Taksa e re e banesës rrit çmimet e qirave

Edhe pse tregu i objekteve për banim ka hyrë në një fazë të vrullshme prej rritjes së investimeve, sidomos dy vitet e fundit, kërkesa për qira nuk është zbehur. Rritja e kërkesës dhe reflektimi i kostos së taksës së re të pronave ka sjellë një rritje të lehtë të çmimeve të qirave në muajin dhjetor 2017.
Sipas të dhënave të INSTAT, që kur çmimet e qiradhënies nisën rritjen në muajin mars të vitit 2017, tendenca rritëse ka vijuar duke kulmuar në muajin dhjetor ku çmimet e qirave ishin 3.6 për qind më të larta se në muajin dhjetor të vitit 2016. Rritja ka qenë më e fortë gjatë muajve nëntor dhe dhjetor.

Zakonisht në muajin dhjetor dhe në janar ndryshojnë kontratat e qirasë për biznesin. Këto lloj kontratash rishikohen zakonisht një herë në vit dhe shumica e tyre janë të noterizuara. Rishikimi gjatë muajit dhjetor ka sjellë një rritje të lehtë të tyre për shkak se pronarët e vërtetë i kanë revizionuar me kostot që krijon përllogaritja e taksës së banesës.
Në prill të këtij viti hyn në fuqi tatimi i ri për ndërtesat, i cili do të jetë 0.05% e vlerës zyrtare të banesës për qytetarët dhe 0.2% për bizneset.

Siç ishte lajmëruar edhe më herët baza e taksës nuk do të jetë më sipas modelit të vjetër, por në përqindje bazë të vlerës së ndërtesës. Ky ndryshim ka sjellë rritjen e vlerës së qirasë për bizneset, teksa qiradhënësi e transferon rritjen e kësaj takse te qiramarrësi, ndërsa për qytetarët nuk sjell ndryshime me tendencë rritëse. Mirëpo duke qenë se kontratat e bizneseve rishikohen më së shumti në dhjetor, pronarët e objekteve kanë rritur qiratë ndaj tyre duke reflektuar barrën fiskale katër muaj më herët.
Nga ana tjetër fluksi i ndërtimeve të reja që nisi vitin e kaluar ende nuk është bërë i banueshëm teksa kërkesa sidomos në Tiranë vijon të rritet.

Teksa fuqia blerëse e apartamenteve është e përqendruar tek një shtresë e popullsisë që i investon likuiditetet në blerje banesash, pjesa tjetër që kanë nevoja për strehim vijojnë të përdorin qiranë. Gjithashtu një pjesë e kontratave të qirave janë rinovuar gjatë muajit dhjetor dhe të rejat janë lidhur me çmime më të larta se vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga statistikat e popullsisë Tirana shtohet me rreth 20 mijë banorë të rinj vit. Banorët e rinj vijnë kryesisht nga qytetet e tjera, të tillë si familjet që zhvendosen për një jetë më të mirë në kryeqytet. Gjithashtu një pjesë e studentëve nga rrethet që kryejnë studimet e larta në Tiranë preferojnë të vijojnë jetën në Tiranë.

Taksa sipas paketës fiskale 2018

Me ligjin e ri, që ka hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti me paketën e re fiskale, duke filluar nga 1 prilli qytetarët do të paguajnë për banesat e tyre 0.05% të vlerës së pronës, ndërsa për bizneset do të jetë 0.2% e vlerës. Ky çmim është përcaktuar nga qeveria Rama gjatë procesit të rivlerësimit të shtëpive, proces i përfunduar në maj të vitit të kaluar. Këto çmime reference ndryshojnë në zona të ndryshme të Tiranës dhe janë çmimet që përdoren nga zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në rastet e shitblerjeve të banesave.

Më konkretisht Tirana ndahet në 11 zona të ndryshme, të cilat brenda tyre kanë disa nënndarje sipas zonave kadastrale dhe çmimet e referencës variojnë nga 60 mijë lekë në 190 mijë lekë për metër katrorë. Pra, një familje që jeton në një apartament 100 metra katrorë të ndërtuar pas vitit 1993, tek zona Komuna e Parisit (ku çmimi i referencës është 107 mijë lekë për metër katrorë), më parë paguante 3000 lekë në vit, ndërsa tani do të paguajë 5350 lekë, pra 2350 lekë më tepër.

Vetëm në rastet kur qytetarët e Tiranës banojnë në një apartament 100 metra katrorë në ato zona ku çmimi i referencës është 60 mijë lekë (Porcelan, Kinostudio, Linzë, Bregu i Lumit, Allias, “5 maji”) taksa e shtëpisë shkon 3000 lekë në vit, pra e barabartë me taksën aktuale për shtëpitë e pas vitit 1993. Për të gjithë banorët e zonave të tjera, taksa e shtëpisë në vitin 2018 do të rritet.

Artikulli paraprakTottenham-Arsenal, derbi premton spektakël dhe gola
Artikulli tjetërPSG piketon Zidane