Tahiri kërkon të shantazhojë ambasadorët e SHBA e BE-së

Ish-ministri Saimir Tahiri ka shprehur qëndrime kritike ndaj ambasadorëve të huaj në Shqipëri, veçanërisht atij amerikan, duke kritikuar ndërhyrjen e tyre në punët e brendshme të vendit, si dhe efikasitetin e ulët të programeve të ndihmës së tyre për policinë, si dhe duke bërë insinuata për qëndrime të dyshimta të tyre.
Këto qëndrime zoti Tahiri i shprehu, dje, në mbrëmje gjatë një bisede me gazetarë në emisionit “Opinion” të Blendi Fevziut në TV “Klan”, ku u diskutua për akuzat për përfshirjen e tij në trafikun e drogës.
Ish-ministri i Brendshëm kundërshtoi mendimin se krimi i organizuar është problem serioz në Shqipëri, duke u shprehur se të gjitha bandat ekzistuese kriminale janë lehtësisht të asgjësueshme. Ai u kundërshtua për këtë qëndrim nga gazetarët e pranishëm, të cilët i kujtuan atij vlerësimet e ambasadorëve të huaj dhe të raporteve ndërkombëtare, në lidhje me gjendjen serioze të krimit në vend.
Si reagim ndaj ambasadorëve, zoti Tahiri u shpreh:
Kam shumë respekt për ambasadorët në tërësi, pavarësisht se i kam njohur ndryshe, secili me të vetat, njerëz janë edhe ata.
Duket se me shprehjen “i kam njohur ndryshe”, Saimir Tahiri ka dashur të thotë se ata nuk janë ata që duken në publik, duke vazhduar me një insinuatë ironike se, pavarësisht se janë ambasadorë, edhe ata kanë problemet (apo mëkatet) e tyre si të gjithë njerëzit.
Ironia dhe pakënaqësia më e madhe e tij duket se ka qenë për ambasadorin amerikan, pasi kundërpyetjes së menjëhershme të gazetarit Lorenc Vangjeli ndaj pohimit të mësipërm të Tahirit, i cili e pyeti ish-ministrin “Edhe ambasadori amerikan?”, Tahiri iu përgjigj aty për aty me shpërfillje “edhe ambasadori amerikan”.
Pastaj, Tahiri shprehu qartë kundërshtinë e tij me ndërhyrjen e ambasadorëve të huaj në punët e brendshme të vendit, duke thënë:
S’kam preferuar të jem lloji i politikanit që shtrihet barkas para një ambasadori, apo t’i puthja dorën ndonjë herë një ambasadori. Kam menduar që Shqipëria është një shtet sovran që hallet e veta, t’i zgjidhë vet e as kam pritur që të vijë një ambasador të na zgjidhi problemet që ne mund t’i zgjidhim vet.
Kjo kritikë duket se bie në radhë të parë mbi ambasadorin amerikan dhe atë të BE-së, të cilët kanë qenë jashtëzakonisht aktivë dhe publikë në këshillimet, kushtëzimet deri dhe urdhërimet e tyre ndaj politikanëve të vendit.
Zoti Tahiri e vazhdoi kritikën ndaj ambasadorëve, veçanërisht atë amerikan, duke i akuzuar se ata flasin në parim, por ofrojnë pak ndihmë në praktikë për policinë:
S’ka nevojë Shqipëria për ambasadorë që tregojnë se sa familje apo klane mafioze ka, ia kam thënë ambasadorëve që atëherë s’më duhet mua fare kritika publike e një ambasadori, më duhet që kur të flasi për policinë të vijë të më japi një ndihmë konkrete.
Këtë qëndrim, zoti Tahiri e ka mbështetur me faktin se, sipas tij, programet e mbështetjes së partnerëve të huaj për Policinë e Shtetit në vend që të japin ndihmë reale për zgjidhjen e problemeve reale kanë harxhuar para në projekte pa efikasitet, të cilat ai i quan pallavra:
Gati në 20 vjet Policia Shtetit ka marrë 90 milionë euro ndihma, nga të cilat vetëm 12 janë ndihmë reale, të tjerat ishin përralla, pallavra, trajnime, ekspertizë kot, përralla.
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar nëse do të ndihmojë, duhet të ndihmojë realisht, jo me llafe dhe me përralla.
Sërish, duket se shënjestra e ish-ministrit ka qenë ndihma amerikane dhe e BE-së për Policinë e Shtetit, të cilët janë dy donatorët dhe partnerët kryesorë të policisë, për forcimin e kapaciteteve të saj për luftën kundër krimit, veçanërisht përmes programeve respektive OPDAT dhe EURALIS.
Zoti Tahiri ka kundërshtuar edhe pohimin e ambasadorit amerikan se në Shqipëri veprojnë “4 familje mafioze dhe 20 klane kriminale”, duke u shprehur se:
Në vlerësimin tim nuk ka familje mafioze është ekzagjerim i panevojshëm. Sigurisht ka klane kriminale, kollajllisht të çmontueshme. […] Shqipëria nuk është kurrë vend që ka plagë kaq të madhe krimin dhe kriminalitetin.
Megjithatë në fund, ndoshta për të balancuar qëndrimet e veta kritike, zoti Tahiri u shpreh se ai vlerëson qëndrimet kurajoze të ambasadorit amerikan për denoncimin me emra të kriminelëve.

“Exit.al”

Artikulli paraprakProkurorët Antimafie kundër ushtarëve të krimit
Artikulli tjetërSi e vrau Facebook-u gazetarinë