Sulmi mbi trupat amerikane në Nigeri, Pentagoni fajëson IS-in

Pentagoni tha se luftëtarët e grupit militant Shteti Islamik janë përgjegjës për sulmin në Jugperëndim të Nigerit që la pas vetes katër ushtarë amerikanë të vrarë. Hollësitë e reja dëshmojnë se fshatarët lokalë mund të kenë luajtur rol në organizimin e pritës.
Zëdhënësja e Pentagoni, Michelle Baldanza, i tha “Zërit të Amerikës” se, militantët e IS-it u zunë pritë forcave amerikane dhe atyre të Nigerit më 4 tetor me ç’rast u vranë edhe katër pjesëtarë të personelit vendas të sigurisë.
Forcat e Posaçme të ushtrisë amerikanë, të njohura edhe si “beretat e blerta”, sapo kishin përfunduar një takim me udhëheqësit lokalë dhe po ktheheshin tek makinat e tyre kur u sulmuan, tha një zyrtar amerikan që foli me “Zërin e Amerikës” me kushtin që të mos i përmendet identiteti, meqë hetimet janë duke vazhduar.
Ushtarët thanë se takimi vajti vonë dhe disa prej tyre dyshojnë se fshatarët qëllimisht vonuan largimin e tyre, tha zyrtari.
Ministria e Mbrojtjes e Nigerisë konfirmoi se, pati shkëmbim zjarri afër fshatit Tongo Tongo në rajonin Tillaberi. Tetë pjesëtarë të trupave të Nigerit u plagosën gjatë sulmit në të cilin u plagosën edhe dy ushtarë amerikanë, të cilët u dërguan në Gjermani për trajtim mjekësor.
Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis, u tha gazetarëve të mërkurën se patrulla u godit ashpër në një zonë ku forcat armike nuk vepronin dhe se avionët francez fluturuan mbi zonë brenda 30 minutash pas pritës.
“Unë i hedh tërësisht poshtë pohimet se përgjigja ishte e ngadalshme”, tha Sekretari Mattis.
Nigeri është aleat i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit.

Artikulli paraprak23 të vdekur nga zjarret në Kaliforni
Artikulli tjetërSerbia po mbron kriminelët e luftës