Tahiri drekon me të akuzuarin për vrasje, kërkon të blejë vota për PS

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është akuzuar se është takuar me një të dyshuar si autor të një vrasjeje. Kjo akuzë është bërë nga deputeti i PD, Flamur Noka, i cili gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se, Tahiri ka drekuar në Lundër me Lavdërim Tufën, të akuzuarin si vrasës të Mirit të Xhikes.
Duke iu referuar një mesazhi në celular, Noka tha se, Tahiri i ka kërkuar Lavdërim Tufës që të grumbullojë sa më shumë vota për Partinë Socialiste për zgjedhjet e 18 qershorit. Deputeti Noka akuzoi gjithashtu se, njerëz të afërt të Saimir Tahirit kanë krijuar linjë të trafikut të drogës që kalon përmes doganës së Tre Urave në Përmet.
Para pesë ditësh, Tahiri emëroi drejtor Kufiri në Policinë e Vlorës njeriun e tij më të besuar, Besmir Qibini, për të trafikuar drogën drejt Italisë dhe Greqisë. Ky emërim u bë nga Tahiri vetëm pak muaj nga dita e zgjedhjeve të përgjithshme dhe Rama me Tahirin po krijojnë terrenin për vjedhjen e votave.
Emërimi i Qibinit në krye të Policisë Kufitare të Jugut ka dhënë efektet e para në trafikun e drogës drejt Italisë. Besmir Qibini konsiderohet si një njeri tepër i afërt i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjatë kohës që punoi si zv/drejtor i Doganave, Qibini ishte përgjegjës për të gjithë strukturën e anti-kontrabandës në dogana. Një vit më parë, Qibini lejoi të futet në pikën kufitare të Portit të Durrësit, Shullazin pa ushtruar kontroll në makinën e tij.
Gjatë pesë ditëve që Qibini drejton Policinë Kufitare të Vlorës, policia italiane dhe ajo greke kanë sekuestruar rreth 3 ton drogë të nisur nga brigjet e Vlorës. Të dielën, policia italiane sekuestroi 800 kg kanabis në brigjet e Sao-s, në Leçe. Mediat italiane bënë të ditur se, operacioni u krye nga Guarda di Finanza dhe ngarkesa me lëndë narkotike ishte nisur nga brigjet e Vlorës. Guardia di Finanza kapi një skaf me 800 kg hashash dhe arrestoi një skafist shqiptar dhe dy italianë.
Të hënën, policia italiane sekuestroi 506 kg kanabis të nisur nga brigjet e Vlorës. Mediat italiane shkruanin se të dy trafikantët në bord u përpoqën të iknin, duke hedhur jashtë varkës, (7 metër e gjatë dhe me motor të fuqishëm), drogën, por ata u arrestuan. Kontrabandistët, identiteti i të cilëve nuk dihet, të moshave 30 dhe 48 vjeç, të dy nga Vlora, akuzohen për posedim dhe trafikim ndërkombëtar të drogës. Marijuana e nxjerrë nga deti ishte paketuar në 28 pako me madhësi të ndryshme, me një peshë totale prej 506 kg. Po ashtu, bëhet e ditur se, nëse droga do të kishte dalë në treg për shitje, ajo kapte vlerën e 5 milionë eurove.
Po ashtu, dy ditë më parë policia italiane sekuestroi 480 kg drogë të nisur nga brigjet e Vlorës. Trafikantët tentuan ta hedhin drogën në det, por janë bllokuar menjëherë nga forca policore të Guarda di Finanza. Gjatë këtyre pesë ditëve një sasi e madhe droge është kapur edhe nga policia greke. Tre ditë më parë, policia greke sekuestroi 320 kg kanabis të futur nga Shqipëria dhe vuri në pranga dy personat që po e transportonin lëndën narkotike. Po ashtu, dje policia greke sekuestroi 130 kg kanabis dhe vuri në pranga një shtetas shqiptar.
Tani që po afrohen zgjedhjet, Tahiri ka angazhuar të gjithë njerëzit e tij të afërt për trafikun e drogës. Paratë e përfituara nga ky trafik i jashtëligjshëm do të përdoren për blerjen e votave.

Artikulli paraprakErion Braçe, lidhje me bandën e Shullazit dhe bizneset mafioze
Artikulli tjetërLlalla: Perse më sulmon ambasadori Lu?