biznesit dhe janë propozuar nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
Sipas arsyetimit të qeverisë tarifat e reja do të përdoren për të mbuluar shpenzimet administrative të enteve dhe sekretariateve që bëjnë politikat e sektorit.
Tarifat e aplikimit për pajisjen me autorizim për përdorim burimi ujor, shkon për funksionimin e Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit dhe në Agjencinë e Basenit Ujor.
Tarifat e miratimit të autorizimit për përdorim burimi ujor vilet nga Këshilli Kombëtar i Ujit dhe Këshilli i Basenit Ujor.
Të ardhurat e mbledhura nga tarifat e përcaktuara në këtë vendim derdhen në buxhetin e shtetit.
Menaxhimi i ujit është duke kaluar një tranzicion për shkak të transferimit të kompetencave nga pushteti qendror tek ai lokal.
Në rikonceptimin e rolit, përgjegjësive dhe funksioneve të Bordeve të Kullimit. Edhe emërtimi i tyre propozohet të ndryshojë në “Drejtori të Ujitjes dhe Kullimit”.
Në këtë kuadër, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave (MBZHRAU), nëpërmjet Drejtorive të Ujitjes dhe Kullimit, do të jetë përgjegjëse për operimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës kryesore që përfshin disa rezervuarë të mëdhenj të ujitjes, kanaleve kryesore ujitës dhe kullues, kanalet e ujërave të larta, stacioneve të pompimit për kullim (hidrovoret) dhe argjinaturat lumore e detare për mbrojtjen nga përmbytjet.
Shqipëria është një vend i pasur me burime ujore, por për shkak të relievit të thyer, gjysma e ujit për ujitje sigurohet nga rezervuarët artificialë.

Kërkesa për rritjen e çmimit të ujit

Çmimi i ujit të pijshëm mund të rritet në 12 bashki të vendit, kjo pasi 12 ndërmarrje ujësjellësi kanë aplikuar pranë Entit Rregullator të Ujit (ERRU) për ndryshim tarifash. Ky Ent deri më tani ka miratuar vetëm njërën prej tyre, të Ujësjellësit të Korçës, ku çmimi nga 65 lekë/m3 që është aktualisht të ndryshojë në 72 lekë/m3 për konsumatorët familjarë.
Ndërsa për bashkitë e tjera vendimi i ERRU për kërkesat e tyre të shpallet në muajin mars 2015. “Në vitin 2014 kanë paraqitur kërkesën për ndryshimin e tarifave 12 operatorë. Secili prej tyre kryen aktivitetin e tij sipas licencave të dhëna nga Enti Rregullator për shërbimet ujësjellës dhe kanalizime. Vetëm dy shoqëri nga këto 12 kryejnë shërbimin e furnizimit me ujë, të tjerat dhe ujë dhe kanalizime”, sqaron Ana Metohu, përgjegjëse e sektorit Ekonomik dhe Monitorimit, ERRU.
Por jo vetëm tarifat e ujit të pijshëm për familjarë kërkohen të ndryshojnë, por edhe për klientët buxhetorë dhe privatë, si dhe për ujërat e ndotur, kanalizimet. “Aktualisht procesi është në hapat e fundit për sh.a Ujësjellës Korçë, proces i cili tani ka përfunduar, është shqyrtuar në komision, është çuar vendimi pranë operatorit dhe pushtetit vendor, se kështu është procedura, pritet 14 ditë pas kësaj dhe jepet vendimi. Brenda janarit ne do të kemi një vendim për sh.a Ujësjellës Korçë”, vijon Metohu.
Nga këto 12 bashki, 2 prej tyre aplikojnë për herë të parë për ndryshim tarife, ndërsa të tjerat kanë bërë kërkesë edhe në vitet e kaluara. “Komisioni Kombëtar Rregullator e vendos tarifën duke bërë një proces vlerësimi të këtij aplikimi, që do të thotë që vlerësohen kostot e shërbimit, treguesit kryesorë të performancës të shoqërisë, po dhe përballueshmëria e këtyre tarifave nga konsumatorët. Duke bërë një balancë midis asaj që kërkohet për të rritur qëndrueshmërinë financiare të operatorit dhe mbrojtjes së konsumatorit komisioni këtu ka detyrën kryesore dhe i merr parasysh të gjitha këto faktorë që ndikojnë në ndryshimin e tarifave”, vijon Metohu.
Ajo bën të ditur se shumë qytetarë janë ankuar pranë ERRU për mbifaturim të ujit të pijshëm, si dhe për faturim aforfe. Sipas saj, faturimi në rastet e mungesës së matësit, bëhet me një normativë prej 150 letra/frymë në ditë.

Artikulli paraprakBujar Lako: Rrëzimi i diktaturës, detyrim
Artikulli tjetërRama penalizon shqiptarët për koncesionarët e makinave