Sulmohet ambasada amerikane në Podgoricë

Një person hodhi një pajisje shpërthyese në ndërtesën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Podgoricë, konfirmoi qeveria e Malit të Zi. Sulmi ndodhi në orët e para të ditës së sotme, thuhet në njoftimin e postuar në Twitter. “Një person i panjohur bëri vetëvrasje me një pajisje shpërthyese. Para kësaj, ai person hodhi një pajisje shpërthyese nga kryqëzimi pranë Qendrës së Sporteve në ambasadën e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në njoftim. Qeveria tha se pajisja e hedhur në ambasadë “ka shumë të ngjarë” të ketë qenë granatë dore dhe se hetimet janë në proces. Ambasada amerikane në Podgoricë tha se askush nga stafi nuk është plagosur. Policia e Malit të Zi dyshon se sulmuesi është Dalibor Jaukoviç, shtetas malazez, i lindur në Kralevë të Serbisë. Drejtoria e Policisë së Malit të Zi tha se po ndërmerr të gjithë hapat për të identifikuar sulmuesin. “Ky person mashkull, sipas aktiviteteve të ndërmarra deri më tani, është vrarë pasi ka shpërthyer një mjet shpërthyes dhe pasi ka hedhur një mjet shpërthyes në kompleksin e ambasadës”, thuhet në deklaratën e policisë. Në të njëjtën theksohet se nuk ka asnjë dëm tjetër përveç një krateri nga shpërthimi. Në një postim në Twitter, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, konfirmoi se ka pasur një “shpërthim të vogël pranë kompleksit të ambasadës amerikane në Podgoricë”. Ambasada i paralajmëroi shtetasit amerikanë që të qëndrojnë larg deri në njoftimin e radhës.

“Ambasada e SHBA-së në Podgoricë i paralajmëron shtetasit amerikanë për një situatë aktive të sigurisë në ambasadën në Podgoricë. Shmangeni ambasadën deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e publikuar në uebfaqen e saj. Ambasada po ashtu i udhëzoi amerikanët që t’i shmangin tubimet e mëdha në Podgoricë dhe të monitorojnë mediat lokale për përditësime mbi situatën. Ajo i anuloi të gjitha shërbimet e parapara për ditën e sotme. Qeveria e Malit të Zi tha se e dënon fuqishëm sulmin, ndërsa ministri i Brendshëm malazez, Mevludin Nuhoxhiç dhe drejtori i Policisë, Sllavko Stojanoviç, vizituan sot vendin e ngjarjes dhe ambasadën amerikane. Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç, tha se dhuna nuk është diçka që mund të falet, porse BE-ja pret rezultatet e hetimeve që po bëjnë autoritetet malazeze. Incidenti në Podgoricë ndodhi saktësisht dhjetë vjet pasi demonstruesit sulmuan dhe dogjën ambasadën amerikane në Beograd, në shenjë kundërshtimi ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Mali i Zi i është bashkuar NATO-s vitin e kaluar, duke zemëruar qytetarët pro rusë atje dhe gjetkë në Ballkan.

Artikulli paraprakMishi me hormone në thertoren e liçencuar në Tiranë, blegtori: Me gjilpërën në qafë për dy muaj bën 1 kv mish
Artikulli tjetërEpoka e Iniesta dhe Messit