Llalla: Perse më sulmon ambasadori Lu?

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka sqaruar dje arsyet se përse sipas tij po sulmohet nga ambasadori Donald Lu. Llalla qenë i ashpër dje me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara Donald Lu, të cilin e ka akuzuar se po i bën presion të hapur institucionit të akuzës për qëllime personale. Lidhje me Soros, vënie nën presion për të shmangur hetimin ndaj Bankers Petrolium, revokim vizash të Prokurorit të Përgjithshëm apo dhe anëtares së sapozgjedhur të KED, me qëllim pengimin e hetimeve për deputetë të dyshuar për lidhje me organizata kriminale ishin të tjera akuza që Llalla hodhi në drejtim të ambasadorit Lu. Përgjigja e Llallës erdhi pas sulmit që ambasadori Lu i bëri paraditen e djeshme, për kundërshtitë që institucioni i hetimit ka pasur në lidhje me Reformën në Drejtësi. “Është shumë e rëndësishme që ambasadori Lu të lexojë variantin zyrtar, si në shqip, ashtu edhe në anglisht. Prokuroria e Përgjithshme i bën të qartë zotit Lu se, nëse është mësuar të jetë zot në ambientet e politikës shqiptare, këtë nuk mund ta realizojë me institucionin e Prokurorisë. Për fat të keq, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka shumë paqartësi brenda, të cilat kanë shkaktuar kaos institucional të papranueshëm. Zoti Lu mendon se ka në dorën e tij fatin e Prokurorisë, kur shantazhon institucionin për mbyllje hetimesh apo me heqje vizash. Duhet ta ketë të qartë ai dhe kushdo tjetër që, për të përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore, prokurorët e Republikës nuk kanë nevojë për viza. Këto presione të ambasadorit amerikan në Tiranë janë tipike sorosiane, të cilat kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të zhvlerësojnë institucionin”, tha Llalla në deklaratën zyrtare për këtë çështje.

Letra

Më tej, shefja e Kabinetit të Prokurorisë, Fjoralba Ballauri, prezantoi një letër që Prokurori i Përgjithshëm i dërgon Presidentit të Republikës Bujar Nishani, dhe kreut të Kuvendit Ilir Meta. Letra përmban një mal me akuza ndaj ambasadorit Lu, që nga revokimi i vizave dhe presionet e shantazhet për hetimin e çështjeve të caktuara. Sipas Llallës, i gjithë ky shantazh ka ardhur pas qëndrimeve kundërshtuese të institucionit të Prokurorisë, në lidhje me ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me Reformën në Drejtësi, ku sipas Llallës Prokuroria ka pasur kundërshtitë e veta. “Pak javë më parë, Ambasada e SHBA në Tiranë njoftoi Prokurorin e Përgjithshëm se është anuluar viza diplomatike e tij dhe e bashkëshortes së tij. Si shkak për këtë veprim tërësisht në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit, ka shërbyer një udhëtim për arsye shëndetësore në SHBA, i bashkëshortes së Prokurorit të Përgjithshëm. Ky veprim i Ambasadorit Lu është vijim i sjelljeve shantazhuese që ai ka prezantuar ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithashtu, ambasadori Lu, në më shumë se njëherë, ka ushtruar presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për të mos vijuar hetimet ndaj disa kompanive, për të cilat kanë ekzistuar dyshimet se kanë shkelur ligjet shqiptare. Rasti më flagrant, i cili është i dokumentuar me shkresë zyrtare, i bërë publik edhe në media, i referohet ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të ambasadorit të SHBA në Tiranë, në hetimin që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nisi ndaj kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”. Kjo kompani akuzohej nga mediat dhe banorët e zonës, ku ushtron aktivitetin se u kishte sjellë dëme të pariparueshme në pasuritë dhe shëndetin e tyre. Për këtë rast, ambasadori Lu ka kërkuar, në kundërshtim me çdo lloj komunikimi diplomatik dhe ligjor, që hetimi të mos vijonte, pasi pasojat do të godisnin në mënyrë të drejtpërdrejtë Prokurorin e Përgjithshëm”, thuhet në letrën e Llallës.

Dekriminalizimi

Por, sipas organit së akuzës ambasadori Lu po bëhet pengesë dhe për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. “Prokuroria e Përgjithshme vlerëson se edhe veprimi aspak diplomatik ndaj prokurorëve është një reagim ndaj qëndrimeve parimore të tyre, të cilat nuk përkonin plotësisht me projektet ligjore të mbrojtura nga Ambasadori dhe disa prej ekspertëve të tjerë, vendas apo të huaj. Prokurori në fjalë, është një ndër zyrtarët më të rëndësishëm të Prokurorisë Shqiptare, sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, sidomos në luftën kundër terrorizmit global dhe krimit të organizuar transnacional. Gjithashtu, në drejtim të strukturës shumë të rëndësishme të “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila tashmë ka nisur të japë rezultate konkrete në përjashtimin të disa deputetëve nga Kuvendi i Shqipërisë, si edhe të zyrtarëve të lartë nga administrata shtetërore, të cilët rezultojnë të përfshirë në veprimtarinë e krimit të organizuar brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Kjo strukturë po vijon me veprimet e saj dhe rezultatet do të prekin edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë, kryesisht persona të cilët Ambasadori Amerikan në Tiranë i ka shantazhuar publikisht dhe privatisht për të siguruar vota parlamentare për kalimin në parlament të projektit të mbështetur prej tij për Reformën në Drejtësi, ku, mesazhe telefonike të dërguara nga kjo ambasadë, janë bërë publike edhe në media”, thuhet në letër.

Presioni ndaj kandidatit të Prokurorisë për KED

Një ditë para hedhjes së shortit nga Kuvendi i Shqipërisë për përzgjedhjen e anëtarëve të KED, për shkak të mungesës së konkurrencës, kandidati i vetëm për anëtarin nga Prokuroria e Përgjithshme në këtë strukturë, thirret me urgjencë nga konsulli në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prokurori gjendej në një takim të IPA 2014,  Rrjetit të Prokurorëve të Ballkanit, i cili zhvillohej në Gjermani dhe u detyrua të rikthehej me urgjencë, duke vlerësuar se, për shkak të pozicionit si drejtor i Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, mund të ishin temë diskutimi çështje me rëndësi ndërkombëtare, përfshirë edhe terrorizmin. Në takimin në Ambasadën amerikane, Prokurori çuditërisht, nuk u prit nga konsulli, por nga një tjetër punonjës, i cili, pa dhënë asnjë shpjegim, i komunikoi asaj vendimin për revokimin e vizës amerikane. Fakti që Prokurori u kërkua me urgjencë në Ambasadën amerikane, vetëm një ditë para hedhjes së shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vlerësohet si një manovër aspak diplomatike, për të ushtruar shantazh ndaj përfaqësuesit të Prokurorisë, por edhe institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme, për interesa të segmenteve të caktuara politike që synojnë kapjen e institucioneve të drejtësisë.

Reagimi për Reformën në Drejtësi

Në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, kjo lëvizje, për të cilën ritheksojmë që është aspak diplomatike, ka disa arsye, të cilat lidhen me qëndrime dhe përfitime personale të ambasadorit të SHBA në Tiranë, z. Donald Lu. Prej kohësh, zoti Lu, duke u prezantuar si nxitës i Reformës në Drejtësi në Shqipëri, ka kërkuar me presion që Prokuroria e Përgjithshme të mbajë qëndrime hapur pro paketës ligjore, edhe në ato raste kur projektet ligjore, siç ka rezultuar më pas nga Opinioni i Komisionit të Venecias, kanë qenë tërësisht në kundërshtim me normat kushtetuese, si edhe me respektimin e të drejtave të njeriut. Në komunikimet zyrtare dhe informale, ambasadori Lu ia ka bërë të qartë Prokurorit të Përgjithshëm se, nëse nuk do të mbronte publikisht ndryshimet ligjore, do të kishte pasoja personale dhe institucionale.

Zgjedhjet në rrezik, po tentohet manipulimi

Ju sigurojmë se, institucioni i Prokurorisë nuk do të shantazhohet nga asnjë faktor, vendas apo i huaj, në përmbushjen e detyrimeve të saj kushtetuese dhe ligjore. Institucioni ynë është i vetëdijshëm se, me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri, të cilat zhvillohen në qershor 2017, segmente të ndryshme politike, të mbështetur edhe nga faktorë të jashtëm të lobuar, do të tentojnë të ushtrojnë presion ndaj Prokurorisë dhe Prokurorëve të Republikës. Ju garantojmë se do të merret çdo masë, për aq sa i takon institucionit, që të sigurohet vota e lirë. Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të ndjekë me përparësi të veçantë zbatimin e ligjit “Për Dekriminalizimin”, me qëllimin e vetëm për të siguruar pastërtinë më të lartë të Parlamentit dhe Administratës Publike shqiptare.

Ambasadori LU, qëndrime personale ndaj Prokurorisë

Qëndrimet e ditëve të fundit të ambasadorit Lu, lidhur me revokimin e vizave, i shohim si kundërvënie ndaj qëndrimeve profesionale të trupës së prokurorëve ndaj drafteve ligjore për Reformën në Drejtësi, të mbrojtura nga ambasadori amerikan në Tiranë. Vlen të theksojmë se, shumë prej problematikave të prezantuara nga Prokuroria, u konsideruan të tilla dhe u korrigjuan edhe nga Komisioni i Venecias, i cili u investua për të dhënë opinion nga palët politike në Shqipëri. Pra, nuk hezitojmë të shprehemi se, sjellja e ambasadorit amerikan në Tiranë mund të konsiderohet edhe si një hakmarrje e tij personale për qëndrimet parimore të Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithashtu, nuk hezitojmë të shprehemi se, kjo sjellje jo-diplomatike nga ana e ambasadorit Lu është rrjedhim i shantazheve të papranuara nga ana e Prokurorisë lidhur me disa çështje konkrete hetimi, për të cilat dukshëm ai ka pasur interesa thellësisht personale.

Artikulli paraprakTahiri drekon me të akuzuarin për vrasje, kërkon të blejë vota për PS
Artikulli tjetërRama u përgjua duke kërkuar miliona euro