Taksa 10 euro për Rrugën e Kombit, koncesionari fiton 13 milionë euro në vit

Ministria e Transportit sapo ka shpallur fituesin që do të marrë me koncesion Rrugën e Kombit, pjesë e rrjetit të rrugëve kombëtare dhe përbën projektin më të madh inxhinierik rrugor të ndërtuar në historinë e Shqipërisë. Duke lidhur Milotin, rreth 60 km në verilindje të Portit të Durrësit në detin Adriatik, me Morinën në kufirin e Kosovës, rruga formon seksionin qendror të autostradës Kosovë-Shqipëri, që lidh Durrësin me Prishtinën. Dhënia e mirëmbajtjes me koncesion në këtë aks synon një tarifë 5 euro pa TVSH për një periudhë 30-vjeçare.

Sipas Monitor, nëse autostrada realizon minimumin e trafikut për një aks të këtij niveli, 7 mijë makina në ditë, siguron një të ardhur vjetore minimumi 13 milionë euro pa llogaritur tarifat më të larta se 6 euro që pritet të vihen ndaj automjeteve të rënda (furgonëve, autobusëve dhe kamionëve). Kjo shumë prej 13 milionë eurosh do të paguhet nga përdoruesit e rrugës që janë kryesisht qytetarë të zonës veriore dhe verilindore të vendit, kosovarëve dhe bizneseve që tranzitojnë dhe eksportojnë mallra nga kjo rrugë. Ndërkohë që kostoja e mirëmbajtjes së aksit është vlerësuar nga Ministria e Transportit me 8 milionë euro.

Mirëpo kjo pagesë është e treta që qytetarët po bëjnë për Rrugën e Kombit. Së pari, taksa e qarkullimit mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen, paguhet nga të gjithë përdoruesit e automjeteve kur konsumojnë naftën. Kështu vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekë ose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve.

Ndërsa pagesa e tretë që qytetarët e Shqipërisë po bëjnë për Rrugën e Kombit janë interesat që paguhen në mënyrë indirekte nga taksat për të shlyer huanë mbi 300 milionë euro që u mor në vitin 2008 për ndërtimin e saj. Shoqata e Hidrokarbureve i ka bërë thirrje qeverisë që në momentin që do të vihet taksa e koncesionit mbi Rrugën e Kombit duhet të ulet taksa e qarkullimit mbi naftën, pasi do të ishte jashtë logjike që qytetarët të paguajnë më shumë se dy herë për një shërbim.

Koncesioni i mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Kukës do u kushtojë qytetarëve shqiptarë rreth 600 milionë euro në 30 vitet e ardhshme. Fatura marramendëse zbulohet nga vetë dokumentet zyrtarë të tenderit. Sipas dokumenteve, kompania e shpallur fituese në tender, turkja “Vendeka Bilgi” do të arkëtojë 523.3 milionë euro nga pagesat direkte të qytetarëve që do të përdorin rrugën dhe 72.8 milionë euro të tjera si subvencion nga buxheti i shtetit. Në total shuma shkon 596.1 milionë euro. Sipas koncesionit, për 30 vitet e ardhshme çdo automjet që kalon në rrugën Durrës-Kukës do të paguajë një tarifë prej 5 euro për të përshkuar segmentin 114 kilometër të rrugës, ndërkohë që për 13 vite buxheti do i japë kompanisë 72.8 milionë euro subvencione. Dokumentet e tenderit tregojnë se, kompania e shpallur fituese “Vendeka Bilgi”, edhe pse parashikon më shumë investime, do të marrë më shumë të ardhura nga qytetarët dhe buxheti. Më konkretisht sipas dokumenteve, në 30 vitet e ardhshme, kompania fituese do të arkëtojë në total 596.1 milionë euro nga koncesioni, nga të cilat pjesa dërrmuese do të paguhen drejtpërdrejt nga qytetarët, ndërsa 72.8 milionë euro do të subvencionohen nga buxheti i shtetit.

Transportuesit kundër koncesionit të Rrugës së Kombit 

Shoqata shqiptare e Transportuesve shprehet kundër vendosjes së pagesës për kalimin në Rrugën e Kombit. Presidenti i saj, Ilir Mataj, thotë se bëhet fjalë për një taksë shtesë për çdo mjet transporti, në një kohë kur prej vitesh ata paguajnë taksën e mirëmbajtjes së rrugëve. Ajo do të rëndojë jo vetëm në bilancet e shoqërive të transportit, por dhe në xhepat e qytetarëve.

”Edhe moralisht edhe ligjërisht ata transportues e kanë paguar atë rrugë sepse është thënë nga fillimi në fund se ajo rrugë u ndërtua nga lekët e shqiptarëve. Plus që edhe nga këto termat e tjerë që çdo transportues paguan taksë qarkullimi, por edhe taksë mirëmbajtje të rrugës. Kjo është një padrejtësi duke taksuar transportuesit për herë të dytë ose të tretë”, u shpreh Mataj.

Nga ana tjetër, Mataj sjell në vëmendje koncesionet e shumta të dhëna nga shteti shqiptar në dëm të qytetarëve dhe biznesit. Për koncesionin e Rrugës së Kombit ai thotë se paratë e mirëmbajtjes mund t’i paguhen shumë mirë shtetit dhe jo një kompanie private. Ndërsa thekson se shoqatat nuk është konsultuar nga qeveria për këtë koncesion, Mataj kërkon që së paku transportuesit të bëhen palë në negociatat për vendosjen e tarifave për mjetet e transportit. ”Është një kosto jo e vogël shtesë dhe nga kjo pikëpamje duhet të shihet masa e pagesës. Nëse jemi në kohë duhet të vlerësuar edhe nga kjo pikëpamje”, shtoi më tej Mataj. Shfrytëzimi i Rrugës së Kombit iu dha për 30 vjet me koncesion një kompanie turke. Deri tani është përcaktuar vetëm taksa prej 5 euro që do të paguajnë veturat për çdo kalim. Nga shtatori qeveria do të negociojë me kompaninë koncesionare tarifat që do të vendosen për kalimin e llojeve të ndryshme të mjeteve të transportit të udhëtarëve dhe të mallrave.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërUniversitetet publike nën tutelë përmes bordeve militante