Sulmi misterioz mbi ambasadën e SHBA në Kubë. 21 diplomatë humbin dëgjimin

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, tha se Shtetet e Bashkuara po konsiderojnë mundësinë e mbylljes së ambasadës në Kubë, pas një sërë “sulmesh ndaj shëndetit” të diplomatëve amerikanë që gjenden atje.
Sekretari Tillerson i tha kanalit “CBS” se, “po e shqyrtojmë këtë çështje tepër serioze për dëmet shëndetësore që kanë pësuar disa individë”.
Të paktën 21 amerikanë kanë pësuar incidente, që sipas Departamentit të Shtetit kanë shkaktuar një sërë simptomash, ndër të tjera humbje të dëgjimit, dëmtime në tru, dhembje koke, zhurmë në veshë dhe madje edhe probleme me përqendrimin dhe kujtesën për fjalë të komunikimit të përditshëm.
Sipas agjencisë “Associated Press”, megjithëse hetuesit kanë eksploruar mundësinë e valëve sonike ose të një arme të llojit elektromagnetik, nuk është identifikuar ende ndonjë pajisje.
Ligjvënësit amerikanë janë të alarmuar prej këtyre incidenteve. Të premten, pesë senatorë republikanë i dërguan një letër sekretarit Tillerson, ku i bëjnë thirrje për mbylljen e ambasadës në Havana, si dhe dëbimin e të gjithë diplomatëve kubanë nga Shtetet e Bashkuara.
Ish-Presidenti Barack Obama rivendosi marrëdhëniet me Kubën dy vite më parë, një lëvizje që është kritikuar nga pasardhësi, Presidenti Donald Trump.

Artikulli paraprakEdi Rama, Agron Shehaj, emigrimi i minorenëve dhe idiotët e dobishëm
Artikulli tjetërHapja e negociatave me BE, NATO: Korrupsioni, problem i frikshëm