Taksa e re në faturën e ujit, Rama shton pasurinë me 79 milionë lekë, pse i hiqet mandati i deputetit

Partia Demokratike kërkoi sot heqjen e mandatit të deputetit kryeministrit Edi Rama duke e bazuar këtë në hapjen e ekspozitës së tij në Berlin, Gjermani në shkelje të ligjit.
Deputetja e PD Albana Vokshi tha se shumica e shqiptarëve jeton shumë më keq por kryeministri as nuk do tja dijë. Ajo tha se Edi Rama e ka braktisur detyrën për të hapur një ekspozitë në Berlin. rama gjermani 2
“Në këto ditë të ftohta Tirana dhe disa qytete të vendit janë përballur me ndërprerjen e energjisë elektrike. Studentët janë ende në bojkot me kërkesa minimale të parealizuara nga qeveria. Fatura e ujit ka ardhur edhe më e lartë këtë muaj nga futja e një takse të re. Shumica e shqiptarëve jeton më keq, por kryeministri i vendit nuk do t’ia dijë.
Edi Rama e ka braktisur detyrën, për të hapur në Berlin një ekspozite të re për shitjen e krijimeve të tij, në shkelje të hapur të ligjeve dhe të Kushtetutës së vendit, e cila detyron heqjen e mandatit për deputetin Edi Rama”, deklaroi Vokshi.
E për këtë sipas saj, shpjegimi për këtë është fare i thjeshtë.

“Deri në vitin 2014, Edi Rama ka deklaruar zero lekë nga krijimtaria artistike. Pasi bëhet Kryeministër, Edi Rama, nis të hapë ekspozita në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara.
Për 3 vjet rresht, në 2015-2016-2017, ka deklaruar 79 milionë lekë të ardhura nga krijimtaria artistike. Gjithçka është në kundërshtim me ligjin dhe detyrën e tij si kryeministër dhe si deputet”, tha deputetja e PD.
Ajo shpjegoi se ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike, përcakton në nenin 27 të tij se, “Kryeministri nuk mund të ushtrojë veprimtari private që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar”.
“Duke shitur krijimtarinë e tij artistike dhe duke krijuar të ardhura të deklaruara 79 milionë, kryeministri Edi Rama ka vepruar në cilësinë e personit fizik tregtar, siç e përcakton ligji për të drejtat e autorit. Kjo përbën qartazi papajtueshmëri me funksionin e Kryeministrit dhe deputetit, duke shkelur hapur Kushtetutën. Në këto kushte, Kuvendit të Shqipërisë i takon të mos sillet si vegël në duart e Edi Ramës, por të ushtrojë të drejtën e vet: të konstatojë papajtueshmërinë me funksionin e Kryeministrit/deputetit dhe të deklarojë mbarimin e mandatit të Edi Ramës në bazë të nenit 71 të Kushtetutës”, tha Vokshi.

Artikulli paraprakNjë histori e shkurtër e Ukrainës
Artikulli tjetërMuri lakuriq