Strakosha sërish titullar

Një tjetër shans i artë për Thomas Strakoshën për t’u treguar të gjithëve se meriton të jetë ai portieri titullar i Lazios. Dëmtimi që pësoi Federico Marchetti përpara ndeshjes ndaj Milanit do ta mbajë 10 ditë jashtë fushave të futbollit gardianin italian dhe në mungesë të titullarit të portës te skuadra bardhekaltër, do të jetë Strakosha, 21-vjeçari shqiptar një nga zbulimet më të bukura të këtij sezoni në Serinë A, ai që do të mbrojë portën e Lazios në dy sfidat e ardhshme të kampionatit. Marchetti ka një problem në meniskun e gjurit të djathtë dhe do t’i duhet të qëndrojë për 10 ditë në pushim absolut.
Objektivi i 34-vjeçarit është të jetë gati për sfidën ndaj Udineses e vlefshme për javën e 26 të kampionatit, por gjasat më të mëdha janë që Marchetti të mungojë edhe në këtë ndeshje, kështu që titullari i portës në sfidën e radhës ndaj Empolit që do të luhet të shtunën në stadiumin “Carlo Castelani”, por edhe në sfidën e “Olimpicos” ndaj Udineses pritet të jetë pikërisht Thomas Strakosha. 21-vjeçari shqiptar është aktivizuar në total në 8 takime në këtë sezon të Serisë A, duke u shfaqur gjithmonë në lartësinë e duhur dhe duke spikatur me ndërhyrjet e tij si një talent i jashtëzakonshëm.
Strakosha, i cili së fundmi është grumbulluar edhe nga trajneri i kombëtares kuqezi Gianni de Biasi, nëse vazhdon me këto ritme mund të debutojë me Shqipërinë pikërisht në sfidën e madhe të 24 marsit ndaj Italisë në Palermo, takim në të cilën portieri titullar i kuqezinjve Etrit Berisha do të mungojë për arsye skualifikimi.

Artikulli paraprakStudimi, shqiptarët për tjetër gjë studiojnë dhe tjetër gjë punojnë
Artikulli tjetër“Donaruma i Francës”, rivali i ardhshëm i Strakoshës?