Studimi: Punonjësit e sektorit fason gëzojnë shumë pak të drejta

Nga Erisa Kryeziu 

Të painformuar dhe të pambrojtur, punonjësit e sektorit fason po përballen me një sërë problematikash, kryesisht në të drejtat e punëtorëve.

Në një studim të kryer nga Instituti për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror (IKESH), duke mbledhur të dhëna nga 127 anketime me punëtorë të fasonerive në Tiranë, Durrës dhe Kamëz nënvizohen raste konkrete të kushteve të punës, jo të favorshme të të punësuarve në këtë sektor.

Një ndër to është fakti se pavarësisht vjetërsisë dhe përvojës së punës, punëtorët e sektorit fason kanë një pagë të njëjtë.

vjetersia dhe paga
Burimi: IKESH

“Edhe pse punëtorët fitojnë përvojë dhe aftësi më të mira prodhimi me kalimin e kohës, pagat e tyre shpesh nuk pasqyrojnë këtë progres. Kjo mund t’i atribuohet në një masë të madhe presionit të vazhdueshëm për të mbajtur kostot e prodhimit sa më të ulëta, një aspekt kyç për të mbajtur konkurrencën në tregjet kombëtare”,– thuhet në studim.

Studimi është fokusuar tek fasoneritë tekstile, që zënë 38% të vlerës totale të eksporteve të vendit tonë, duke përbërë një nga tre grup-mallrat kryesore krahas lëkurë – këpucëve dhe lëndëve minerale.

Sipas studimit sektori fason është i dominuar nga vajzat dhe gratë, me 91% nga të anketuarit dhe vetëm 7% prej tyre janë burra.

Puna jashtë orarit është një tjetër problem që prek kategorinë e të punësuarve në fasoneri.

“Rreth 42% e punëtorëve të pyetur punonin jashtë orarit, por nuk deklaronin se sa orë shtesë punonin gjatë muajit”, -thuhet në studim.

Studimi tregon se shumë punëtorë nuk i konsideronin orët e punës në ditën e shtunë si orë shtesë ose orë jashtë orarit të rregullt të punës.

oret shtese
Burimi: IKESH

“Sipas Kodit të Punës, dita e shtunë konsiderohet si ditë pushimi në shumicën e rasteve dhe cdo punë e kryer në këtë ditë duhet të trajtohet si orë shtesë. Mirëpo në praktikë shumë punëtorë në sektorin fason nuk janë të vetëdijshëm për këtë të drejtë dhe pranojnë të punojnë ditën e shtunë pa marrë kompensimin e duhur për orët shtesë”,-thekson studimi.

Po ashtu, mungesa e kontratave të punës apo mos dijenia për to është një tjetër shqetësim i ngritur në studim.

“Punëtorët janë shprehur se 9.45% nuk kanë kontratë pune dhe 3.94% nuk janë përgjigjur ose nuk e dinë a kanë ose jo një kontratë pune”.

Ndërsa pjesa dërrmuese e tyre, prej 60.63% e tyre nuk kishin kopje të kontratës së tyre, kundrejt 29.92% e tyre që kishin kontratë.

Nga ata të cilët kishin kontratë, një përqindje e lartë prej 36% e kishin kontratën 1 vjeçare.

“Kjo përqindje duhet theksuar, sepse këto punëtore pasi përfundojnë afatin e kontratës një vjeçare, ndërmarrja nuk jua rinovon serish. Kjo sjell që në vazhdimësi këta punëtorë të jenë pa kontrata dhe të jenë më të rrezikuar për pushime nga puna, sidomos gjatë periudhave të krizës”, – thekson studimi.

Ndërsa sa i takon pagesës së orëve shtesë, një pjesë e konsiderueshme e punonjësve nuk kanë dijeni sa paguhen orët shtesë.

“52.76% e punëtorëve nuk e dinë sa ju paguhen orët shtesë. Kjo përqindje tregon një mungesë të rëndësishme të transparencës dhe komunikimit në lidhje me kushtet e punësimit”, – thuhet në studim.

Përfitimi i pushimeve vjetore po ashtu është një pikë tjetër që preket. Sipas studimit punëtorët shprehen se i marrin pushimet vjetore, mirëpo nuk i marrin të plota.

“Në shumicën e rasteve, ato marrin gjysmën e pushimeve vjetore, pra vetëm 2 javë nga 4 javë që u takojnë sipas Kodit të Punës. Mungesa e njohurive rreth kësaj të drejte dhe ndoshta një praktikë e zakonshme në disa fasoneri për të reduktuar pushimet, ka bërë që shumë punëtore të mos përfitojnë pushimet e plota që u takojnë”.

Nga studimi vihet në dukje se mes punëtorëve nuk ka pasur organizim sindikal, ndërsa për ato pak raste të protestave kanë ardhur kryesisht për rishikimin e pagave dhe nevojën për të respektuar pushimet vjetore.

permiresime
Burimi: IKESH

“56% e punëtorëve do të dëshironin që protestat të organizoheshin për pagat, duke i parë si të pamjaftueshme pas krizës së Covid-19 dhe rritjes së çmimeve, 22 % dëshironin të përmirësohej infrastruktura, pasi janë shprehur se fabrikat lënë shumë për të dëshiruar kur vjen puna te hapësirat e përbashkëta, makineritë dhe mjetet e punës me të cilat punojnë apo edhe sistemi i ajrimit në fabrika, 2% kërkonin pushimet vjetore, pasi sipas tyre jo gjithmonë i përfitojnë katër javët e pushimeve vjetore që u takojnë me Kodin e Punës dhe as nuk u paguhen me përqindje më të lartë se ora normale, ulja e normës (2%), asgjë (3%), të tjera (3%) dhe 12% nuk kanë preferuar të përgjigjen fare”,-përfundon studimi.https://citizens-channel.com/

Artikulli paraprakBujqësia, ndërtimi, tregtia, industria ofrojnë paga poshtë mesatares kombëtare
Artikulli tjetërPD, Kthupi denoncon: Pse u përfshinë vetëm 2 nga 4 kontratat në Komisionin në Shëndetësi?